BUZËQESHJA E MADHE
BUZËQESHJA E MADHE
Tregim nga Fatmir Terziu
Të gjithë qeshnin në atë vend. Qeshte dhe Hurmaja. Qeshte dhe kolegja e saj pastruese tek Spajkorja. Qeshte dhe e bija kur i sillte dy herë në ditë foshnjën për të pirë. Qeshte edhe Nuçi, jetimi i Lagjes. Edhe ai që e kishte shpikur të qeshurën në atë vend habitej.
Në kuadër të mjaft novatorizmave edhe ne kishim shpikur, por kurrë si kjo shpikja e madhe për të qeshur, nuk na kishte ardhur ndër mendje ta bënim një të tillë, qoftë edhe më të vogël se kjo. Ore as edhe ta sajonim një të përafërt me të tijën. Kishim shpikur estrada për të qeshur, skeçe me njerëz të rrinj që ngjanin më shumë si të vjetër, me zakone prapanike, me mistere e me shenja frike, por jo ore jo, si kjo shpikja e tij. Novatorizmi i tij shkoi deri Lart. Atje, sikur ndodhte atje, qeshja e shpikur e tij u bë rend dite. Modeli i saj po vadiste korridore e zyra me lotë të qeshure, në tërë atë shkretëtirë të lënë në mugëtirë të shpirtit njerëzor, në zvetëni, nga fati i zhdukjes së të qeshurës vite e vite më parë. Nga mbledhja në mbledhje, nga konferenca në konferencë, lavdia e shpikjes së tij tashmë kishte arritur dhe në zyrën e të Parit. Dhe i Pari menjëherë, pa një e pa dy e kishte kërkuar shpikësin ta shihte vetë me sy.
Ata e morën natën dhe ia sollën ditën. Natën për gjithë natën e zhveshën dhe e veshën, pasi e lanë dhe e shpëlanë mirë e mirë. E më në fund ia rregulluan dhe një kollare dhe e futën drejt e në zyrën e të Parit. Por, ndërsa e futën në zyrën e tij, i Pari me ngut e me urgjencë u gjend në një takim të rrëndësishëm. Ndërkohë novatori nuk doli edhe fare bosh. Ai bisedoi me një Bust që ndodhej aty afër, në qosh.
- Novator, na thuaj si ia arrite kësaj shpikje të madhe?
- Ja, me një … me një shpullë të nënës u ndodha në prehërin e gjyshes sime të urtë e të mirë dhe ajo për të më lehtësuar dhimbjen, filloi të më rrëfente një nga të vetat. Ajo ka shumë të atilla….
- Pra … kështu e zbulove të qeshurën?
- Në fakt jo menjëherë, jo. Prita të më pushonte faqja nga ajo shpullë, kur ashtu dhe në prehërin e gjyshes goja ime u rihap dhe kërkoi prapë…
- Çfarë kërkoi goja jote e hapur, shpullë tjetër?
- Jo në fakt, sytë i kisha të ngrirë në tavan lart, ndërsa barkun e kisha palë-palë. Mendja më sillej vërdallë. Unë kërkoja… dhe nëna ime e mirë nuk kishte të më jepte as edhe bukë me dhallë.
- Pra, ti hëngre shpullën e dytë, apo të tretën?
- E çfarë të haja tjetër? Gjyshja ma kishte mbyllur tashmë gojën… Mendja ime kishte ikur Malit të Dovletit bashkë me Qerosin që kulloste dhitë e Mbretit…
- Po me dhitë si është puna?
- Me të dëgjuar, nga goja e gjyshes sime, e kam. Unë vetë kam vite që nuk i kam parë më me sy. Qëkur na lanë bosh grazhdën tonë sytë zor se janë lodhur të kërkojnë…, të paktën ndonjë dhi, apo dhe të dëgjojnë ndonjë blegërimë.
- E kisha fjalën për Qerosin, dhitë që ia kulloste atij …, atij satrapit.
- Jo dhitë ishin të Mbretit…, dhitë Qerosi i kishte bërë të qeshin.
- E si kështu?
- Ja … i kishte kullotur mirë e mirë, dhe pastaj në të kthyer, ashtu sikurse i kishte kërkuar Mbreti të vinin të ngopura e të qeshura nga larg, Qerosi ia kishte prerë buzën e poshtme secilës ngapak.
- Dhe ti e mësove këtë fakt?
- Po, gjyshja ma mësonte. Ishte një përrallë që natë për natë na e tregonte.
- Dhe atë fakt e bëre shpikje?
- Jo, dhe aq në fakt. Jo. Për këtë më duheshin disa vite. Atëherë isha i vogël, tani e kam të lehtë të ta them ty o Bust, por ama me një kusht. Ma jep fjalën se do ta zbatosh kushtin tim?
- E cili është ai kusht?
- Mos u nxito të më nxitosh. Kushti im është që të qeshësh edhe ti kur të gjendesh pikërisht aty, tek vendi ku unë kam zbuluar të qeshurën. Pra të pajtohesh edhe ti o bust me këtë kusht.
- Mirë, dakord. E ke dëgjuar besoj, se unë kur e jap fjalën… therr edhe djalën.
- Ah, po ti ke qenë fort i besës, fort, madje i besës së madhe.
- Atëherë më thuaj, më sqaro pra.
- Rastësisht u ktheva nga atje ku më kishte deleguar torba ime e krahut, në ditët kur ty të sollën nga sheshi në atë magazinën që pastronim bustet e tjera që i kishe ngulur e shkulur vetë ti në gjysëmshekullin tënd. E në një ekran të madh në sheshin ku të shkulën ty dëgjoja këtë që të mban fshehtas ty në këtë zyrë të thoshte me zë të lartë se do të bënte mjekësinë falas, se të gjithë do të kishin …
- Si, si? Ha, ha, ha…. Mjekësinë falas? Po unë ia kam lënë disa shënime…, unë jam tallur me të, sikurse tallesha atëherë kur luante me në Bllokun tim me shokët e sojit.
- E pra ti po qesh pa shkuar ende atje… Prit, prit ta shohësh novatorizmin tim.
- Jam dakord. Jam dakord. Po kurë do të shkojmë?
- Kjo varet nga kjo zyrë tashmë. Kohërat kanë kapërcyer mistershëm. Ja sa të hapësh e mbyllësh një sy ikën një dekadë, sa … të duket sikur je po në kohën tënde prapë.
- Nga kjo zyrë?
- Po.
- Aha, prandaj kanë kërkuar që të vijë OSBE, BE, KBE, BBE … e ku i di unë të gjitha… unë kisha vetëm një Traktat Varshave dhe …
- Dhe ia çave, … ia çorre maskën.
- Nejse, nejse… po dëgjoj zëra. Më duket se janë të gjithë … flasin disa gjuhë.
Kështu të gjithë u gjendën atje. Kurioziteti që në fillim të herës u shua menjëherë. Sa mbërritën atje, të parin zbritën bustin. Busti ia plasi të qeshurës me të madhe. Të huajt panë njëri-tjetrin në sy, edhe ata qeshën, por si me një dilemë…
Të gjithë qeshnin, ndërsa shpikësi shihte se mos po e ndiqte ndonjëri nga pas. Në fakt po e ndiqnin akoma … Po e ndiqnin në dy kohë.
Po atje, krejt Atje, të gjithë qeshnin akoma në atë vend. Qeshte dhe Hurmaja. Qeshte dhe kolegja e saj pastruese tek Spajkorja. Qeshte dhe e bija kur i sillte dy herë në ditë foshnjën për të pirë. Nuk qeshte Nuçi, jetimi i Lagjes. Edhe Ai, që e kishte shpikur të qeshurën në atë vend habitej... Ai quhej Ikman, dhe me duart e tij të fashuara e kokën në allçi ai mezi kishte shkruar dhe lënë këtë mbishkrim aty mbi tavolinë:
“E, nuk e kam shpikur mjaft bukur, kjo është dhe do të mbetet jo vetëm shpikja krenare, por dhe buzëqeshja janë më e madhe: “Ilaçi më i mirë është buzëqeshja.” Ndryshe çfarë do të merrnin në atë Barnatore bosh ata mijëra njerëz…, që ende janë në shesh dhe vetëm qeshin e qeshin me njëri-tjetrin”.
Comments
Post a Comment