Kujtime si e njoha Kolonel Xhemal Laçin (1912-1994)
Kujtime
si e njoha Kolonel Xhemal Laçin (1912-1994)
Kjo intervistë me Tomë Mrijajn është pjesë e monografisë
kushtuar Xhemal Laçit, dhe ishte këmbëngulja ime që kjo të ishte pjesë e
librit. (Autorja:Leonora Laçi)
Si
e njoha ushtarakun e karrieres Kolonel Xhemal Laçin?
Ishte një ditë e
ngrohtë vere në New York. 15 korriku i vitit 1978, ishte ditë gëzimi për
familjen time të re, rrethin familjar, dhe posaçërisht për mua, që martohesha. Unë
kisha vetëm dy muaj, që isha larguar nga vendlindja e dashur Kosova. Atë natë të
gëzueshme, isha i tretur në mendime, sepse më mungonte familja ime në këtë gëzim
të madh. Këtu kisha si njerëz më të afërm të rrethit tim, motrën me dhëndrrin
dhe fëmijët e tyre të vegjel. Në atë kohë ishte një numër shumë i vogël
bashkëatdhetarësh nga vendilindja ime, që ishin të pranishëm në natën e shënuar
të jetës time.
Tani mua më
takonte roli i dyfishtë, të pres tek dera, sipas zakonit dhe traditës të hershëm
shqiptare. Unë i vetëm, në mungesë të familjes time, së bashku me familjen e
mikut, miqtë e shumtë që ishin ftuar nga dy familjet tona, organizuam darsmën e
madhe për të ndarë gëzimin e përbashkët të martesës, duke i bashkuar në një sofër
të madhe të gjithë miqët tanë shqiptarë mërgimtarë nga zona dhe krahina të
ndryshme të Kosovës, Shqipërisë, Mali i Zi etj. Duhet thenë, për hir të së vërtetës
historike, se kjo ishte dasma e parë në historinë e komunitetit
shqiptaro-amerikanë, ku dy familje shqiptare bëjnë një darsëm të përbashkët. Shqiptarët,
ishin shumë të lidhur me njeri-tjetrin, sepse ishin të pakët në numër si
komunitet këtu në New York.
Në atë mbrëmje të
paharruar, në hyrje të derës së restorantit, ku ishim rreshtuar të gjithë për të
pritur mysafirët, më ra në sy një burrë elegant, i veshur hijshëm me shije të
hollë të kohës, i cili, u përqafua përzemërsisht me mikun tim Prendush Gegën.
Ai me buzëqeshje i
tha Prendushit: “Ma gjej nji vend, dikund
me beqar…” Prendushi, po me buzëqeshje iu përgjigj, se vendi juaj është
caktuar pranë meshtarit të shquar Mons Dr. Zef Oroshi. Aty e kuptova se ky
person, ishte një personalitet i rëndësishëm.
Gjatë natës, disa
herë sipas traditës dhe zakoneve tona të lashta, që i kemi ruajtur me besnikëri,
shkuam së bashku me mikun tim në tavolinat e miqëve, për t’iu uruar mirëseardhjen
të gjithë të pranishmve në restorantin luksoz, ku po zhvillohej dasma e jonë.
Para se të fillonte
prerja e tortës (ëmbëlsirës) së çiftit, unë me nusen shkuam tek tavolina
kryesore, ku ishin të ulur miqët tanë të nderuar: Mons Dr. Zef Oroshi, Dom Rrok
Mirdita, etj. Meshtari ynë Monsinjor Oroshi, më njoftoj me njeriun që nuk e
njihja, duke më thënë se ky është Kolonel Xhemal Laçi. Kështu me radhë me gotat
tona të mbushura me verë i uruam mirëseardhjen të gjithë miqëve të pranishëm në
dasmën tonë, të cilët na gëzonin shumë me pjesëmarrjen e tyre…Mbas dy muajve, sërisht
jam takuar përzemërisht me Kolonel Xhemal Laçin, më 24 shtator të vitit 1978,
me rastin e inagurimit të Kishës së Re “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronx, New
York, ku ishte një pjesëmarrje shumë e madhe e komunitetit shqiptar, pa dallim
feje dhe krahine.
Ishte një gëzim shumë
i madh për të gjithë shqiptarët, që për herë të parë në botën e lirë ata kishin
një Kishë Katolike Shqiptare, e cila në Shqipëri prej viteve 1944, po vazhdonte
të masakrohej dhe persekutohej barbarisht nga rregjimi ateisto-komunist i
diktatorit të egër Enver Hoxha.
Mbas ceremonisë së
rastit, për të cilën ka shkruar atë ditë edhe gazeta e famshme e përditshme
amerikane The New York Times, vazhdoi programi i ceremonisë, me një darkë
festive dhe gazemore, që u shtrua për ketë rast në Hotelin “Chateu Pelham”, në
të cilën morën pjesë më shumë se 800 vetë.
Unë, kisha kënaqësinë
e veçantë, që së bashku me njerëz të tjerë të përshëndes ngjarjen e shënuar të
komunitetit tonë asokohe, duke recituar një poezi kushtuar udhëheqsit
shpirtëror, themeluesit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA Dr. Mons
Zef Oroshit (1912-1989).
Drejtuesi i mbrëmjes
më paraqiti mes bashkëatdhetarëve si një i ri i porsa ardhur nga Kosova. Sapo
mbarova përshëndetjen, duke zbritur nga foltorja, një burrë me shtrin dorën dhe
më përqafon. Ky personalitet ishte Kolonel Xhemal Laçi, i cili, në të njëjtën
kohë më njofton me disa intelektual të tjerë, duke u thënë se jam nga Kosova.
Pas disa ditësh,
takohem rastësisht me Kolonelin në shtëpinë e Kapedanit të Mirditës Ndue
Gjomarku në Queens, NY. Në makinë gjatë
kohës së kthimit Koloneli më thotë, se ka dëshirë një ditë kur të gjenim kohën
e përshtatshme, të zhvillojmë një bisedë të gjatë për Kosovën, gjendjen
politike, ekomike, sociale të vendit. Aty mësova se ai e donte shumë Kosovën
dhe e kishte pikë të dobët, duke u interesuar me detajet më të imta, për
gjendjen dhe banorët trima e fisnik të papërkulur Kosovar, përballë makinës dhe
gjenocidit serb.
Pas pak ditësh, së
bashku me axhën e gruas time, shkuam për ti bërë një vizitë Kolë Bajraktarit në
Queens NY. Aty gjetëm edhe Kolonel Xhemal Laçin. Së bashku të gjithë filluam të
bisedojmë gjatë për tema të ndryshme.
Ç’ mendonte Koloneli për Kosovën ?
Në një bisedë të
ngrohtë me Kolonelin, ai donte të dinte se nga cili vend i Kosovës isha unë. I
thashë se jam nga Lugu i Drinit, që i përket Rrafshit të Dukagjinit. Ai me
hodhi një vështrim të shpejtë dhe me sinçeritet shtoi: “Unë kam menduar se ju jeni nga qyteti, nga ndonjë familje e ngritur me
tradita intelektuale. Këtë përshtypje kisha kur ju takova për herë të pare, në
atë mbremje të mrekullueshme kur ju u martuat.”
Meqenëse ai ishte i
interesuar të dinte më shumë për familjen time, të parët e mi, unë me ngadalë
fillova ti përshkruaj shkurtimisht historinë e familjes ndër shekuj. Kolonelit
i tregova, se gjyshi dhe babai i im, kanë qenë Kryetar Komune. Gjyshi ka qenë i
shkolluar në Austri.
Biseda jonë ndryshoi
temë. Ai me foli për emigrantët politik, që ishin arratisur nga Shqipëria, si
pasojë e persekutimit të vazhdueshëm të rregjimit kriminal komunist. “Kur ju Tomë po flisnit për Kosovën, kisha
shumë emocione dhe dhimbje të thellë në shpirt, për atë popull trim dhe fisnik,
që po vuan nga rregjimi sllavo - komunist në Jugosllavi…”, - më tha Kolonel
Laçi.
Më pas unë i solla
shumë shembuj nga historia e popullit tonë. Gjatë atyre ditëve kisha dëgjuar
shumë histori me vuajtje dhe sakrifica nga emigrantë të ndryshëm, që me mund
dhe përpjekje të mëdha kishin mundur të mbërrinin në SHBA.
Sa herë që unë
flisja, ai me dëgjonte me vëmendje. I thashë se po ju tregoi një rast, që e kam
dëgjuar nga babai im dhe e kam vërtetuar këtu në mesin e mërgimtarëve nga
Prendush Gega, që ka jetuar për disa vite në krahinën e Llapit.
Bashkëatdhetarit tonë
Kolë Bibë Kallabës, i kishte vdekur babai në Dumnic të Llapit (Podujev), Një
vendas i quajtur Sali Obraxha e kishte sjellë me qerre kuajsh nga Llapi në Lug
të Drinit të vdekurin për t’a varrosur në vorrezat e krishtera.
Babai im ato ditë
kishte qenë Shef i Zyrës së vendit dhe kur kërkojnë leje zyrtare për të varrosur
u thotë atyre, shkoni tek ajo kulla e i thoni të zotit të shtëpisë se Shefi i
Zyrës së vendit, na ka dërguar tek ju, që të na ndihmoni ta varrosim të
vdekurin në vorrezat e Ranocit.. Ajo ishte shtëpia e madhe e Gjolleshajve.
Më kujtohet, kur
babai im e porositi nënën e tij (gjyshen time), duke i thënë: “Kurdo që të shkosh tek vorrezat e Ranocit,
vendos lule apo qiri tek ai varr, që s’ka njeri të vetin këtu.”
Kur babai im erdhi për
vizitë në New York, u prit perzemërsisht nga familja e Kolë Bibë Kallabës, që
jetonte këtu.
Unë mbaj mend shumë
kujtime të bukura, për figurat e shquara të komunitetit tonë në Amerikë, me një
pjesë të cilëve kam patur rastin, nderin dhe privilegjin të njihem nga afër dhe
të zhvillojmë shumë biseda, me tematikë historike dhe shoqërore. Ata me të
vertetë ishin njerëz të mëdhenj dhe atdhetarë të flaktë, që e donin shumë
vendlindjen dhe historinë e lavdishme të popullit shqiptar ndër shekuj.
Shqiptarët, tradicionalisht
janë popull bujar, sepse kanë vuajtur shumë gjatë pushtimit otoman dhe atij
komunist nën ish-Jugosllavi. Një përjetim bujarie dhe zemërgjerësie të madhe e
kam dëgjuar nga tregimet e burrit të urtë e të dashur të komunitetit tonë
Prendush Gega, gjatë kohës që ai jetonte në Istog (Burim), mbas arratisjes nga
ferri komunist i diktatorit antishqiptar Enver Hoxha.
Prendushi e filloi
tregimin e tij me plot emocione, duke iu rikthyer shumë viteve më parë, kur i
kishte ndodhur një ngjarje, që më vonë bëri bujë për të mirë në të gjithë Kosovën.
Ai kujton: “Ne ishim të gjithë të ardhur nga Shqipëria,
mbasi ishim arratisur nga rregjimi i egër komunist atje. Dola nga shtepia, ku
banonim të gjithë së bashku. Ishte ditë tregu dhe dola me mendimin se mos po
takoj ndonjë të njohur. Ne kishim shumë nevoj për ushqim, sepse nuk kishim asgjë
për të ngrenë. Dimri kishte mbërritur heret në shtëpinë tonë. Duke iu afruar tregut,
mbas disa minutave pash një burrë të gjatë si lisat e bjeshkëve tona, me veshje kombëtare. Ai mbante në dorë një
shami dhe ngadalë po iu ngjiste shkallëve të Bashkisë. I afrohem dhe me një zë
të qetë e përshëndes dhe më pas i marr leje se a mund t’ju pyes diçka. Ai me një buzeqeshje me kthen përshendetjen
dhe menjëherë më thotë: “Po dashamir, mund të më pyesni çfarë të doni.”
I thashë se ne jemi emigrant politik të arratisur nga
Shqipnia. Më vinte zor, sepse është e vështirë për burrin të kërkoj ndihmë. O
dashamir a mundeni të më ndihmoni me disa të holla, se jemi pa bukë në shtëpi!?
Ai më vështroi në sy dhe pashë se i erdhi keq dhe menjëherë lëshoi shaminë që
mbante në dorë e hapi dhe më ofroj si
ndihmë të hollat që kishte në shami. Ai nuk i numeroi të hollat dhe më tha:
Merri! Burri fisnik, shtoi: “Nëse ngushtohesh prap, shko tek mulliri im dhe i
thuaj se je i derguar nga unë. Asnjëherë mos rrini pa bukë.”
Unë nga gëzimi –
tregonte Prendushi, zbrita me shpëjtësi nga shkallët. Kur rashë poshtë kisha
harruar ta pyes se kush ishte ai burrë që mi dha paret. E pyes njerin, që ishte
aty afër, se si e ka emrin ai burrë që po i ngjitet shkallëve të Bashkisë? Ai
mu përgjigj se ai personi quhet Idriz Caka.
Kështu kaluan ditët
dhe erdhi stina e pranverës. Gjatë kësaj kohe ne filluam të punojmë dhe pak nga
pak i mblodhëm të gjithë të hollat, për t’ia rikthyer njeriut zemër bujarë
Idriz Caka.
Një ditë u nisa me
paratë në xhep drejt e tek dera e Idriz Cakës. Mbasi u përshendetëm i thash, se
kam ardhur për t’ju falenderuar edhe një herë nga zemra e familjes time dhe për
t’iu rikthyer paratë që ju më keni dhënë disa muaj më parë, kur ne kishim nevojë
të madhe. Idrizi, me buzëqeshje më tha: “Merri
paratë! Ne jemi vëllezër dhe nëse ngushtohesh hajde prap…”
Koloneli po e
shikonte me vemendje Prendushin. Ai e kuptoj se thashe-thenat që kishte dëgjuar
më parë, nuk ishin të vërteta. Ai dëgjoi me veshët e tij ngjarjen dhe pa se dy
vëllezër të besimit musliman, kishin ndihmuar me bujari dy vëllezër të besimit
të krishterë të arratisur nga Puka e Shqipërisë. Kosova, kishte nxjerrë gjithnjë
burra trima dhe zemër bujarë gjithmonë. Nga ajo ditë me Kolonelin mbetëm miq të
pandarë.
Cilët ishin miqtë më të ngushtë të Kolonelit?!
Koloneli, ishte një
mik i ngushtë i Dr. Mons. Zef Oroshit. Ai ndihmoi me bujari fisnike në ndërtimin
e Kishës katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronx, (sot “Zoja e Shkodrës,
Hartsdale) New York. Në çdo manifestim të përvitshëm, sikurse ishte 28 Nentori për
perkujtimin e Ditës së Flamurit, Koloneli me miqët e tij vinin për të ndarë gëzimin
e përbashkët me të gjithë shqiptaro-amerikanët në ambientet e Kishës.
Monsinjor Oroshi e
kishte kthyer në traditë Lutjen në Kishën Shqiptare, për të gjithë dëshmorët e
të gjithë kohrave, pa dallim feje e krahine të rënë për interesat e larta të
Atdheut. Midis shumë miqëve ishin përherë të ftuar: Kolonel Xhemal Laçi, Prof.
Arshi Pipa, Imam Isa Hoxha, Prof. Rexhep Keasniqi, Dr. Fuad Myftia, Ismet
Berisha, Nderim Kupi, Dr. Sami Repishti, Prof. Luan Gashi, Prof. Zef Nekaj etj.
Koloneli ynë gëzonte respektin e të gjithëve. Kështu Kapidan Ndue Gjomarku e
çmonte shumë, për qëndrimet e tij burrërore, karakterin e fortë prej burri dhe
pathyeshmërinë e tij në rastet delikate.
Papajtushmërit në mendime me anëtar të partive të tjera
të emigracionit a reflektoheshin në
sjelljen e tij?! Apo kishte një qendrimt të tillë që respektonte bindjet e
secilit.
Një herë më tha
Kapidani: “Edhe pse asht legalist e i
betuem si monarkist besnik i Mbretit Ahmet Zogu dhe birit të tij Leka Zogu I,
ne takimet tona asnjiherë se kam dëgjue tuj fol për partin e tij se cilës i
perket. Ai asht nji njeri i rregullt e shum i vendosun, për të ndjek me
besnikri traditat e hershme shqiptare…”
Si i trajtonte miqtë?
Me daljen në pension
të Dr. Mons Zef Oroshit, Koloneli së bashku me Fuad Myftinë nuk e harrojnë
asnjëherë miqësinë e vjetër, që kishin me klerikun e shquar atdhetar,
antikomunistin e vendosur dhe dashamirin e madh të Shqipërisë (vendlindjen,
Mirditën) dhe Kosovës martire.
Unë kam përcjellë
disa herë me makinë Kolonelin në shtëpi dhe kam dëgjuar nga goja e tij fjalë
shumë të mira për figurat e shquara të diasporës shqiptare këtu në Amerikë dhe
posaçërisht për Imzot Oroshin dhe të tjerët, me të cilët i lidhte një miqësi e
pastër dhe e ngushtë tipike shqiptare, pa dallim feje dhe krahine.
Nëpër foto të ndryshme kam parë që ishte në pararojë të
çdo demonstrate, mund të më flisni më gjatë për qendrimet e tija?
Kolonel Xhemal Laçi,
iu parapriu çdo demonstrate patriotike në krye të Levizjës së Legalitetit, që u
zhvilluan për shumë vite nga mergata shqiptare këtu, për përmbysjen e
komunizmit në trojet shqiptare dhe padrejtësitë, që i bëheshin vëllezërve të
Kosovës së roberuar nga rregjimi famkeq serbo-sllav. Sipas një bisede, që kisha
me legalistin Enver Shaska, në lidhje me Kolonel Laçin, ai më tha edhe këtë episodë:-
“Me Kolonel Laçin, u larguam nga Shqipëria
nga fundi i vitit 1944, mbasi komunizmi kishte dominuar kudo në trojet
shqiptare. Pjesa e pakënaqur, duke mos pas shprese vendosëm të largoheshim me qëllim
që në vendet Perendimore të Europës të gjejmë mbështetje dhe të organizohemi për
t’u rikthyer një ditë sërisht në vendlindje për të përmbysur komunizmin. Ne për
shumë vite ishim të organizuar në shoqata patriotike dhe parti politike
antikomuniste në diasporë dhe prisnim momentin që situate ndërkombëtare të
ndryshonte në dobi të krahut tonë dhe për lirinë dhe demokracinë e trojeve tona
etnike shqiptare, që ishin të pushtuar nga komunizmi i zi. Një grup i madh
vullenetarësh nga trojet shqiptare qëndruam për një kohë të gjatë në Mynih të
Gjermanisë në ushtri për tu stërvitur brenda Kompanisë 4000, që një ditë të
shpejtë të mësyjmë Alpet tona. Por kjo ditë nuk erdhi asnjëherë. Një ditë
gjenerali amerikan kaloi në repartin ku ne u gjendeshim. Papritur dëgjuam zërin
e Kolonel Xhemal Laçit, që iu drejtua me zë të lartë gjeneralit amerikan:”Deri kur do të presim!?” Gjernerali
amerikan me buzëqeshje iu pergjigj: “Ne besojmë se shumë shpejt, do të vijë ajo
ditë!” Kolonel Laçi ishte një ushtarak me të gjitha përgatitjet e duhuara të
kohës. Ai kishte një kulturë perëndimore, por edhe një bagazh të pasur të
traditës shqiptare, që e kishte trashëguar nga koha e hershme e rinisë brenda
familjes, në Pukën e tij që e deshti aq shumë me mall e nostalgji gjatë gjithë
jetës.”
A reflektonte shpesh mallin për vendlindjen?
Kujtojmë, se Shqipëria
ende jetonte në kthetrat e komunizmit të diktaturës së Enver Hoxhës dhe pasuesve
të tij fanatik. Por Koloneli shpresonte dhe besonte se në Shqipëri herët ose
vonë do të shembej komunizmi, përpara se ai të mbyllte sytë dhe ta shihte
Atdheun të lirë dhe demokratike.
“Unë dua të prehem në Atdhe, atje ku i kam të
gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes ndër shekuj. Atdheu im është Shqiperia të
cilën e dua shumë shumë…”, - më thoshte shpesh Koloneli. Ai fliste me
emocione sa herë që përmendej Shqipëria dhe Kosova.
Falë Zotit, dëshira
e Kolonel Xhemal Laçit u bë realitet. Mbas rrëzimit të komunizmit në vitet
1990, i erdhi djali (Muhameti) për vizitë në New York. Më vonë, u kthye
Koloneli në vendlindjen e tij. Ato ditë që ai po përgatitej për tu rikthyer në
Atdhe, unë shkova për t’i uruar udhë të mbarë, i gëzuar se ëndrra e tij u bë
realitet, falë besimit të patundur, që ai kishte se një ditë diktatura
komuniste do të shembej dhe do shihte dhe prekte nga afër shtëpinë dhe truallin
e të parëve të tij në vendlindje.
Atë mbremje isha aty
së bashku me dy miqët e tij të ngushtë Ndrecë Gjergjin dhe Zef Berishën. I
thashë Kolonel, kam ardhur për t’iu uruar udhë të mbarë në vendlindje! Të
kujtohet se sa herë cikrronim gotat më uroje, se ishalla së shpejti e shohim
Shqipërinë e Lirë dhe Demokratike! Dhe mu përgjigj se nuk ka dasht të shkonte
në Shqipëri në këtë mënyrë, por si ata burrat e mëdhenjë që u hodhën me
parashutë e dhanë jetën për atdhe.
Fatmirësisht,
Koloneli ynë, është ndër të vetmit, që u kthye në vendin e tij, vend për të
cilin vuajti gjithë jetën.
Sot trupi i atij
burri të madh prehet në vendin e shqiponjave, të cilit burrërisht i shërbeu
gjithë jetën. Kolonel Xhemal Laçi, u nda nga jeta në Shkoderlocen e tij të
dashur, në vitin 1994, ku la amanet që eshtrat e tij të prehen në Pukë, që
ishte dhe vendlindja e tij.
Lajmi i idhët i asaj
dite, më kujtoj me mall e nostalgji ato ditë dhe çaste të bukura plot kujtime të
paharruara, për te dhe miqët e shumtë bashkëatdhetarë të tij, që i deshti dhe e
donin me gjithë zemër…
Në vitin 2012, në
postën elektronike më kishte ardhur një mesazh ku thuhej: “Jam mbesa e Xhemal Laçit, studente e Universitetit të Shkodrës Leonora Laçi. Jam informuar se jeni një mik i tij. Nëse ju zoti Tomë,
keni ndonjë dokument apo shkrime për Xhemalin të na i dergoni. Ne do t’ua dinim
shumë për nder të gjithë si familja e tij këtu në vendlindje.”
Duke e lexuar sërisht
mesazhin, m’u kujtuan fjalët e miqëve, që kaluam shumë vite bashkë me ta në
gezime dhe hidhërime.
Mesazhi i Leonorës,
më gëzoi shumë. Thashë me vete në ato momente, se ndoshta do të dalin edhe shumë
të rinj të tjerë, që do të interesohen për historinë dhe njerëzit e tyre, që
punuan e jetuan me plot sakrifica për Atdheun dhe pse jetuan dhe punuan shumë
larg vendlindjes, të anatemuar për dekada më radhë nga diktatura komuniste e
Enver Hoxhës.
Tomë Mrijaj, New York.
Comments
Post a Comment