BOTA S'KA DUAR
BOTA S'KA DUAR
Nga Lida Lazaj
Tinguj, ngjyra, mundësira pafund, gjithçka të lakmon syri bota ka, që me pak mundim mund ti bësh të tuat.Ti më ke mua, unë të kam ty; lidhur fort në lidhjen më të pazgjidhshme njerëzore krahpërkrah triumfalisht, si gjethi i vjeshtës luan e qesh shtjellave të erës. Do vijë, herët a vonë, edhe për ty çasti, për të të dhënë një leksion. Një mësim, që ndodhitë dhe ngjarjet së “jashtmi” s`ta mësojnë kurrë. Subkoshienca jote do krijojë një mizanskenë, krejt origjinale siç je dhe ti vetë unik, i patëdytë. Mjafton, që të “shurdhohesh”me vetëdije nga tollovia e botës reale dhe t`i përsosësh shqisat për kapur dhe regetimat më delicate, tingujt dhe fjalët brenda vetes.
Tek unë erdhi një natë të errët shkrumb, kur kurmi prehej në pëllëmbët e gjumit. Catisi çarçafëve një dallgë e përbindshme deti. Frikësuar, llahtarisur deri në fundin e fundit të qënies, atë çast m`u gjend pothuajse ngjitur njeriu më i dashur me të cilin na ndan vetëm gjumi. Mes maktheve e tmerrit mezi më dilnin si ngërç fjalët “shtrëngomë… kam frikë… shtrëngomë…!” Njeriu përballë ishte vetë dhimbja, mëshira dhe ah…. mjerisht pamundësia. Ishte dëshpërimisht gati të sakrifikonte jetën për të më shpëtuar. Por trupi i tij në ato çaste ishte ishte i pamanovrueshëm. Ai heshtte si një insekt gjigand dhe me dhimbje shihte vuajtjen time prej llahtarit, shihte krahët e tij të hollë, të tharë si gjymtyrët e një kandre të ballsamosur. krejt të pamundur për të më shtrënguar, për të më mbrojtur,për të më qetësuar.
Pastaj do zgjohesh biri im. Rrezet lojcake të diellit të ditës së re do ta avullojnë dhe pikën e fundit të mbetur të djersës dhe dota fshijnë dhe ndjesinë e makthit. Ti vetë do shndritësh I përndritur prej një dije të re dhe njeriun e dashur do ta duash edhe më pranë dhe do të bëhet edhe më i dashur. Nuk do më besosh më mua verbërisht si besimtari fanatik profetin, por ëndrrave të tua, mesazheve që të jep qenia jote e krijuar prej miliona vjetësh. Duhet të ndodhë tek çdo njeri llahtarisje e thelbit, një natë tmerri si kjo, për të kuptuar,që edhe njeriu më i dashur nuk zotëron asgjë, asnjë mjet, as gjest, asnjë njohuri,për të të ngushëlluar thellë thellë deri në fundin e qenies tënde. Duhet të ndodhë për të kuptuar, që bota të tilla duar s`ka. Bota është rrumbull biri im. Bota veç të ndihmon për t`u rritur, për t`u zhvilluar, për të treguar të veçantat e tua., siç ndihmon dheu, uji e drita, lulen për të lëshuar aromën dhe ngjyrën e saj. Rukull shkon dhe lumi i jetës së përjetshme ku ti pluskon gjatë kohës që të është blatuar. Shtrëngohu pas kurmit dhe palcës tënde bir dhe beso, se je ti vetë kafazi dhe shpendi syfajkua.
Comments
Post a Comment