Ahmet Korenica, antiosman dhe kadiu i parë i Gjakovës 1830-1885
Ahmet Korenica, antiosman dhe kadiu i parë i Gjakovës
1830-1885
Një fakt markant, që edhe sot shoqëron emrin e heroit, në tabelën e personaliteteve më të shquara nga Gjakova, vendosur në muret e Bashkisë, si në grafikën e mëposhtme.
Ishin kohët kur edhe pas më tepër se katër shekuj nga vdekja e heroit tonë mbarëkombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe ripushtimit të Shqipërisë nga turqit, çdo gjë mbetej e ndaluar rreptësishtë vetëm për shqiptarët, për dallim nga të gjithë popujt e tjerë nën sundimin otoman, tragjedi që në trojet arbërore, zgjati për rreth 500 vite me radhë.
Thënë shkurt e shqip, deri në 3 vitet e fundit të pushtimit turk në Ballkan dhe përfundim të vitit 1908 e fillim të vitit 1909,në asnjë pjesë të trojeve shqiptare, nuk kishte shkolla, libra, gazeta as alfabet kombëtar në gjuhën shqipe.
Ndaj edhe pse tërë kohën, flitet pareshtur dhe në përmasa sipërore në një mori shkrimesh historike, siç shprehet me pietetin më të lart për figurën heroike të Ahmet Korenicës edhe njëri prej emrave më madhorë të popullit shqiptar, patrioti Abdyl Frashëri, në mungesë të shënimeve të vërtetuara biografike, jetëshkrimi i tij, ende mbetet jo i plotë dhe i pa-pasqyruar tërësisht, me një përshkrim të njëmendtë përmbajtësor dhe të plotësuar e tërësisht autentik për heroin.
Kështu që megjithëse ka disa hipoteza të supozuara mbi motin e lindjes së këtij burri të madh të kombit, as sot nuk mund të pretendohet se ato janë të vërtetuara saktësisht, ndaj krejt atë çfarë mund të them unë si studiues në këtë shkrim ekskluziv kushtuar këtij atdhetari të devotshëm, janë shpjegimet nga profesori im i pa harruar i Letërsisë, i ndjeri prof.mr. Besim Peni, të cilat deri me djegien e shtëpisë më 1999 nga forcat pushtuese serbe, i kisha të ruajtura në fletoren e shënimeve të lëndës përkatëse, nga vitet e mia të studimit.
Sipas mendimit të respektuar të prof. mr. Besim Penit,i cili ishte edhe vet nga Gjakova, Ahmet Korenica, duhet të ketë ardhur në jetë, rreth vitit 1830 në një familje të kamur në Gjakovë.
Heroi mësimet e para i mori në vendlindje, ato të mesme në Prizren kurse studimet për gjyqtar (kadi), në Stamboll ku dhe u njoh e miqësua edhe me vëllezërit Frashëri.
Gjatë kohës sa studiojë atje, ky atdhetar me nam, u bë mik për kokë dhe pothuajse i pandarë deri në vdekje, veçanërisht me Abdyl Frashërin, të cilin e kishte edhe mysafir familjar, jo vetëm njëherë në Gjakovë.
Kurse pas mbarimit me sukses të studimeve për drejtësi Ahmet Korenica do të punonte gjykatës (kadi) në Selanik dhe Manastir, duke mos-ndërprerë lidhjet asnjëherë me vëllezërit Frashëri dhe patriotët e kombit që vepronin në Stamboll.
Përpos shoqërisë personale, Ahmet Korenicën dhe Abdyl Frashërin, më tepër se çdo gjë tjetër, i mbante bashkë dhe përjetshëm të pandarë, ideali për liri e çlirim të atdheut si dhe çështja e pazgjidhur shqiptare, për të cilën ata dhanë çdo gjë nga vetja, duke udhëhequr luftëra e kuvende kombëtare dhe kaluar vite të gjata, përfshi edhe ato të fundit të jetës së tyre, të internuar në kazamatet turke.
Atëbotë, përderisa shqiptarët shtypeshin në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme, të huajve në vendin tonë, u lejohej nga turqit, të hapnin shkolla dhe mësonin në gjuhën e vet amtare.
Ndërsa përveç trysnisë së papërshkruar ndaj popullit tonë, Perandoria pushtuese turke kishte aprovuar me ligje shtetërore ndalimin e rreptë të çdo gjëje kombëtare, përfshi deklarimin e përkatësisë etnike, ndalimin e gjuhës si dhe të shkollave në gjuhën shqipe.
Kështu që, sot secili shqiptar mund ta marr me mend, se sa keq realisht, duhet të jenë ndjerë në ato kohë të vështira, shqiptarët e vuajtur nga padrejtësitë otomane, burrat më të mëdhenj të kombit tonë si Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Ahmet Korenica e shumë intelektual të tjerë të shquar bashkëkombës të cilët kishin përfunduar shkollime të mëdha, por qysh në ditët e para të ABC-s, ata ishin detyruar që megjithëse në vend të tyre, të mësonin në gjuhë të huaja, përderisa të huajt në vendin tonë shkolloheshin në gjuhët e veta amtare.
Kështu që edhe mbi katër shekuj pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe ripushtimit të Shqipërisë nga turqit, çdo gjë mbetej e ndaluar vetëm për shqiptarët, për dallim nga të gjithë popujt e tjerë nën sundimin otoman.
Madje vet shkrimtari i mirënjohur dhe më i shquar shqiptar, me famë të madhe botërore Ismail Kadare, na sjellë dëshmi rrëqethëse dhe fakte tepër trishtuese, për ndalimin mbi pesë shekullor të gjuhës dhe shkollave shqipe në gjithë Shqipërinë etnike nga turqit, i bazuar edhe në botime historike nga autor francez, si Serge Metais, në njërën prej të cilave thuhet:
"Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim.
Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris.
Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!
****************************************************************************************
Dhe historia s‘mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet!
Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar. Por rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori."
Gjendja nën pushtimin turko-aziatik, ishte bërë aq e padurueshme, sa që kryetrimat e vendit dhe shumica e patriotëve kombëtarë të kohës,u bën prijatarët e parë të kryengritjeve, si dhe u vunë vetë në ballë të luftërave për liri dhe çlirim të vendit nga otomanët.
Deri në vitet e fundit të okupimit turk, shqiptarët nuk guxuan asnjëherë të hapnin shkolla në gjuhën e tyre, të krijonin alfabetin e vet kombëtar, të tregonin kombësinë as të deklaroheshin se ishin shqiptar.
Otomanët kishin shkuar aq larg, sa që me qëllim të shuarjes së përgjithshme të popullit arbëror, vetëm kombin tonë e kishin ndarë edhe në disa përkatësi e emërtime, si dhe privuar nga të gjitha të drejtat kombëtare e njerëzore.
Shqiptarët ishin i vetmi popull në gjithë perandorinë otomane, të cilëve me forcë i `u veshën tri identitete fantome, që nuk ishin identitete etnike, por vetëm përkatësi fetare, të imponuara përdhunshëm nga qarqe të huaja dominuese dhe pushtuesit shekullor turko-aziatik, jo gjithmonë të pranuara me vullnetin e tyre, e as të zgjedhura me vetdëshirë nga ta.
P.sh. shqiptarët mysliman e kishin rreptësishtë të ndaluar, ta quanin veten shqiptar, atyre jo vetëm se ua mohonte pushtuesi me forcë kombësinë, por edhe i shënonte në defterët zyrtar, pa i pyetur fare,- si "turq", katolikët shqiptar si “kaurr” a latin, ndërsa ortodoksët shqiptar si grek, serb etj.
Kundërshtimi i robërisë
Padrejtësitë e pashembullta ndaj shqiptarëve, detyruan pikërisht heronjtë e kombit, si Ahmet Korenica, që ndër të parët, ata të merrnin pozicionin më të fortë anti-osman.
Shkak u bë vet Perandoria pushtuese turke, me qëndrimin e saj, skajshmërishtë anti-shqiptar, e cila përderisa të gjithë popujve të tjerë u njihte numër të madh të drejtash etnike, përjashtim bënte vetëm me shqiptarët, duke u ndaluar veçanërisht atyre, çdo të drejtë, gjatë gjithë sundimit të saj, që nga mohimi i origjinës, emrit, shkollimit në gjuhën amtare e deri te ndalimi i deklarimit të përkatësisë kombëtare.
Madje edhe në kohën kur në hapësirat tona kombëtare shtoheshin pa reshtur shkollat në gjuhë të huaja, si ato greke dhe sllave e përveç tyre, nisën të mbinin si kërpudhat pas shiut edhe shkolla të ashtuquajtura fetare, të cilat më tepër ishin politike sesa që kishin të bënin me besime e fe, megjithëse shoqëria "Drita" e Bukureshtit në bashkëveprim me atdhetarët në Stamboll e Egjipt, dërgoi Pandeli Sotirin me 150 abetare të përgatitura nga Sami Frashëri, në misionin historik, për hapjen e shkollës së parë dhe të vetme laike, në gjuhën amtare shqipe, as ajo nuk u lejua të mbijetonte për kohë të gjatë.
Sado që pas shumë përpjekjesh e peripecish të panumërta dhe mbi 419 viteve të kaluara nga vdekja e Skënderbeut, më 7 mars të vitit 1887, përfundimisht arriti të hapej në Korçë shkolla e parë në gjuhën shqipe, akt ky që ngriti tërë qytetin në këmbë dhe u shndërrua në festë gjithëpopullore, vetëm pas pakë kohësh fillimisht vritet në Stamboll drejtori i saj Pandeli Sotiri e pastaj mbyllet edhe shkolla e vetme në gjuhën amtare, nga pushtuesit otoman dhe patrikana greke që dallohej për luftën e ashpër kundër gjuhës shqipe edhe në trojet shqiptare.
Pra përderisa në tokat tona për popujt e huaj lejohej të hapnin shkolla dhe mësonin në gjuhët e tyre amtare, për çudi, nga pushtuesit turq, ndalohej vetëm gjuha shqipe dhe shkollat në gjuhën tonë autoktone kombëtare.
Ato, mungonin në krejt Shqipërinë dhe në asnjë pjesë të trojeve tona etnike, nuk kishte libra, gazeta as alfabet kombëtar.
Edhe nëse botohej diçka në gjuhën shqipe, të gjitha dilnin në vende të huaja dhe larg Shqipërisë.
Megjithatë shqiptarët të mashtruar nga premtimet se përfundimisht edhe atyre do tu njiheshin të drejtat që u takonin si popull autokton, pranuan tu vinin në ndihmë Xhonturqve për rrëzimin e Sulltan Hamitit të II dhe ngjitjen e “turqve të rinj” (xhonturqve) në pushtet.
Vetëm Isa Buletini me bashkëpunëtor, më 20 korrik të vitit 1908, tuboi në Ferizaj mbi 30 mijë shqiptar protestues kundër absolutizmit të Sulltan Hamitit II, ndërsa mese 1200 prijës nga i gjithë Vilajeti i Kosovës, me nënshkrimin prej tyre të një ultimatumi për kryengritje, detyruan Sulltan Hamitin përfundimisht që të largohej nga udhëheqja e Perandorisë.
Por që nga marrja e pushtetit nga Xhonturqit, populli ynë do të kalonte tri vitet më të vështira në historinë përfundimtare të pushtimit otoman në Ballkan.
Qeveria e Xhonturqve, fillimisht u lejoi shqiptarëve që më 14 nëntor të vitit 1908, për herë të parë pas rreth pesëqind vitesh pushtimi otoman, të formonin alfabetin e gjuhës shqipe, nga intelektualët e zgjedhur të kombit në Kongresin e Alfabetit në Manastir, por jo edhe të përdorej lirshëm dhe shfrytëzohej pa pengesa, për kohë të gjatë.
Vetëm disa muaj më vonë, “turqit e rinj” nxitën imamët shqipfolës në qendrat kryesore të trojeve tona etnike, në protesta kundër alfabetit dhe shkollave në gjuhën shqipe, për ndalimin e të cilave xhonturqit përdorën edhe forcat ushtarake me në krye Xhavit Pashën duke bërë kërdi të paparë për mbylljen e tyre, kudo që shkruhej e mësohej në gjuhën amtare shqipe.
Turqia edhe në vitet e fundit të pushtimit të trojeve tona kombëtare, jo vetëm se ndante shqiptarët në mysliman e të krishterë, por edhe vet sulltanët otoman përdorën me sukses kundër tyre politikën e njohur okupuese; "Divide et Impera", “Përçaj e sundo“, e për pasojë, shqiptarët në vend se të bashkoheshin kundër armikut, ata përçaheshin dhe luftonin kundër njëri tjetrit.
Tmerret e robërisë otomane
Kishte mese pesë shekuj që kur pushtuesit turko-aziatik vazhdonin përndjekjen, terrorin dhe masakrimin e shqiptarëve, njëjtë si në kohën e luftimeve kundër Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Vetëm pas rrethimit të parë të Krujës, ku turqit pësuan disfatë, Sulltan Mehmeti II Fatihu, gjatë tërheqjes, me të arritur në qytetin e Çidhnës, afër Dibrës, rrethon mese 20.000 gra, pleq e fëmijë, ku ishin strehuar nga krahinat fushore,për t’u shpëtuar masakrave turko-aziatike, por me urdhër të këtij sulltani barbar, në shenj hakmarrjeje, nën thirrjet “Vdekje shqiptarëve!” dhe “Allahu Akbar!” u masakruan nga turqit, që të gjithë pa përjashtim duke humbur jetën vetëm në këtë qytet mbi 20.000 mijë gra, pleq e fëmijë të pafajshëm shqiptar.
Ndërsa kronistit bizantin i sulltan Mehmetit II-Fatihut, Kritobuli nga Imbrosi, i cili i vëzhgoi për së afërmi sulmet otomane, shkruan se: “Shqiptarët preferonin më mirë vdekjen, se sa të binin në duart e turqve, ndaj disa prej tyre, kur panë se ndiqeshin nga turqit, pasi nuk gjetën asnjë vend për t’u strehuar, u hodhën nga shkëmbinjtë, dhe ranë të vdekur në gurët e përrenjve”.
Kështu që, të dërmuar nga pushtimi i gjatë, terrorizimi dhe reprezaljet e pareshtura shumëshekullore të një Perandorie okupuese si ajo turke, e cila shqiptarëve përveç se nuk ua pranonte të drejtën për shtet autonom edhe brenda vet Perandorisë otomane, nuk ua njihte as kombësinë, ndalonte me ligj hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe përdorimin e gjuhës amtare , ata u detyruan që përfundimisht ti kapnin armët për shpëtimin e kombit dhe çlirimin përfundimtar të atdheut nga otomanët.
Janë të njohura sidomos kryengritjet kombëtare të viteve 1909,1910,1911, të cilat jo vetëm se u përhapen në gjithë Kosovën dhe Shqipërinë veriore, por ato acaruan aq shumë gjendjen politike në Perandorinë otomane, sa që më 12 Janar të vitit 1912,kur shumë fshatra e qytete tanimë ishin çliruar dhe rënë në duart e kryengritësve shqiptar, qeveria turke shpërndau parlamentin dhe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në trevat më kryengritëse shqiptare, siç ishte Kosova.
Madje, në mars të vitit 1912, vet ministri i brendshëm turk Haxhi Adil beu, u nis tu bënte një vizitë qyteteve kryesore të Kosovës me tendencën për ti frikësuar shqiptarët që të mos e kundërshtonin robërinë dhe vijonin edhe më tej, ti nënshtroheshin në heshtje Perandorisë pushtuese otomane, por gjatë gjithë rrugëtimit, konvoj i tij, u përcoll me luftime ngado që ai shkonte.
E se, në ç’ mënyrë, kryengritësit kombëtar edhe në muajt e fundit të pushtimit otoman mbi trojet tona, mund të arrinin të hapnin ndonjë shkollë shqipe në vendlindjen e tyre, e sqaron më së miri rasti i heroit Bajram Daklani, i cili në kohën kur ministri i brendshëm turk, megjithëse udhëtonte nën mbrojtjen e rreptë të trupave të shumta perandorake, gjatë përpjekjeve të tij, që të shpërthente rrethimin dhe ikte në drejtim të Prizrenit, ai bashkë me Zeqir Halilin e Krasniqes dhe bashkëluftëtarët e tyre liridashës, me të arritur te Ura e Fshejtë mbi lumin Drini i Bardhë, sipas Dr. Masar Rizvanollit, ia ndërprenë rrugën Haxhi Adil beut dhe detyruan me forcë ministrin e brendshëm turk, që aty për aty, të nënshkruante vendimin (fermanin) për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në Gjakovë.
(Dr. Masar Rizvanolli “Zhvillimi i arsimit shqip në Gjakovë deri më 1918” gjakovapress 6 mars 2014)
Marrëveshjet e turpshme të Turqisë me Serbinë dhe Greqinë
Duke pasur parasysh trysnin e madhe mbi shqiptarët dhe ndalimin e rreptë të çdo gjëje kombëtare për ta, nga pushtuesit otoman, që për plan afatgjatë kishin asimilimin dhe shuarjen e tërësishme të popullit shqiptar, gjë që otomanët nuk e bënin me asnjë nga popujt e tjerë nën sundimin e perandorak, patriotët e njëmendtë të kombit, si dhe kryengritësit dhe heronjtë e vërtetë të vendit tonë, përfundimisht vendosën ti kapnin armët për liri dhe të drejtat e popullit të tyre.
E njëri prej prijësve popullor të asaj kohe që me mish e me shpirt, u përpoq të çonte çështjen shqiptare përpara dhe ndihmonte çlirimin e tokave të atdheut, padyshim ishte heroi Ahmet Korenica.
Megjithatë habit fakti se si edhe sot e kësaj dite, emri i tij ende mbetet i harruar prej historisë dhe historianëve të vendit.
Sado që Ahmet Korenica ishte njëri nga njerëzit më të pasur të kohës në Gjakovë dhe rrethinë, ai preokupim parësor gjithmonë pati çështjen kombëtare dhe u dëshmua ndër luftëtarët më të vendosur antiosman e kundërshtar i përbetuar i pushtuesve shekullor turq, kundër të cilëve luftoi pa ekuivokë deri në momentet e fundit të jetës së tij.
Përkundër të gjithave sa bënë atdhetarët si ai, fatkeqësisht edhe sot dikush mundohet me qëllim që ti diskreditojë, jo vetëm heronjtë më të devotshëm të kombit dhe luftën e tyre për çlirim, por edhe vet Lidhjen Kombëtare Shqiptare të Prizrenit, duke e shpifur edhe atë kinse si produkt të Sulltanit dhe "dëshirë" të Perandorisë pushtuese turko-otomane.
Ndaj, në këtë pikë që shkon përtej imagjinatës së shëndoshë të njeriut dhe ka për qëllim, dëmtimin e drejtpërdrejtë të pastërtisë së patriotizmit të heronjve dhe çështjes sonë kombëtare, nuk ka asnjë hapësirë për kompromis me askënd dhe cilindo prej dashakëqijve e matrapazëve manipulues turkofil.
Atyre duhet kujtuar qartë kufijtë dhe treguar përfundimisht vendin, për faktin e dëshmuar se luftëtarët e parë të Lidhjes u vranë duke luftuar pikërisht kundër ushtrisë pushtuese të vet Sulltanit dhe Perandorisë turko-otomane.
Madje edhe përballja me ta nuk ishte e shkurtër as e përkohshme, por e gjatë dhe shumë e mundimshme, e cili nisi me beteja të përgjakshme, qysh në përpjekjet fillestare për mbrojtjen e Tivarit, Ulqinit, Kelmendit, Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Lëkurësit në Jug etj.
Po kjo perandori, asnjëherë nuk kurseu dhunën ushtarake kundër shqiptarëve, për t`ua dorëzuar me forcë tokat tona shteteve hegjemoniste fqinje, si Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë.
Për aq më keq, marrëveshjet e turpshme të Turqisë me Serbinë dhe Greqinë për deportimin e shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone në Turqi, nuk janë anuluar asnjëherë, madje ato edhe sot e kësaj dite, ende mbahen në fuqi, nga të tri këto shtete me armiqësi të pashuar ndaj popullit dhe kombit tonë të martirizuar.
Megjithëse në Turqi sot jetojnë rreth 8 milion shqiptar, apo shumë më tepër se sa në vet trojet tona etnike në Evropën Juglindore, përkundër të gjitha normave ndërkombëtare, ata ende nuk gëzojnë asnjë të drejtë nacionale e gjuhësore, nuk kanë asnjë shkollë të vetme në gjuhën shqipe dhe detyrohen të shkruhen zyrtarisht vetëm me emra e mbiemra të turqizuar, si dhe nuk guxojnë kurrë në mënyrë të lirshme, ta quajnë veten shqiptar.
Në anën tjetër, jo vetëm perandoria e dikurshme pushtuese otomane, por edhe vet shteti i sotëm turk shkon aq larg, sa që përveç turrit cinik, për të shfuqizuar dhe zbritur nga piedestali historik, heronjtë më të mëdhenj të vendit, si dhe figurat tona më të shquara dhe më të ndritshme kombëtare, ka aktivizuar dhe forcuar përpjekjet deri në agresivitet, për të turqizuar sa më shumë shqiptar, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, e veçanërisht në Iliridë, ku nën ndikimin permanent të imamëve ekstrem turkofil, sot shqiptarët e atjeshëm pothuajse nuk ndjehen më shqiptar dhe gati kanë harruar tërësisht kombësinë e tyre.
Shtypja dhe pazaret e pareshtura me trojet tona etnike si dhe diskriminimi i pashembullt turk kundër kombit tonë,më 1878 detyroi përfundimisht intelektualët dhe patriotët shqiptarë, që të krijonin Lidhjen Kombëtare të Prizrenit, lufta e armatosur e të cilës, zgjati për tri vjet me radhë, kundër Perandorisë pushtuese otomane.
Ishte koha kur nga beteja heroike në Grykën e Kaçanikut kundër pushtuesve turko aziatik, lindi kënga:
-Morën zjarr tanë gurtë e malit
-Përmbi çallmat e Anadollit
-Ndizet Huta e Shqiptarit
Për shuarjen e Lidhjes dhe rezistencës kombëtare të shqiptarëve, përveç përballjeve të rrepta dhe suljeve të pareshtura me zjarr e hekur nga ky pushtues aziatik, siç e dëshmojnë edhe këto vargje trishtuese, përveç armëve më moderne të kohës, kundër shqiptarëve u përdorën edhe kërcënimet më makabre si ato të gjeneralit gjakatar osman, Dervish Pasha, gjatë betejave të përgjakshme në Carralevë, Slivovë e Koshare, pranë Ferizajt, pjesë e të cilave, përveç Sylejman Vokshit,Idriz Seferit, Haxhi Zekës, Ali Ibrës, Mic Sokolit,Sef Koshares etj, ishte edhe heroi Ahmet Korenica.
-Dervish pasha vesh n`shallvare
-Po i qet topat mbi Koshare
**************************
-Do tu djegi me gra e fëmijë
-Se nuk po doni ju osmanli...!
Kjo pra ishte dashuria e zjarrtë, që sidomos pas krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, preferohej gjithnjë e më shpesh,të praktikohej kundër popullit tonë në vatrat e veta autoktone, nga “vëllezërit” e shpifur turko- aziatik.
Kadiu i Parë nga Gjakova
Heroi Ahmet Korenica, si një nga personalitet më me renome, i ngritur e inteligjent dhe njëri nga kuadrot më të mirë-arsimuar të atyre viteve, ishte kadiu i parë i Gjakovës dhe emrua gjyqtar në qytetet më me rëndësi të trevave evropiane të Rumelisë nën sundimin e atëhershëm të Perandorisë otomane, si në Selanik dhe Manastir.
Por pa kaluar shumë kohë, shpërtheu lufta ruso-turke, e cila edhe pse shkaktar të shpërthimit të saj, nuk ishin shqiptarët, megjithatë asnjë popull tjetër në Ballkan, nuk rrezikohej më tepër se sa vet ata dhe trojet e tyre etnike, gllabërimi i të cilave, asnjëherë nuk pati të ndalur.
Luftë që solli para sprovës më të rëndë përpjekjet për të qenë apo jo, të të gjithë kombit tonë, dhe vuri në pikëpyetjen më të madhe të deriatëhershme historike, ekzistencën e tërësishme të popullit shqiptar në tokat e tyre stërgjyshore.
Kjo nxiti edhe më tepër veprimtarinë e ngjeshur dhe të përbashkët atdhetare të Ahmet Korenicës e Abdyl Frashërit si dhe të gjithë patriotëve të Shqipërisë etnike, për daljen zot tokave të atdheut dhe shpëtimin e trojeve shqiptare nga copëtimi dhe pushtimi barbar, prej shteteve hegjemoniste fqinje.
Tragjedia më e madhe për shqiptarët, nisi menjëherë pas nënshkrimit, më 3 mars të vitit 1878, të "Traktat të Paqes" ndërmjet Rusisë dhe Perandorisë turke, në vendin e quajtur Shën Stefan.
Vetëm një muaj pas hyrjes në fuqi, të këtij traktati dhe të të ashtuquajturës "Paqja e Shën Stefanit", për shqiptarët, para se paqe, ajo u shndërrua në luftë, fillim shpërnguljesh e masakrash nga më të tmerrshmet dhe golgotës së pandërprerë e të pa fundpër ne , deri në vitin 1912,kur pas luftërash e përpjekjesh të mundimshme shumëvjeçare , përfundimisht shqiptarët arritën që më 28 nëntor të atij viti, ta shpallnin Pavarësinë e Shqipërisë etnike.
Megjithëse Perandorisë Ruse, për shkak të kundërshtimeve të forta të Fuqive tjera të Mëdha, përveç Besarabisë dhe disa krahinave në Jug të Kaukazit, nuk i`u lejua të pushtonte territore edhe në Ballkan, sipas marrëveshjes së Traktatit të Shën-Stefanit, Perandorisë Osmane i merreshin mese 80% e hapësirave që ajo kishte mbajtur deri atëherë nën pushtim, në Gadishullin Ballkanik shumica e të cilave ishin shqiptare, dhe në bazë të pazareve ruso-turke, tani ato kalonin nën pushtimin e vendeve sllave, të afërta me Rusinë.
Megjithëse Perandorisë Ruse, për shkak të kundërshtimeve të forta të Fuqive tjera të Mëdha, përveç Besarabisë dhe disa krahinave në Jug të Kaukazit, nuk i`u lejua të pushtonte territore edhe në Ballkan, sipas marrëveshjes së Traktatit të Shën-Stefanit, Perandorisë Osmane i merreshin mese 80% e hapësirave që ajo kishte mbajtur deri atëherë nën pushtim, në Gadishullin Ballkanik shumica e të cilave ishin shqiptare, dhe në bazë të pazareve ruso-turke, tani ato kalonin nën pushtimin e vendeve sllave, të afërta me Rusinë.
Kështu që, për të copëtuar sa më lehtë dhe futur nën domenin e vet tokat tona etnike, Rusia fillimisht krijoi satelitët e saj sllav, si Bullgarinë, Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat jo vetëm se, nga ish principata autonome nën Perandorinë otomane, u shndërruan në shtete të pavarura, por edhe u rritën e zgjeruan, për disa herë më tepër, në dëm të tokave shqiptare në Ballkan.
Për aq më keq, përveç pushtimit sllav të shumicës së trojeve tona kombëtare, Traktati i Shën-Stefanit, Shqipërinë nuk e njihte as si hapësirë gjeografike ,ndërsa Perandoria turke nuk i pranonte shqiptarët si komb, fakte që lanë të kuptohej qartë se si për Rusinë ashtu edhe për Perandorinë turke, Shqipëria dhe shqiptarët, praktikisht nuk ekzistonin më, si subjekt trajtimi politik, as në të ardhmen, qoftë në konferenca apo kongreset tjera ndërkombëtare.
Ndaj me Traktatin e Shën-Stefanit dhe marrëveshjen ruso-turke, pa pyetur fare shqiptarët, gati gjysma e tokave të tyre, do tu faleshin shteteve hegjemoniste sllave dhe bashkë me banorët autokton shqiptar edhe trojet tona kombëtare do të ndaheshin e copëtoheshin në mënyrën më cinike të mundshme dhe në këto përpjesëtime trishtuese:
1.Bullgaria, përveç krahinave shqiptare të Kaçanikut, Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Dibrës, Strugës, Poradecit, Korçës e Bilishtit do të zgjatej e zgjerohej deri në malet e Voskopojës.
2.Serbia e cila ishte paraparë të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, përveçse kishte okupuar sanxhakun e Nishit, Pirotin, Vranjën, Leskovcin dhe arritur deri në Gjilan, ajo me ndihmën e Rusisë, do të aneksonte me forcë edhe viset veriore dhe verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës.
Të gjitha këto treva,që nga fillimi deri në mbarim, ishin tërësisht të banuara me popullsi shqiptare, të cilat Serbia me masakra të papara, vrasje, tortura dhe djegie masive, i kishte spastruar krejtësisht nga shqiptarët, duke i detyruar ata t`i braktisnin vatrat e veta dhe të deportoheshin me dhunë në vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit.
3.Mali i Zi, do të përfshinte brenda kufijve aq shumë toka shqiptare duke nisur nga krahina e Tivarit, Ulqinit, Krajës, Anamalit, Hotit, Grudës, Tuzit, Kelmendit, Plavës, Gucisë, dhe vet Rugovës së Pejës, sa që do ta rriste sipërfaqen e tij, për më tepër se tri herë dhe nga 4700 km² sa ishte ai vet, me okupimin e këtyre tokave shqiptare, arriti në 15.700 km².
Pjesa tjetër e Shqipërisë, sipas marrëveshjes, për momentin, vijonte të mbetej nën sundimin e Perandorisë Otomane.
Me këto copëtime Perandoria turke dhe ajo ruse, e gjymtuan aq rëndë kombin tonë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë etnike, sa që pothuajse e bënë të pamundur luftën dhe përpjekjet e popullit shqiptar, për çlirim dhe krijimin e shtetit të tyre kombëtar.
Ndaj të mbetur krejtësisht të vetmuar, para dy perandorive më të fuqishme të kohës të cilat atdheun e shqiptarëve e kishin dënuar me vdekje, intelektualët dhe prijësit më të shquar të popullit tonë u detyruan që qysh më 13 dhjetor të vitit 1877, të formonin "Komitetin e Stambollit" dhe në krahinat që të parat kërcënoheshin nga pushtimi serb e malazez, fillimisht të krijonin "Besëlidhjet" vendore dhe mobilizonin bashkëkombësit në luftë me thirrje kushtrimi për mbrojtjen e trojeve të veta me pushkë në dorë nga pushtimi prej shteteve hegjemoniste fqinje.
Kështu që fillimisht, më 13 dhjetor të vitit 1877 formohet Komiteti i Stambollit
Të detyruar nga gjendja e rëndë që mbretëronte në trojet tona etnike, më 13 dhjetor të vitit 1877, u krijua Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare në Stamboll, apo "Komiteti i Stambollit" që udhëhiqej nga Abdyl Frashëri, ndërsa njëri nga anëtarët më të devotshëm,i cili që nga ditët e para të themelimit iu bashkua këtij komiteti, ishte edhe heroi Ahmet Korenica.
Komiteti i Stambollit në kohën e "Krizës lindore" përbëhej prej plejadës së intelektualëve më të shquar të kombit nga të gjitha trevat e atdheut tonë të përbashkët, si;Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sami Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Ahmet Korenica, Zija Prishtina,Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj.
Të gjithë këta ideolog dhe patrioti të shquar e të mirënjohur shqiptar, duke parë me sy të vet, pushtimin e përditshëm të tokave të tyre nga shtetet hegjemoniste fqinje, më kot kërkuan pareshtur nga Porta e Lartë që tu jepte leje për forminin e një organizate kombëtare e cila do tu dilte zot dhe mbronte trojet e veta nga pushtuesit sllav dhe grek.
Shqetësimi i madh për rritjen dhe zgjerimin e shpejt të ndikimit rus në Gadishullin Ballkanik, bëri që "Traktati i Shën Stefanit" të mos pranohej për kohë të gjatë, veçanërisht nga Anglia dhe Austro-Hungaria, ndaj me këmbënguljen e tyre, u vendos që ky Traktat të rishikohej në kongresin e Fuqive të Mëdha, i cili do të mbahej nga 13 qershor deri më 13 korrik të vitit 1878, në Berlin të Gjermanisë.
Kurse para rrezikut që u kërcënohej tokave shqiptare me copëtim të përgjithshëm, aso kohe, siç u cek edhe më lart Komiteti i Stambollit,kishte kërkuar leje zyrtare nga Perandoria Osmane, për formimin e një Lidhje të veçantë Shqiptare e cila do të mbronte me pushkë trojet e veta nga pushtimet e shteteve hegjemoniste fqinje, por kërkesa e tyre nuk ishte pranuar.
Madje, përkundër krejt tragjedive sa ndodhnin me tokat tona etnike, kërkesa e shqiptarëve jo vetëm se nuk u pranua, por ajo ndeshi në kundërshtim aq të rreptë të Portës së Lartë, sa që osmanët ndaluan çdo lëvizje kombëtare.
Otomanët urdhëronin shqiptarët që të protestonin jo për vendin e tyre dhe idealin e lirisë e të çlirimit të trojeve të veta kombëtare, por për interesat otomane dhe vetëm si "turko"-myslimanë, të cilët-kinse as "nuk dëshironin" të ndaheshin nga Perandoria turko-aziatike.
Dhe siç u dëshmua vetëm pak kohë më vonë, Sulltani me të dëgjuar se shqiptarët po përgatiteshin të formonin një mekanizëm mbrojtës gjithëkombëtar, për të ndaluar formimin e Lidhjes Kombëtare të Shqiptarëve, në fund të muajit-Maj të vitit 1878, dhe vetëm disa ditë para mbajtjes së Kongresit të Berlinit,ftoi në Stamboll personalitetet më të dëgjuara të jetës politike dhe shoqërore shqiptare kinse për konsultim.
Ai përzgjodhi emrat më të shquar të cilët njiheshin si kundërshtarët më të mëdhenj të Perandorisë turke që nga koha e Tanzimatit e këtej, si: Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Iljaz pashë Dibrën, Ali pashë Gucinë, Abdyl Frashërin, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon e tjerë, dhe për disa ditë me radhë ushtroi trysni të pa parë mbi ta, për ti frikësuar që të mos ndërmerrnin çfarëdo akti në drejtim të ringjalljes kombëtare dhe detyruar ata që edhe nëse formohej çfarëdo Lidhje Shqiptare, asaj ti jepnin karakter të organizatës islamiste.
Por kur krerët shqiptarë refuzuan kushtin e Perandorisë otomane,sulltani u mundua që ti mbante ata me forcë në Stamboll, për të penguar arritjen e tyre me kohë në Prizren, organizimin e Kuvendit dhe themelimin e Lidhjes Kombëtare Shqiptare të Prizrenit, para Kongresit të Berlinit.
Kthimi i trimave në atdhe pa lejen e otomanëve
Megjithëse kongresi i Berlinit po ofronte dhe Sulltani turk,ende nuk i lejonte trimat e kombit që të ktheheshin në Dardani, duke parë se ai po e zvarriste me qëllim kthimin e këtyre patriotëve me kohë në atdhe, ata vendosën që pa miratimin e Perandorisë as lejen e Sulltani dhe organeve qeveritare otomane të ktheheshin në Kosovë.
Kështu që paria e forcave të shëndosha kombëtare, në elitën e të cilave, përveç Ymer Prizrenit e Sylejman Vokshit bënte pjesë edhe heroi Ahmet Korenica nga Gjakova, në mbrëmjen 9 qershorit 1878, arritën në Prizren ku vendosën që qysh ditën e nesërme të mbanin kuvendin dhe formonin Lidhjen Kombëtare të Prizrenit, në mënyrë që ajo ti përpilonte dhe dërgonte me kohë kërkesat kryesore dhe vërejtjet e domosdoshme shqiptare Kongresit të Berlinit.
Ndërsa si vendi më i përshtatshëm për themelimin e kësaj Lidhjeje u zgjodh pikërisht qyteti i Prizrenit, qendra më me rëndësi social-ekonomike e kohës në truallin Dardan dhe një nga vendbanimet më të mëdha të Shqipërisë etnike,ku sipas statistikave të vet pushtuesve otoman, të viteve 1908-1909, në Prizren jetonin 64569 shqiptar dhe asnjë turk, siç dëshmohet edhe nga tabela e kohës!
E pasi që Prizreni nuk kishte turq dhe ishte një nga vendbanimet më me rëndësi urbane të kohës , i cili ndodhej edhe në epiqendër të trojeve tona etnike ku parashihej të përgatitej kryengritja e përgjithshme kombëtare, me plot arsye, u vendos që pikërisht aty, të themelohej Organizata e parë Politike dhe Ushtarake e shqiptarëve, pas vdekjes së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
Kështu që më 10 qershor të vitit 1878, përfundimisht u të formuan kjo organizatë e ndritshme gjithëkombëtare, ndërsa njëri prej anëtarëve kryesor të kuvendit të saj, ishte heroi Ahmet Korenica.
Udhëheqësit kryesor të saj, Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Abdyl Frashëri, Ahmet Koronica, Iljaz pashë Dibra etj, kishin paraparë që po në këtë qendër dhe qytet historik të të gjithë kombit, të shpërthente edhe lufta e armatosur e shqiptarëve, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit nga shtetet hegjemoniste fqinje, si dhe çlirimin e atdheut, nga Perandoria pushtuese turko-osmane.
Ato ditë të fillim qershorit të vitit 1878,në mesin e mese 110 delegatëve, dalloheshin sidomos figurat e shquara, të njohur prej kohësh, jo vetëm për kryengritjet anti-osmane por edhe për luftimet heroike kundër ushtrive pushtuese të vendeve hegjemoniste fqinje ballkanike, të cilat që nga vitit 1875-76, kishin filluar me okupimet e pjesshme të tokave shqiptare.
Ndër emrat kryesor që dhanë çdo gjë nga vetja, për organizimin e Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes së Prizrenit, ishin: Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizativ i Kuvendit), Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Ahmet Koronica, Ali Ibra (Neza), Ali Gucia, Iljaz Dibra, Hasan Tetova, Abdullah Dreni, Shaban Prizreni, Zija Prishtina, Jashar Shkupi, Shaban Peja, Filip Doda, Shuajip Spahiu etj.
Gjatë punimeve të Kuvendit, qyteti i Prizrenit ngjasonte më tepër në festë kombëtare, ku përveç banorëve të përhershëm, binin në sy sidomos qindra mysafirë të armatosur, të veshur me koloritet nga më të ndryshmet dhe rrobat e të gjitha krahinave të Shqipërisë etnike me delegatët që përfaqësoheshin në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit.
Ndërhyrjet brutale të sulltanistëve dhe "ylemave" në Kuvend
Që nga fillimi i punimeve të Kuvendit, dominonte tendenca arrogante e krahut sulltanist, ylemave turkofil, funksionarëve turq si dhe mytesarifit të Prizrenit, otomanit Qamil Beu, që me ndërhyrjet e tyre brutale, në kryesinë e degëve të Lidhjes të fusnin edhe mish dhie, me njerëz si Abdullah pashë Dreni, të cilin gjithsesi arritën ta impononin si kryesues të degës së Lidhjes për Gjakovë.
Por përkundër gjithë agresivitetit të sulltanistëve, ylemave pro-turq dhe funksionarëve otoman që si delegat të caktonin jo vetëm pashallarë e bejlerë turkofil vendor, por edhe feudal sllav dhe sulltanistë nga Bosnja e Hercegovina, në mënyrë që Lidhjes së Prizrenit, ti jepnin sa më shumë karakter islamik, t`ia ulnin imazhin patriotik e rrëzonin vlerën kombëtare si dhe t`ua nënshtronin atë tërësisht interesave turko-otomane të Stambollit, me ndihmën e burrave si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Ahmet Koronica, Ali Ibra etj, Kuvendi arriti që më 10 qershor të vitit 1878, të themelonte një Lidhje Shqiptare me karakter plotësisht kombëtar.
Fjalimet e Ymer Prizrenit dhe Abdyl Frashërit si dhe këmbënguljet e Sylejman Vokshit,Ahmet Koronicës, Ali Ibrës etj, jo vetëm se ishin bindëse për shumicën e delegatëve gjatë gjithë zhvillimit të punimeve të Kuvendit, por edhe mbrojtën me vendosmëri platformën atdhetare të Lëvizjes Kombëtare, duke u dhënë goditjen përfundimtare përpjekjeve të Stambollit dhe turkoshakëve vendor, për ta veshur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit me karakter islamik.
Ndaj, pasi që krerët e Lidhjes, fillimisht lidhën Besën në Kuvend për shuarjen e të gjitha gjaqeve, ngatërresave dhe hakmarrjeve ndërmjet shqiptarëve, në emër të saj, si organizatë me karakter politik e ushtarak për Shqipërinë etnike, i nisën menjëherë Kongresit të Berlinit, kërkesat që do t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha më 13 qershor të vitit 1878,duke kundërshtuar fuqishëm copëtimin e trojeve kombëtare, si dhe bërë me dije Kongresit, krijimin e një pushteti autokton shqiptar dhe të veçantë nga ai i Portës së Lartë për përfaqësimin diplomatik dhe mbrojtjen ushtarake të Shqipërisë edhe me armë.
Në letër, shprehej qartë gatishmëria e popullit shqiptar, për ruajtjen edhe me gjak të tërësisë tokësore të Shqipërisë etnike dhe mbarë atdheut nga rreziku i ndarjes dhe asgjësimit, ndërsa siç dëshmon edhe historia jonë, vetëm Lidhja ishte ajo që do të përfaqësonte drejtë e si duhet interesat e popullit shqiptar dhe luftoi me vetëmohim të pashembullt deri në shuarje, për mbrojtjen e tokave tona kombëtare.
Pas përfundimit të punimeve të Kuvendit të Lidhjes, Sylejman Vokshi, Ahmet Koronica, Ali Ibra etj, u kthyen menjëherë në Gjakovë dhe megjithëse kryetar për këtë qendër, nga sulltanistët ishte imponuar Abdullah pashë Dreni, një ish oficer i ushtrisë otomane nga po ky qytet, Degën e parë të Lidhjes Shqiptare, e formuan, ngritën dhe zgjeruan ata, e cila përveç Gjakovës përfshinte edhe trevat e Hasit, Rekës, Bytyqit, Gashit, Krasniqes,etj.
Megjithatë,përkundër aktivitetit të pareshtur në terren dhe të gjitha vërejtjeve dhe kundërshtimeve të dërguara nga Lidhja e Prizrenit-Kongresit të Berlinit, fatkeqësisht pas pazareve të dakroduara ndërmjet Rusisë dhe Perandorisë otomane, pa pyetur fare shqiptarët, Kongresi i Berlinit, kishte marrë vendim që përveç Ulqinit dhe Kelmendit edhe Plava e Gucia si dhe Hoti e Gruda, ti dhuroheshin Malit të Zi.
Ndërsa kryetar të komisionit për dorëzimin e këtyre trojeve shqiptare Malit të Zi, Perandoria turke kishte caktuar, pikërisht mareshalin otoman Mehmet Ali pashë Maxharin, i cili më 25 gusht të vitit 1878, nga Stambolli fillimisht qëndroi në Prizren, ku në biseda me krerët e Lidhjes, kishte insistuar me këmbëngulje që ata të pranonin kërkesat e Sulltanit për dorëzimin e Plavës e të Gucisë si dhe të Hotit e Grudës, Malit të Zi, gjë që ishte refuzuar me vendosmëri nga shqiptarët.
Ndaj më 26 gushtë, ai pas Këshillit Kryesor të Lidhjes, kishte ftuar në një tubim të veçantë edhe parinë e vendit, me shpresë se paria do ti pranonin pazaret e Portës së Lartë otomane me Rusinë, për faljen e trojeve të lartcekura shqiptare, shtetit xhuxh të Malit të Zi, duke u arsyetuar para tyre, se çdo veprim i kundërt, i bënte dëm Perandorisë, sikur shqiptarët të mos kishin asnjë brengë tjetër, përveç asaj se ç`do të ndodhte me të sëmurën e Bosforit, siç do quhej, para shkapërderdhjes Perandoria pushtuese anadollake.
Por edhe përkundër kundërshtimit të ashpër të Krerëve të Lidhjes dhe parisë së shqiptarëve në Prizren, mareshali otoman Mehmet Ali pashë Maxhari vendosi të shkonte në Gjakovë, që të provonte për të "shkelur" Degën e atjeshme të Lidhjes, në rrugëtimin e tij drejt kufirit me Malin e Zi, ku kishte planifikuar t`ua dorëzonte udhëheqësve malazez Plavën dhe Gucinë, e pastaj të shkonte edhe në Podgoricë, për t`ia bërë "për-hajrë" tokat shqiptare knjaz Nikollës, duke harruar tërësisht se gjithë këto hesape, mareshali otoman i kishte bërë pa hanxhiun, siç edhe do të dëshmohej vetëm pak ditë më vonë.
Mobilizimi i shqiptarëve për luftë me forcat e mareshalit otoman
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e udhëhequr nga burrat si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi ,Ahmet Korenica etj, siç dihet edhe historikisht, ishte organizata e parë kombëtare, që përgatiti projektin më serioz dhe më të kompletuar politik e ushtarak për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë etnike edhe me luftë të armatosur, e cila përfaqësoi drejtë e si duhet interesat e popullit shqiptar dhe luftoi deri në shuarje, me vetëmohim të pashembullt, për mbrojtjen e të gjitha tokave tona kombëtare.
Megjithatë, Mehmet Ali pashë maxhari, i cili si përfaqësues i sulltanit, kishte ardhur ta bënte edhe me forcë dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë, Malit të Zi, as që kishte dashur të dëgjonte për kundërshtimin e vendosur të këtij plani, nga Krerët e Lidhjes së Prizrenit.
Madje përkundër paralajmërimeve të tyre, se nëse mareshali otomam nuk hiqte dorë nga çmenduria e tij, do të shpërthenin luftimet ndërmjet forcave të Lidhjes dhe ushtarëve otoman, ai më 31 gusht të vitit 1878, nga Prizreni kishte shkuar në Gjakovë dhe fortifikuar në sarajet e Abdullah Drenit.
Abdullah Dreni oficer i ushtrisë otomane dhe mik i Maxhar pashës
Deri vonë, Abdullah pashë Dreni, ishte edhe vet oficer i ushtrisë otomane dhe kishte luftuar bashkë me Mehmet Ali pashë Maxharin në Plevne të Bullgarisë ku ushtria otomane megjithëse qe thyer keq dhe humbi betejën nga forcat ruse, për çudi Abdullah Drenit iu dha titulli pasha dhe bë mik me mareshalin otoman.
Ndaj Mehmert Ali pashë Maxhari, nuk e ndjente veten askund më të sigurt se sa tek ai, kështu që me të arritur në Gjakovë, pa menduar dy herë, u vendos në sarajet e Abdullah pashë Drenit.
Në kullat e Abdullah Drenit, mareshali otoman kishte planifikuar ta shpallte edhe zyrtarisht, hyrjen në fuqi të Traktatit të Berlinit, të ratifikuar qysh më 3 gusht të vitit 1878,nga Porta e Lartë në Stamboll, pa miratimin e shqiptarëve, për të vazhduar pastaj rrugën për në Guci.
Por edhe në Gjakovë e rrethinë, njëjtë si në gjithë territorin e Dardanisë, pas formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, fjalën kryesore, kudo e kishte Lidhja dhe të gjitha ligjet tanimë i bënin krerët e saj.
Ndaj nga dega e Lidhjes për Gjakovë,Haxhi Zeka dhe Ali Pashë Gucia u dërguan si përfaqësues të forcave shqiptare në konakun e Abdullah pashë Drenit, që atij vet, dhe përfaqësuesit të sulltanit, në emër të kombit t`ua përcillnin të dy atyre nga një porosi të veçantë prej Lidhjes Shqiptare:
1.Abdullah Dreni ta nxirrte menjëherë nga shtëpia, mysafirin e paftuar dhe shitësin e tokave shqiptare.
2.Mareshali otoman të hiqte dorë nga tendenca e tij e çmendur dhe kthehej sa më parë në Stamboll.
Fillimisht mareshali otoman, të deleguarit e Lidhjes i kishte pritur me shprehje të zgjedhura dhe sjellje të buta, por me të dëgjuar fjalët e Haxhi Zekës dhe Ali pashë Gucisë se shqiptarët nuk pranonin për asnjë çmim dorëzimin e Plavës e të Gucisë Knjaz Nikollës së Malit të Zi, pashë maxhari ndryshon menjëherë qëndrimin dhe reagon me ashpërsi të pa kontrolluar.
Madje kur Ali Pash Gucija, përveç se ia rikujtoi në detaje mareshalit otoman, shërbimet e shqiptarëve ndaj Sulltanit dhe Perandorisë turke, si dhe tërhoqi vërejtjen se tani e tutje, fati trojeve kombëtare ishte në duart e Lidhjes dhe Sulltani as Perandoria otomane, nuk mund tu bënin më nderë malazezëve dhe askujt tjetër me tokat shqiptare, e sidomos me vendlindjen e tij, Gucinë, pashë Maxhari jo vetëm se u tërbua, por dha urdhër që ata edhe të burgoseshin menjëherë nga zaptitë turq.
Ngjarja epike
Ishte viti historik 1878 dhe ende pa u mbushë 3 muaj të plotë që kur ishte formuar Lidhja, por veprimet e saj, për kohë aq të shkurtër, kishin marrë përmasa aq të mëdha dhe të atilla impresionuese, sa që inspiruan edhe penat më të njohura të kohës për krijime të veçanta letrare e historike.
Vlerësimi i lartë i krerëve më të shquar të saj dhe fillimi i epokës së art të Lidhjes në misionin e shenjtë për mbrojtjen e trojeve kombëtare, ndikoi shumë, që përveç këngëve epike të cilat do ti kushtoheshin mbrojtjes heroike të Plavës e të Gucisë, Hotit e Grudës, Kelmendit e Ulqinit, luftës së Slivovës e të Shtimjes, atëbotë këngë historike ti thureshin fillimisht betejës së lavdishme të degës së Lidhjes në Gjakovë kundër mareshalit otoman Mehmet Ali pashë Maxharit, e cila jo vetëm se ishte edhe lufta e parë e organizuar e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por ajo edhe u shqua sidomos për karakterin kombëtar dhe organizimin e përsosur ushtarak të saj.
Nga krijimet më me rëndësi kushtuar kësaj ngjarje historike, do ta veçoja Gjergj Fishtën me poemën e njohur epike "Mehmet Ali pasha", kushtuar pikërisht luftimeve të përgjakshme të degës së Lidhjes në Gjakovë, poemë në të cilën përmendet me pietet edhe heroi i njohur kombëtar Ahmet Korenica, si dhe burgosja e të deleguarve të Lidhjes Haxhi Zeka e Ali pashë Gucia, në kullat e Abdullah Drenit, nga "lugati" siç do ta quante Gjergj Fishta, mareshalin otoman.
Sipas vargjeve të Gjergj Fishtës,tek poema e lartcekur në "Lahutën e Malëcisë", mareshali otoman, jo vetëm se nuk mori parasysh fare qëndrimet shqiptare për tokat e tyre, por pasi fyeu e nënçmoi edhe dy të deleguarit e lartë të Lidhjes, si malok e cuba duke quajtur të pa qenë edhe Shqipërinë dhe popullin shqiptar, ai u dha urdhër zaptive, që Haxhi Zeka dhe Ali pashë Gucia të mbylleshin në burg, fakt që citohet edhe në rreshtat pasuese, të poemës në fjalë;
-Me malokë cuba shqiptar
*********************
-Ska shqiptar as ska Shqipni
-Vrik ka hi çaushi i zaptive
*********************
-I ka ndry Krentë e Shqypnis.
Kërcënimet e heroit Ahmet Korenica, drejtuar mareshalit otoman
Burgosja e të deleguarve të Lidhjes dhe këmbëngulja e mareshalit otoman Mehmet Ali pashë Maxharit, që t`ia dorëzonte edhe me forcë Plavën dhe Gucinë Malit të Zi, ngritën në këmbë të madh e të vogël,në Gjakovë dhe rrethinë, me ç`rast edhe shpërtheu përballja më e përgjakshme e deriatëhershme e njohur, ndërmjet forcave të Lidhjes dhe trupave pushtuese osmane.
Beteja e Gjakovës ishte vetëm fillimi i luftimeve të armatosura të Lidhjes së Prizrenit, që do të pasonin për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga vendimet e dëmshme të Kongresit të Berlinit, me të cilën shqiptarët dëshmuan se kurrë më nuk do tu bindeshin, për asnjë çmim pazareve të Perandorisë turke në dëm të tokave të tyre.
Kurse njëri pre udhëheqësve kryesor të Lidhjes për Gjakovë, në ato vite të lavdishme, pikërisht në kohën kur, pashai otoman Mehmet Ali pashë Maxhari, kishte ardhur në trojet tona, me qëllim që ti detyronte edhe me dhunë krerët e Lidhjes Shqiptare, të pranonin dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë, Malit të Zi, heroi Ahmet Korenica do ti përgjigjej:
-"Dëgjo mirë o pasha i turkit, jo ti, por edhe vet sulltani, po të vije këtu, ne nuk e kemi ndërmend që tokat tona, të cilat na i kanë lanë amanet të parët tanë, t`ia dorëzojmë Cernagorës"!
Kurse pas veprimeve të pamatura të mareshalit otoman dhe burgosjes së të deleguarve të Lidhjes, heroi Ahmet Koronica, do të shtonte me përbuzje dhe kërcënim;
-E paq veten në qafë Maxhar pasha, se vërtetë qenke mbushë "taksirate" dhe shkrua ta lësh kokën në këtë vend, se ti i gjallë më nuk do të dalësh nga kullat e Abdullah Drenit!
Dhe vërtetë dega e Lidhjes Shqiptare në Gjakovë, posa shpalli kushtrimin e përgjithshëm, në qytet dhe rreth tij u grumbulluan mijëra luftëtarë nga Gjakova, Hasi, Reka, Gashi, Krasniqja, Bytyçi dhe Peja, ndërisa të gjithë meshkujve të aftë për armë,u bëri thirrje të përgatiteshin për ta mbrojtur edhe me luftë Plavën dhe Gucinë, nga agresioni malazez.
Lufta e degës së Lidhjes në Gjakovë
Pas kushtrimit të lëshuar nga krerët e Lidhjes, në Gjakovë vërshuan i madh e i vogël nga të gjitha anët, jo vetëm nga Malësia dhe fshatrat përreth por edhe burra të zgjedhur deri nga vet Peja me Rugovë.
Kurse më 27 gusht të vitit 1878, me urdhër të Sylejman Vokshit, pikërisht në orën 3 të asaj pas diteje, Ramadan Zaskoci, djaloshi tetëmbëdhjetë vjeçar nga Luma, vrau telegrafistin otoman në Prizren, akt ky që paralizoi të gjitha lidhjet me Portën e Lartë dhe paralajmëroi përfundimisht pashain turk se më parë, ai do ta linte kokën këtu, se që do të mund t’ia dilte mbanë, detyrës së ngarkuar nga sulltani, për dorëzimin e tokave shqiptare Malit të Zi.
Në fillim të shtatorit të atij viti, vetëm Kulla e Abdullah Drenit ishte rrethuar prej mese 3500 luftëtarëve të Lidhjes, fakt ky i cili shpalos bindshëm,tërë përmasën e vërtetë që kishte marrë kryengritja shqiptare kundër mareshalit otoman, duke e vënë Maxhar pashën në lajthitje aq të madhe, sa që të mendonte me dëshpërim vetëm se si të arrinte, t’ia bënte të paktën një telefon sulltanit (babës mbret), me shpresën se ai do të mund ta shpëtonte edhe kësaj here nga taksirati që e kishte zënë me shqiptarët.
-Maxharr Pasha rrinë mendue:
-Kush e rreh ni tel për mue,
-Babë-dovletit me ja çue
-Se në Gjakovë më kanë rrethue,
-Më kanë mëshel si me kanë grue
Madje mareshali otoman,i tmerruar nga moria e njerëzve që filluan ta rrethonin atë dhe mbështetësit e tij në sarajet e Abdullah Drenit, dha urdhër që të liroheshin menjëherë Haxhi Zeka dhe Ali pashë Gucia, me arsyetimin se kinse, pikërisht në ato çaste, ata i falte sulltani, por më kot, sepse tanimë ishte bërë vonë për çdo gjë dhe vetëm lufta mund ti sqaronte të gjitha komplikimet që kishte shkaktuar vet mareshali i paftuar otoman.
Ndaj, dega e Lidhjes me në krye Sylejman Vokshin dhe Ahmet Korenicën, pas kalimit të ultimatumit prej 24 orësh, për largimin nga kulla dhe kthimin e tij në Turqi, me insistimin e Ahmet Korenicës, pas orvatjeve të dështuara për marrëveshje, më 3 shtator të vitit 1878, trimat e Lidhjes mësynë kullën dhe nisën luftën për asgjësimin e mareshalit Mehmet Ali pashë Maxhari dhe mbrojtësve të tij, në mënyrë që ai, të mos arrinte assesi, ta realizonte planin e Portës për dorëzimin e Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi.
Luftimet me mbrojtësit e mareshalit otoman, jo vetëm se zgjatën për mese tri ditë e tri net me radhë, nga 3 deri më 6 shtator të vitit 1878, por ato ishin edhe aq të rrepta, e të përgjakshme, sa që vetëm në këtë përballje të zhvilluar, për jetë a vdekje, u vranë rreth 500 veta dhe plagosën mese 700 të tjerë, nga të dy palët.
Përveç Abdullah Drenit, Shaqir Currit e Bajram Rrustemit,vullnetarët e Lidhjes arritën ta vranin edhe vet mareshalin otoman Mehmet Ali pashë Maxharin, të cilin siç thuhet, heroi i kombit Ahmet Korenica me duart e tij,e kishte hedhur nga dritarja në përroin që shkon prapa sarajeve, i cili edhe u varros breg përroit, dhe sot e atëherë turqit nuk u interesuan më kurrë, për mareshalin e tyre të vrarë nga shqiptarët, as tërheqjen e trupit të tij, ndërsa në shenjë revolte, kryengritësit ua vunë flakën edhe kullave të Abdullah Drenit.
Pas kësaj fitoreje dhe përfundimit të luftimeve, populli i entuziazmuar, ngjarjen historike dhe heroizmin e luftëtarëve të kombit, e nderoi me këngën:
-“Kështu Shqipnia e ka adet
-Nga një pashë me mbyt për vjet!”
Përveç vrasjes së mareshalit otoman në Gjakovë, Ahmet Koronica kërkoi që Lidhja në mënyrë të ngjashme dhe vendosmëri të njëjtë, ti kundërvihej edhe Perandorisë pushtuese otomane si dhe shteteve hegjemoniste fqinje, në të gjithë territorin kombëtar, gjë që pa vonuar shumë, pikërisht po kjo edhe do të ndodhte.
Perandoria otomane, për të treguar se ishte e vendosur që me çdo kusht të zbatonte pazaret me tokat shqiptare të nënshkruara me Rusinë në Kongresin e Berlinit, dërgoi në Dardani një mareshal tjetër pushtues, me emrin Muhar Pasha, i cili me forca të shumta ushtarake, edhe ai kishte kërcënuar se do ta shuante me gjak rezistencën shqiptare dhe dorëzonte me forcë Plavën e Gucinë Malit të Zi.
Por i frikësuar nga gjendja e ndezur dhe droja se mund të pësonte edhe vet, fatin e keq të Maxhar Pashës, ai u dha urdhër forcave Osmane vetëm që të tërhiqeshin nga Plava dhe Gucia, me shpresën se shqiptarët, nuk do të mund ti mbronin vet ato, dhe Mali i Zi do ti merrte pa luftë.
Por burrat trima të Lidhjes dëshmuan të kundërtën dhe luftuan heroikisht mu si luanët, duke thyer me turp forcat malazeze si dhe dëbuar ato kokulur, përtej kufirit të tokave tona kombëtare.
Rezistenca mahnitëse e shqiptarëve, detyroi Fuqitë e Mëdha që ta rishikonin edhe një herë vendimin e tyre të turpshëm, të cilat kësaj radhe propozuan që në vend të Plavës e Gucisë, ti jepnin Hotin dhe Grudën Malit të Zi, gjë që qoi në luftime të serishme ndërmjet luftëtarëve të Lidhjes dhe forcave pushtuese malazeze, duke i mundur dhe poshtëruar sërish ato.
Ndaj, pas betejave triumfuese në dhjetor të vitit 1878, për mbrojtjen me gjak të Plavës dhe të Gucisë, si dhe luftimet e suksesshme për mbrojtjen e Kelmendit dhe Hotit e Grudës trishtuan Portën e Lartë.
Kështu që Stambolli i tmerruar me qëndresën kombëtare të shqiptarëve, përveçse i ofroi tanimë Ulqinin me rrethinë Malit të Zi, dërgoi edhe gjeneralin e njohur gjakatar Dervish Pashën me ushtri të madhe, i cili pasi theu me zjarr e hekur mbrojtjen shqiptare, ua dorëzoi Ulqinin me forcë malazezve, përkundër faktit se si Ulqini, ashtu edhe vet Tivari, të dy këto qytete tonat të bukura bregdetare me tokat që i rrethonin, ishin tërësisht të banuara vetëm me shqiptar
Veprimtaria patriotike e heroit Ahmet Koronica
Ahmet Korenica, jo vetëm se njihej që nga ditët e para, si njëri nga anëtarët më të denjë të Komitetit të Stambollit dhe pjesëmarrës i lartë i Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, dimensionet e veprimtarisë patriotike të të cilit nuk kufizoheshin vetëm në Gjakovë, Malësi e Has, ku gjatë aktivitetit të tij kombëtar, ky hero shpesh herë gjeti strehim të sigurt, por ato u zgjeruan edhe në Lumë, Rekë e Drenicë dhe arritën deri në Llap e Gollak.
Madje ai thuhet se ishte vetëm 35 vjeçar kur u zgjodh deputet i zonës dhe në kohën e veprimtarisë së Lidhjes Kombëtare Shqiptare të Prizrenit, u fut me 4 mijë luftëtar në Prishtinë, përzuri valiun turk nga qyteti dhe dëboi atë për në Turqi.
Madje ai bashkë me Haxhi Zekën, kishin shtrirë veprimtarinë kombëtare dhe pushtetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe në Peshter e Pazar të Ri, të cilat atëbotë i takonin Shqipërisë etnike dhe ishin të banuara pothuajse vetëm me shqiptar.
Vend me rëndësi në historinë e qëndresës patriotike të Ahmet Korenicës, padyshim zënë edhe trimëritë tij në luftimet e mirënjohura të Lidhjes Shqiptare në Carralevë e Slivovë, ku përveç Ali Ibër Nezës ishte plagosur edhe ai vet bashkë me Haxhi Zekën, por asnjëri prej tyre, me gjithë kërkesën e Sylejman Vokshit, nuk do të tërhiqeshin, për asnjë moment nga fronti i luftimeve heroike të zhvilluara kundër forcave otomane të Dervish Pashës.
Betejë e njohur e vendimtare dhe njëra nga përballjet më të përgjakshme të Lidhjes, në të cilën heroi Sefë Kosharja u kap i plagosur dhe më 20 prill të vitit 1881,u varë me plagë në trup,nga gjenerali gjakatar otoman Dervish Pasha, në një lis të fshatit të tij, ndërsa të njëjtën ditë ra heroikisht edhe trimi Mic Sokoli me bashkëluftëtarët e vet më të ngushtë, trupat e të cilëve u copëtuan dhe shpërndanë në aq shumë anë nga shpërthimi i topit turk, sa që nuk mund tu gjendeshin më as pjesët e trupit në varret e luftëtarëve të rënë të Lidhjes!.
Se me çfarë reprezalje, vrasje dhe trishtime arriti krimineli gjakatar Dervish Pasha, që ta kapte heroin e plagosur në luftime Sefë Kosharen, e shpjegojnë edhe vargjet e këngës popullore, i cili përveç masakrimeve të pashembullta, ishte bërë i njohur edhe për kërcënimet më barbare që vetëm ai dinte ti bënte, për ti tmerruar deri në palcë shqiptarët:
-Ose Sefën këtu e due!
-Ja Kosharen kam me shkrumue
Atë ditë u bënë aq luftime të rrepta sa që trimave të rënë bashkë me Mic Sokolin,nga shpërthimi i gjyleve të topit otoman, nuk u kishte mbetur më as shenjë trupi dhe sipas citimit të vargjeve epike të këngëtarit popullor, baba i dëshpëruar i luftëtarit nga Malësia e Gjakovës Smajl Hysenit, përkundër kërkimeve të gjata nëpër varre, nuk arrinte ta gjente dot asnjë pjesë të vetme të trupit të vdekur të të birit:
-A mi patë Smajlin e Micin
-Fyt e më fyt, than me Dervishin
-Na ka pre ai Smajl Mehmetin,
-Hup’ e tretë Smajl Hysenin;
-Fort po e lyp’ atë baba i vet,
-I shploi vorret, por nuk e gjet!...
Fatkeqësisht sado që në këto dhevargje të tjera të panumërta të zgjedhura epiko-heroike të këngëtarëve popullor, shprehet dhembja e thellë për përmasat tragjike, si dhe humbjen e shumë trimave dhe luftëtarëve më të dalluar kombëtar në betejat më të mëdha heroike, si Mic Sokoli, Sefë Kosharja, Smajl Mehmeti, Smajl Hyseni dhe shumë udhëheqës e luftëtar tjerë të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të rënë trimërisht në luftime e rrepta me turqit për mbrojtjen e trojeve të Shqipërisë etnike, edhe pas 138 viteve të kaluara nga ato kohë e ngjarje trimërie si dhe shumë përpjekjeve tjera pasuese historike, mjerisht ne shqiptarët ende as sot e kësaj dite, jo vetëm që nuk po arrijmë ta bëjmë përfundimisht realitet shtetin tonë kombëtar në trojet e Katër Vilajeteve të cilat gjithmonë i përkisnin Shqipërisë etnike, por nga udhëheqësit e shitur e kuisling në Shqipëri dhe Kosovë, sot më tepër se kurrë, po rrezikojmë ti humbim edhe arritjet e deritanishme kombëtare e shtetërore.
Ndërsa sa i takon heroit të shquar Ahmet Korenica, luftëtarit dhe udhëheqësit të përbetuar kombëtar për mbrojtjen dhe çlirimin e trojeve të Shqipërisë nga pushtuesit otoman, megjithëse për figurën e tij flitet me pietet, jo vetëm për aksionin heroik të vrasjes së Mehmet Ali Pashë Maxharit, më 3-6 shtator 1878 në Gjakovë, por edhe për trimëritë e shquara në luftimet tjera të Lidhjes Shqiptare kudo që ato zhvilloheshin, në fakt, sot e atëherë, mungojnë shumë të dhëna autentike dhe biografia e tij e bujshme, mbetet ende e pa plotësuar tërësisht.
Ahmet Korenica si njëri nga aktivistët dhe idealistët më të brumosur të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishte jo vetëm deputet, luftëtar e udhëheqës i shquar kombëtar, por edhe njëri ndër anëtarët më të vendosur dhe besnik të Komitetit të Stambollit, i njohur i hershëm dhe mik e bashkëveprimtar edhe i vet Abdyl Frashërit.
Komitet i Stambollit u themelua nga patriotët më të shquar kombëtare të kohës, si Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni ,Ahmet Korenica etj,në vitin 1877,për ruajtjen dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare nga pushtimet e huaja, pasi që Perandoria osmane,menjëherë pas luftërave ruso-turke të viteve 1875/76, me komoditet dhe lehtësi të pa parë, ua dorëzonte ato, hegjemonizmit sllav dhe atij grek.
Por pasi që ky Komitet kishte rol të kufizuar hapësinor e nuk mund të mbulonte të gjitha trojet shqiptare me strukturat adekuate, më 10 qershor të vitit 1878, nga atdhetarët më të denjë të asaj kohe, si Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Ahmet Korenica etj, u themelua Lidhja e Prizrenit, e cila edhe sot e kësaj dite është dhe mbetet njëra ndër organizmat më të rëndësishme historike shqiptare, në gjithë kronologjinë e ngjarjeve kombëtare si dhe një ndër Lidhjet më të organizuara politike dhe ushtarake gjithëkombëtare pas Lidhjes së Kuvendit të Lezhës, të themeluar nga kryeheroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu më 2 mars të vitit 1444 në Lezhë.
Madjepër të mbajtur gjallë shpresën e vetme shpëtimtare të kombit, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e cila tërë mbështetjen e kishte në popull, në ditët më të vështira të përballjeve me otomanët, dallohet pikërisht heroi Ahmet Korenica, njëri nga udhëheqësit dhe luftëtarët më të shquar të saj, i cili përveç pjesëmarrjes aktive në të gjitha luftimet e organizuara, shiti krejt pasurinë që pati, për të furnizuar luftëtarët e Lidhjes me armatim e municione, si dhe veshmbathje e ushqime, për rreth katër muaj me radhë.
Përpos Sylejman Vokshit, Ahmet Korenica ishte personaliteti më aktiv në degën e Lidhjes Shqiptare për Gjakovë me rrethinë dhe udhëheqësi i njërës prej ngjarjeve të para historike dhe më domethënëse të Lidhjes së Prizrenit, si aksioni i përgjakshëm kundër mareshalit otoman Mehmet Ali pashë Maxhari në sarajet e Abdullah pashë Drenit, i cili nuk kurseu jetën as pasurinë për të ndihmuar vijimin e veprimtarisë luftarake të Lidhjes Kombëtare Shqiptare të Prizrenit.
Ndërsa përveç lavdisë dhe heroizmave të shquara në beteja, Sylejman Vokshi dhe Ahmet Korenica, më së rëndi përjetuan momentin kur pas shuarjes së Lidhjes së Prizrenit, ushtria pushtuese otomane, në pamundësi për të kapur kryetarin saj, heroin Ymer Prizreni, arrestuan dhe internuan në Anadoll gruan dhe vajzat e udhëheqësit të kësaj Lidhje të ndritshme kombëtare.
Kjo e irritoi edhe më shumë Ahmet Korenicën i cili si njëri nga kundërshtarët më të vendosur të pushtuesit otoman, jo vetëm se nuk iu nda kurrë luftimeve të Lidhjes, por ai as nuk u dorëzua asnjëherë dhe para asnjë sakrifice, deri në fillim marsin e vitit 1885, kur edhe u zu rob me tradhti, bashkë me Sylejman Vokshin dhe u dënua e internua, larg atdheut nga gjykata otomane në Stamboll.
Tradhtia ndaj Sylejman Vokshit shtjellohet pjesërisht edhe në këngën popullore "Demë Isufi" të kënduar nga Dervish Shaqa, Qamili i vogël, Bajrush Doda etj, në vargjet e të cilës sqarohet se si malësorët e organizuar nga Ali Ibra për të luftuar kundër Vesel Pashës, me të arritur afër Gjakovës në vendin e quajtur Qafa e Osekut, u mashtruan me ryshfet nga komandanti i ushtrisë turke, dhe në vend se të luftonin kundër tij, siç ishin besatuar, ata u zunë ndërmjet veti, morën nga “100 pare për njeri” dhe lejuan që atë ditë, të shpëtonte gjenerali i ushtrisë turke, Vesel Pasha.
-Kur janë dalë në qafë të Osekut
-Jau ka shkep pasha ryshfetin
-Janë përla malësorët ndër veti
-Ka 100 pare i kanë nda për njeri
-Me çatë ditë shpëtoi Veseli
-Me çatë ditë shpëtoi Veseli
Me pak, apo gati pa ndryshime, e njëjta këngë, interpretohet edhe nga Qamili i vogël e BajrushDoda: https://www.youtube.com/watch?v=mRefz1i-2no
Ndaj përkundër gjithë bëmave të mëdha të heroit të kombit Ahmet Korenica, habit fakti se si në ndonjë shkrim të pa bazuar, aty-këtu, trumbetohet pa fakte të argumentuara, se edhe përkundër gjithë atyre luftimeve që ky burrë trim zhvilloi kundër pushtuesve osman, kinse pas shuarjes së Lidhjes së Prizrenit, ai sërish na qenka punësuas si kadi në Manastir, gjë që nuk është e vërtet.
Përkundrazi, pikërisht ditën e kapjes me tradhti të Sylejman Vokshit nga otomanët, bashkë me të u zu rob edhe heroi Ahmet Korenica, me ç`rast sipas Dr. Shefqet S. Canhasit, në luftimet për mbrojtjen e tyre, u vranë edhe katër krerët kryesor të Hasit të cilët përveç se i kishin strehuar dhe mbajtur në shtëpi, ata ranë duke i mbrojtur edhe me armë në dorë, kryekomandantin e Lidhjes së Prizrenit, heroin Sylejman Vokshi dhe Ahmet Korenicën me shokë.
Zënien rob dhe internimin e këtij burri e vërteton edhe historiani i mirënjohur shqiptar Kristaq Prifti, i cili në librin me titull “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881”,faqe 265, shkruan qartë se më 1885 Ahmet Korenica u arrestua nga turqit dhe soll para gjyqit bashkë me Sylejman Vokshin.
Sipas po këtij historiani të shquar kombëtar, nga dokumentet e gjykimit dëshmohet se prijësi dhe luftëtar i dalluar i Lidhjes Shqiptare të Prozrenit, Ahmet Korenica u internua në Anadoll dhe prej momentit të burgosjes nga turqit si dhe internimit të tij, fatkeqësisht sot e atëherë, zhduken përgjithmonë edhe të gjitha gjurmët e heroit Ahmet Korenica.
Ndaj, megjithëse në mungesë të shënimeve autentike, ende nuk mund të thuhet me saktësi të plotë, nëse ai vërtetë u mbyt menjëherë pas internimit nga otomanët, apo vdiq më vonë në vitet pasuese prej torturave barbare të gardianëve turq të sulltanit, ajo që është tërësisht e sigurt dhe tash e atëherë dihet botërisht nga të gjithë shqiptarët, mbetet fakti se heroi ynë i shquar Ahmet Korenica, pas rënies në duart e pushtuesve turko-aziatik, gjallë as vdekur, ai nuk u kthye kurrë më në atdhe.
REFERENCAT:
1. Historia e Popullit Shqiptar II, "8 Nëntori", Tiranë 1969.
2. Kristo Frashëri, Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881, "Toena", Tiranë 1997.
3. Aleks Buda, Shkrime Historike, "Akademia e Shkencës e Shqipërisë", Tiranë 1986.
4. Mehdi Frashëri, Lidhja e Prizrenit, Tiranë 1938.
5.Noel Malkolm, Kosovo a short history, Harper Cillins, 1999
6. Historia e Popullit Shqiptar II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2002
7. Skender Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe vendi i saj në histori,"Instituti i Historisë", Prishtinë 2008
8. Kristo Frashëri,Kristaq Prifti "Historia e Popullit Shqiptar II" 2002, Toena ISBN 9992716231,Tiranë.
9. Libri „Heronjtë e Pushkës dhe të Fjalës Burrërore”, “Toena” 2015 Tiranë
11.http://www.gazetatema.net/2015/04/23/me-race-jemi-gege-dhe-ne-vendin-tim-askush-asnje-fjale-turqisht-nuk-e-flet/
12.http://shqiptarja.com/lajm/sot-136-vjet-nga-formimi-i-br-lidhjes-shqiptare-te-prizrenit?r=pop5s
12 . http://telegraf.al/dosier/lufta-e-gjakoves
13. Libri "Krijuesit e Historisë" Jeta e Re Prishtinë 2012
14. Robert Elise "Ein biographisches Wörterbuch der albanischen Geschihte" IBTauris.ISBN 978-1-78076-431-3
15.Libri “Kronikë kohe” ngjarje dhe personalitete historike, Lenagraphic, 2018 Prishtinë.
16. http://www.oranews.tv/article/sot136-vjet-nga-formimi-i-lidhjes-shqiptare-te-prizrenit
17.https://www.alsat-m.tv/139-vjet-nga-themelimi-i-lidhjes-se-prizrenit/
18.https://www.shkodradaily.com/2014/11/mehmet-ali-pasha.html
19. https://filologjiku.uni-gjk.org/upload/dokumentet/27780-Fitore%20Mullahasani_Punim%20Diplome.pdf
22. (Dr. Masar Rizvanolli “Zhvillimi i arsimit shqip në Gjakovë deri më 1918” gjakovapress 6 mars 2014)
24. Kristaq Prifti "Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane 1878-1881". Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë 1978 Tiranë.
Comments
Post a Comment