ANDREA DHE HELENA
Resmi Osmani
Novelë
ANDREA
DHE HELENA
… Vazhdimi
4
Bujari
Tanush Topia, kryezot i principatës së Arbrit, me kryeqëndër Krujën, atë ditë
qershori, tok me të birin Andrean, vëllanë dom Dominik, mjeshtrin e ndertimeve
dhe kapitenin e ngarkuar me rojën e kështjellës, po i bënte kqyrje të
imtësishme mureve , kullave dhe bedenave. Në shumë vende muret ishin rrënuar
dhe çarë e kishte rrezik të vidhiseshin. Që nga koha e sundimit të Progonit, në
ta nuk ishte vënë më dorë. Dha porosi të fillohej nga puna menjëherë. Ai u
dilte përpara ngjarjeve të pritshme, të atyre kohëve të turbullta me luftra,
lakmi e pabesi. Kështjella duhet të bëhej e papushtueshme.
Principata e Arbrit, kryezot i së cilës ai ishte, përfshinte zotërimin
në hapësirën nga lumi Mat deri në Shkumbin, ultësirën bregdetare me kriporet e
saj, fushat e begata me drith,bagëtinë e trshë dhe kuajt e vrapit, dhe pjesën e
brendshme malore të pasur me pyje, për lëndë druri, luadhe për kullotë dhe gjah
të egër. Mes principatës kalonin rrugët që lidhnin veriun me jugun dhe dy
lumenj.
Arbëria, pas luftrave të mbretit Karl d’Azhu në lindje, u pushtua dhe ai
krijoi “Regno d’Albania”. Si edhe zotërit e tjerë të Arbërisë, Tashmë edhe
Tanushi, u kthye në katolik. Ishte vasal i mbretit, por gëzonte të drejtën e
vetqeverisjes në principatën e tij. Në veri kufizohej me Balshajt dhe në jug me
Muzakajt. Të dy kishin lakmi për zotrimet e tij dhe ai kishte filluar ta
ndjente shtrëngesën dhe peshën shtypëse të tyre. I pari i qyteteve, brenda
principatës ishte Durrësi në anëdet, i pasur, ku lulëzont tregtia dhe zejet,
madhështor, hijerëndë e krenar, që
lidhte perndimin me lindjen ,nga ku niste rruga Egnatia. Qarkuar me mure të
larta dhe zor i pushtueshëm, por ai
ishte nën pushtetin e Robertit të
Napolit. Aty bënte ligjin mëkëmbësi i mbretit. DurrësinTanushi e kishte pikë në
zemër, por në pamundësi për ta bërë të vetin, ishte një eshtër që se gëlltiste
dot, kur zbriti nga Mati, zgjodhi Krujën. Qyteti, ishte si fole shqiponje i
ngritur mbi shkëmb. Mbi të lartohej mali, që i siguronte shpatullat, e që në
dimër e zbardhte bora,teksa nën qytet bleronin ullinjtë. Në perndim,veriperndim
dhe në jug, lartoheshin muret e gurtë, të lartë, me kulla, pirgje e bedena, që
e bënin thuajse të papushtueshëm. Sheshi i qytetit të lartë, ku ishte
kështjella dhe garnizoni, zejtarët, armëtarët dhe tregu, ishte i vogël e i
pamjaftueshëm për ndërtime familjare-qytetare, që sa vinin e shtoheshin,
prandaj qyteti po zgjerohej jashtë mureve, në jug me lagjen Zaharia.
Tanushi
dhe percjellësit e vet,u afruan dhe qëndruan në perëndim të mureve. Ishin si në
një ballkon. Larg, nën ajrin që dridhej nga zhegu, dukej fusha dhe më tej deti.
Më pranë ishin rrënojat e Zgërdheshit, qytetit të lashtë të Albanëve, pastaj
fillonte të ngjitej kodra e nbushur me ullishta
që përfundonin rrëzë kalasë. Edhe pse të veshur hollë, dielli i vaposi,
por ajëri që zbriste nga mali i ermiruar nga sherebela dhe bimësia tjetër i
frskoi. Andrea, që ishte nder ta më i riu, hapi të dy krahët, mëngët e gjera të
këmishës së bardhë ngjanë si krahë shqiponje, u përkul paksa para mbi humnerë,
u ndje i lehtë si pupël dhe iu duk se do
të merrte fluturim.
-Axha
Dominik, do të fluturoj!
-Mos me
shaka të tilla biri im, se e keqja bëhet kur s’ta don mendja- e kapi nga krahu
dhe e tërhoqi, teksa Andrea po qeshte hareshëm.
Atypari,
kaluan një tubë vasha që ktheheshin nga tregu,të nisura e të stolisura, më e
bukur njëra se tjetra. Të ndeshura pa pritur me grupin e burrave, ato u përulën
me hijeshi në shenjë nderimi dhe u larguan duke kukurisur. Tanushit nuk i
shpëtoi shikimi lakmitar i të birit dhe ajo dritëza që i shkëndijoi në sy.
-Kur
vashat rriten dhe hedhin shtat, këkojnë burrë, kurse djemtë kur nisin e
burrërohen kerkojnë vashat. Si thua, vëlla Dominik, djalit tonë mos i ka ardhur
koha për martesë?
Dom
Dominiku që ishte i thelluar në dituri
liturgjike, e mendoi përgjigjen, teksa Andrean e mbuloi purpuri i kuq, që ati i
kishte zbuluar mendimin e fshehtë.
-E pse
jo vëlla. Nipi ynë tashmë është një trim në moshë. Martesa është e shënjtë.
Tënzoti kur ngjizi Adamin dhe Even, i bëri sipas shëmbëlltyrës së tij, mashkull
dhe femër.Perëndia i bekoi dhe u tha : shtohuni dhe shumëzohuni e mbushni
botën. Teksa shelbuesi, biri i Zotit Jezu Krishti, e shënjtëroi martesën kur
tha:njeriu do të lerë atin dhe nënën dhe do të bashkohet me gruan e tij dhe të
dy do të jenë një mish.
-Vëlla
Dominik, të kërkova një mendim, ti mbajte një meshë!
-Ç’do
përgjigje,që të mos jetë e gabuar, duhet të ketë brenda saj fjalën e shënjtë të
Zotit, - mori e tha dom Dominiku.
- U pa
kjo punë. Nuk na mbetet veç t’i gjejmë djalit tonë një nuse të bukur mu si zanë
mali, të mençur, të fisme, nga derë e madhe dhe e fuqishme, që t’i sjellë pajë
dhe t’i lindë trashëgimtarë.
-E ku
gjendet kjo pikë nuse, si e lindur nga zanat dhe e begatuar me gjithë të mirat
e Zotit?
-Kam
dëgjuar se Muzakajt kanë një vashë të bukur e të vyrtytshme që e quajnë Marë.
Si thua, këtë verë, të marrish udhën për në Berat e të kërkosh dorën e saj e të
bësh ujdinë? Ku ta dish, mbase u prishet mendja dhe i japin pajë atë rripin e
tokës midis Semanit dhe shkumbinit. Me këtë miqësi, qoftë edhe përkohësisht, ne
sigurojmë paqe e qetësi per zotërimet tona në jugë.
Andrea dëgjonte por nuk bzante.Tata nuk kundërshtohet. Fjala e tij është
e pakthyeshme dhe urdhëresë. Atë, kur të vinte koha, dhe me sa duket kishte
ardhur, do ta pyesnin sa për të shkuar radhën, apo si i thonë për të larë
gojën, për ta njoftuar dhe do të bënin
të vetën si t’ua donte puna dhe politika.Do të merrte atë që do t’i jepnin.
Nga
porta e kështjellës hyri një kalorës. Patkonjtë trokëllinin në kalldrëmin e
gurtë. Kur u afrua, hovi shkathët nga kali, u përkul dhe përshëndeti:
-Gëzuashi, fisnikëria juaj e ndritur
dhe ju burra bujarë!
- Gëzim
e të mira paç! Ç’lajm është ky që na sjell o kalorës, sa të ka bërë ta ngasësh
atin sa i ka dalë shkuma?
- I
mirë, fisnikëria juaj.
- Pa
hë!
-
Kapiten Niketa, më porositi që ti them fisnikërisë suaj këtë lajm: dje në det
ka bërë një shtrëngatë e hatashme. Në lundrim e sipër ishte një karavelë e
mbretit të Napolit. Në të udhëtonte për në More të Greqisë një princeshë.
Shtrëngata e capërloi keq karavelën si mos o zot, por nuk e mbyti, e përplasi
në ranishte. Fati i detarëve nuk dihet. Shpëtuan çosa gra dhe kapiteni që ishin
në të. Princesha është Helena, bijë e mbretit Robert, që po udhëton për të
shkuar në More te i fejuari për tu martuar. Në pritje për t’u ardhur një gjemi
tjetër, ka bërë konak në pallatin e Sinjorisë, në lagjen veneciane dhe është
nën kujdesin e mëkëmbësit të mbretit. Ata që e kanë parë, se unë me të
dëgjuar e kam, thonë se është aq e bukur
dhe e hijshme, sa i thotë diellit dil të dal! Kaq.
Tanushi i dha lajmësit një pare floriri, por ai spo luante vendit.
- Keni
ndonjë urdhërim për kapiten Niketën?
-
Thuaji që na e solle lajmin. Vetëm kaq.
Tanushi
kqyri me radhë bashkëbiseduesit e tij.Nga lajmi i beftë, ata dukeshin paksa të
hutur dhe s’dinin ç’të thoshin. Andrea mërmëriti me vete: ”Pa shih ç’na paska
qenë!” Dom Dominiku bëri kryq dhe lavdëroi Zotin: “Të qofshim falë o Zot që i
shpëtove robtë e tu”,pastaj iu kthye të vëllait:
-Vasaliteti, mirësjellja, politika, por para së gjithash zakoni arbror i
mikpritjes, e kërkon që princeshës t’i urojmë mirseardhjen dhe t’i bëjmë
dhurata. Këtë e kërkon sëra e saj dhe nderi ynë. Tanush, duhet të nisësh një
dërgatë. Se kush duhet të jetë, dhe kë duhet të marrë me vete, mendoje vetë.
Për t’i
shpëtuar saçit të diellit, të tre u tërhoqën në tremen e pallatit, me kollonata
të mermerta dhe qemer të gurtë,mbushur me vazo borziloku, karafilash e kuvli me
zogj këngëtarë. U ulën rreth tryezës së rëndë punuar me dru gështenje, që
ishte në cepin lindor. Shërbenjësi i
shtëpisë nuk mënoi t’u shërbente verë,
që e hedhur në gota qelqi të hollë
venecian, kuqëlonte me reflekse ngjyrë allë. Pinë në heshtje. Pos të tjerash,
Tanushi i dha udhë edhe dërgatës që duhet të shkonte në Durrës.
-Andrea,
ti që flet latinisht e italisht, por edhe si biri ynë, zgjidh tre trima nga të
moshës sate dhe nisu për Durrës të përshëndesësh , t’i japish nderimet tona dhe
mirseardhjen princeshës anzhuine. Për dhuratë, darovite me një palë petka
arbërore grarisht dhe stolitë e arta e të argjendëta të punuara nga zejtarët
tanë.
Andrea
nuk e dha veten sesa e gëzoi kjo porosi e të atit.
-Si të
urdhëroni ju imzot dhe ati im.
5
Mëkëmbësi i mbretit, për mbretërinë e Arbërisë, Çezare di Falkone, dhe
zonja e tij fisnike, e mirëpritën dhe u kujdesën me zell të shtuar për
princeshën e bukur Helena dhe shpurën e saj, që ajo të ndihej mirë dhe të mos i
lipsej asgjë. Në pallatin e sinjorisë, veçuan një kat me dhoma të mobiluara për princeshën, mëndeshën
Çeçilia dhe zonjushat e shoqërimit dhe vunë në shërbim të tyre shërbenjëse dhe
më të mirin e akçinjve.
Ishte
paraditja e parë e qëndrimit në Durrës. Zonja e nënmbretit, e nisur dhe e
stolisur me tepri që të dukej sa më e hijshme, i bëri një vizitë mirsjellje
princeshës dhe e ftoi që bashkërisht të kqyrnin qytetin. E nisën që jashtë.
Pranë portit ishte kulla e rojave dhe doganës që lidhej me murin e lartë. Muri
i trashë dhe mbi dhjetë metra i lartë me bedena dhe pirgje, qarkonte qytetin an
e mbanë. Në kthim, hynë në portën e kalorësit. Quhej kështu se mbi të, lartohej
një kalorës i bronzët me ushtë.Panë rrënojat e amfiteatrit madhështor, u
ngjitën në pjesën e lartë të qytetit nga ku dukeshin kambanoret e kishave,
lagjet e mbushura me vila të bukura të venecianëve, amalfitanëve, arbërorëve,
Grekëve dhe në skaj lagja e varfër e hebrejve.Më larg, në lindje nisnin e
lartoheshin nën kaltërsinë e qiellit malet enigmatike të Arbërisë. Durrësi
ishte qytet kozmopolit, aty fliteshin gjuhët e të shumtëve popuj të
Mesdheut.Qyteti pritej kryq e tërthor nga rrugë të shtruara me kalldrëm dhe
sheshe ku ngriheshin statuja të mermerta e të bronzta. Helena vuri re se
kalimtarët dhe kalimtaret e rastit mbanin këmbët dhe me një buzëqeshje të
pavetëdijshme, s’ia shqisnin sytë. Kjo në vend që t’i sillte kënaqësi, filloi
ta bezdiste. Vizituan tregun e zhurmshëm ku shitësit me zë të lartë ofronin mallrat e tyre.
Helenës i pëlqeu qyteti, po sesi ishte, i mbyllur, më i zymtë,s’kish të
krahasuar me Napolin e zhurmshëm, gazmor e plot dritë.
Koha
mezi shtyhej, pas gjumit të drekës, mblidheshin në tremen e freskët, me dyshemenë e shtruar me mozaikë
në qendër të të cilëve ishte portreti i bukur i një vashe, mes mjë peisazhi
plot lule, gonxhe dhe petale, rrethuar me medaljone që paraqisnin zambakë,
lule, peshq , sirena e të tjera gjallesa nga bota nënujore.Të ulura në divanët
e rehatshëm, lexonin me radhë rrëfenjat gazmore të Dekameronit, librin e parë
të sapo botuar e kishin me vete, pastaj lexonin poezitë dashurore, githë mall,
ndjenjë e përdëllim të Petrarkës nga
“Libri i këngëve” . Pastaj vinte nata, secila jetonte me ëndërrat dhe mendimet
e saj, në pritje të së nesërmes.
Në ditët
që vijuan, pati vizita nga zonjat e shquara të dinjitarëve, fisnikërisë dhe
borgjezisë tregtare të qytetit, aq sa iu mërzit dhe u dha porosi rojave që të
mos pranonin më njeri.
Ishte dita
e katërt e qëndrimit në Durrës. Afër mesditës, u paraqit kryerojtësi i pallatit
dhe përshëndeti duke thyer njerin gju.
-Princeshë!
-Më
thuaj!
-Keni
një vizitë.
-Kam
thënë që nuk pres më vizitorë.
-Ky rast
ndryshon nga të tjerët. Vizitori është bujari Andrea Topia,
biri i Tanush Topisë, kryezot i principatës së
Arbrit, vasal i mbretit Robert.
-Ç’farë
moshe ka?
-Fare i
ri, një djalosh.
Helena
u mendua, pastaj i tha:
-Le të
presë pak, pastaj të hyjë.
Më së
shumti për forcë zakoni, i hodhi një sy vetes me ngut,ndërroi veshjen, krehu
flokët, vuri stolitë e arta, pak parfum jasemini. Tani po, le të vinte
Andrea,
vet i katërt, pasi lanë kuajt në han, u paraqitën në pallatin e sinjorisë. Roja
,kur i thanë se kush ishin dhe përse kishin ardhur, i la të hynin në oborr dhe
u ngjit të njoftonte princeshën.
Kur Andrean
po e bjerrte durimi,te shkallët u dha oficeri dhe i ftoi të hynin.
-Jo të
katër. Vetëm biri i kryezotit të Arbërisë.
Andrea mori
boçen e petkave-dhuratë, peshtafin e
arturinave dhe ia dha oficerit. Shoqëruesit mbetën jashtë. Oficeri priu dhe
Andrea i shkoi pas. Përshkuan hajatin e stolisur me mozaikë dhe oficeri trokiti
në derën në të majtë, në dhomën ku princesha priste vizitorët.Dera u hap nga
brenda, prej njerës nga zonjushat e shoqërimit, e cila i ftoi të hynin.
Helena e
priti vizitorin më këmbë në mesdhomë. Andrea su besoi syve. Princesha ishte ajo
vasha-nimfë, që të pardjeshmen e gjeti në ranishte të flakur nga deti, të sfilitur
e të trembur, por tashmë dinjitoze të
hirshme dhe bukurishtuar.
-Princeshë!-dhe u përul lehtë, me oborrësi.
Andrea
ndjeu një si rëndesë në këmbë, një mpirje të lehtë dhe iu duk se nga pamja e saj buroi një
shkulm drite që i lbyri sytë dhe e qarkoi të gjithin. Ajo i ndeu dorën. E mori
në të tijën: e vogël e nazike, e butë, e ngrohtë, i përçoi në brendi drithërimë
e molisje, si ato të etheve, por kjo ishte një ethe e ëmbël. E puthi atë dorë,
teksa sytë i ranë mbi fytyrën e saj. O zot! E si mund të ishte kaq mrekullisht
e bukur një vashë, si e dalë nga një përrallë? Flokët e artë, që i derdheshin
si ujvarë, sytë me butësi pëllumbeshe, goja si lule shege,buzëqeshja hyjnore,
cipa e fytyrës si e zambakut të bardhë që çel në agun e mëngjesit, beli që mund
t’ia pushtoje me një dorë, shtati si selvi. Bukuria e vashës dhe ajo drita e
ninëzave në sy, e goditi në zemër, e turbulloi dhe hutoi, aq sa s’po gjente
fjalët që ishte përgatitur t’i thoshte.
Të dy
mbetën pa fjalë. Helena, në çast u kujtua, se kishte para vetes trimin që i
printe çetës së kalorësve që e përcolli
për në qytet.Nuk gabohej. Ishte po ai: shtatlartë, koka me kaçurrela të zeza si
pendë korbi, pamjebukur si truporet e Apolonit. Kishte veshur një tunikë të
lehtë ngjyrë alle, stolisur me fije ari, belin shtrënguar me brez ku dallohej
tokza e argjendtë. Posht çorapeve të mëndafshta,pulpët e plota. E vetmja stoli
ishte një gjerdan i artë, i plotë, ku varej një shqiponjë dykrerëshe. Prej tij
rrezatohej valë-valë mirësi, siguri,
fuqi dhe rini.
Të
dyve iu duk se bashkë me ajrin, po thithnin e po përçonin në zemër bukurinë,
hijeshinë dhe hiret rinore të pranverës së jetës, diçka të veçantë e të re, të
paprovuar më parë. Të ishte vallë kjo dashuria me shikim të parë?
I
buzëqeshën shoshoqit si të zënë në faj. Kishte në ato buzëqeshje, një
bashkfajësi e mister për të fshehtat e
pa treguara.
-Princeshë Helenë! Jam i dërguar nga ati im,Tanush Topia, kryezot dhe
sundimtar i principatës së Arbrit,t’u shpreh urimet për shpëtimin e jetës suaj
dhe tu mirseardh si mysafire e rrallë, që fati e solli të na ndrisë me bukurinë
e saj principatën tonë. Të gjithëve na erdhi shumë keq për atë që ju ndodhi e
që ju rrezikoi jetën.
-Ka
emër djali i kryezotit të arbrit?
I
zënë që sefte në një gabim, Andrea se desh veten.
-Andrea, Andrea Tanush Topia.
Emër
i bukur, mendoi Helena A-n-d- r- e-a, gërmëzoi me vete emrin e tij. Tingujt e
shqiptimit kishin kumbim e muzikalitet.
-Pse
nuk m’a shfaqët pardje në ranishte, kush ishit në të vërtetë, po u hoqët si një
kalorës i zakonshëm?
-Sepse, edhe ju, nuk rrëfyet të vërtetën. Gjithësesi, e kuptova që ju
nuk ishit ajo që më thatë.Tani ja ku jemi, të vërtetë e pa të fshehta.
Ajo
e ftoi të ulej në poltronën kundruall kolltukut të saj dhe porositi që
vizitorin e fisëm ta gostitnin. Andrea u ul. Ra heshtje, një heshtje që
fliste me gjuhën e saj të fshehtë, pa
fjalë, me shkëndijimin që buronte nga sytë, vështrimet, atë buzagazin e
mezidukshëm që vibronte në cepat e buzëve e që kishte aq shumë mirësi, lodrimin
e asaj drite mallëngjyese në fytyrë, gjithçka ishte si një pasqyrë e shpirtit,
që vinte së brendshmi, një thirrje, një grishje dëshërimi, që ata se fshihnin
dot dhe zor se do të gjenin fjalë ta shprehnin. Shpesh gjuha dhe fjalët janë të
varfëra për të shprehur pasurinë e ndjenjave. Andrea u shkëput nga ai jerm
molisës ëmbëlcak dhe mori e tha:
-Princeshë, nëse më lejoni t’u pyes, për ku ishit nisur duke çarë detin?
-Me
vullnetin e tim et, Mbretit Robert të Napolit,prej një viti jam e vluara e
Filip de Kurtenay, Perandori Latin i Kostantinopojës dhe Bail i Moresë. Po
shkoja të martohesha.
-E
njihni, desha të them e kini parë të fejuarin tuaj?
-Jo.
As parë, as njohur.
-I lumi ai. Ja kam zili për thesarin që po
merr. Se ju me bukurinë që keni, hiret që ju begatojnë dhe fisnikërinë e
gjakut, jeni një thesar i vërtetë. Nuk ju duket që nisja e udhëtimit, me
shtrëngatën që e ndërpreu është një ogur i keq?
Helena
edhe pse e mikluar nga lëvdata e Andreas, që ç’është e vërteta iu duk ca e
guximshme, ndrroi kahun e bisedës dhe i rrëfeu bashkbiseduesit, tmerrin dhe
lemerinë e lundrimit, shkaktuar nga shtrëngata e paprtiur. Andrea e ndoqi
gjasme me vëmendje, por gjetk i punonte mendja.
-
Princeshë, ne arbrit kemi një të thënë që:” Jo çdo e keqe vjen për keq dhe jo
çdo e mirë vjen për mirë.”
- E
keqja po dihet, të mirën ku e shihni?
- Që u
njohëm bashkë. Duket që dora e fatit u solli për tek mua. Ne jemi bërë për
njëri-tjetrin.
Andrea, më në fund e tha atë që po e mundonte. Priti ndonjë qortim për
guximin e tij, por s’pati përgjigje. Ajo i hoqi sytë prej tij, psherëtiu dhe një tis trishtimi i hijesoi fytyrën e bukur.
- Do
të ktheheni në Napoli?
- Jo.
Andej është nisur një karavelë tjetër që do të më shpjerë atje për ku isha
nisur.
- Dhe
do të martoheni me një të panjohur, vetëm se ai është princ e sundimtar i
Moresë?
- Ky
është fati dhe vullneti i atit tim, mbretit Robert, e që jam e detyruar t’i
bindem, ashtu si çdo fëmijë vendimeve të atit.
Ai
i kapi të dy duart dhe me përdëllim e lutje e pa ngultas në sy.
-Mos Helenë, mos e bëj. Martohu me mua! Bëhu mbretëreshë e zemrës time.
Do të bëj të lumtur, do të dhuroj gjithëçka i takon të ketë një princeshë, një
jetë ëndërrash! Edhe nëse s’jam mbret, populli ynë për këto raste ka një fjalë
”Shokun e mirë e në majë të gurit!”
Ajo i tërhoqi duart dhe u ngrit më këmbë.
-Si guxon?!Me dy herë të parë!
-Është dashuria që ma ushqen guximin.Dashuri me shikim të parë.Kisha
dwgjuar por se kasha besuar, por ja që më ndodhi! Pa guxim e rebelim, nuk arrihet
as dashuria as lumturia. Nuk e dua tani përgjigjen. Mendohu, pyet zemrën,
pastaj më thuaj. Përgjigjen do të vij ta marr nesër, në këtë kohë. Princeshë,
gjer nesër,- tha këto, flakë i kuq në fytyrë,
u përul lehtësisht dhe doli me vrull.
Jashtë
e prisnin trimat. U hipën kuajve dhe Andrea u priu në anëdet duke kalëruar si i
marrë.Trimave s’u tha asnjë fjalë, veç i grahte kalit duke kalëruar me
turravrap si i çakërdisur. Buzëmbrëmjes u kthyen në Krujë. Hynë në një
pijetore.Andrea ishte i dehur edhe pa pirë. Rrëkëllyen qelqet me verë dhe u zdërhallën gjer vonë.
6
Natë e
pagjumë. E shkurtër nata e qershorit, por e gjatë dhe e pasosur lëngata e
Helenës. Dashuria. Amore. Një fjalë e vetme, magjike, shpirtrazuese, sëmundje e
ëmbël, drithëruese, nga e cila ajo nuk donte të shërohej kurrë. Erosi kishte
zbritur nga lartësitë qiellore, me pamjen e Andreas dhe me shigjetën e tij
kishte goditur zemrën e saj. Eliksiri i dashurisë ishte bërë njësh me gjakun,
ushqente mendjen, trazonte mendimet. Ishte si flakë zjarri që po e digjte dhe e
shkrinte të tërën. Andrea ishte pishtari që i ndezi dashurinë, dhe ajo flutura
që sillej rreth flakës së tij, duke e ditur edhe se mund të digjej! Dashuria!
Burim i të gjitha shpresave, pritmërive , të mirave, kënaqësive, por edhe i
psherëtimave, mundimeve të hidhura, mallit dhe pritjes së të dashurit.
Dëshirimit të fjalës së ëmbël, përdëllimit, shikimit të dritësuar, por edhe të
asaj heshtjes që flet dhe grish shpirtërat të bëhen njësh trup e shpirt.
Kthehej e përpëlitej në shtresa, pa gjetur prehje, gjumi ishte arratisur dhe
mendja e trazuar, sillte e përsillte, vegime, ngjarje të dëgjuara , të ndodhura e të pritshme, pa rregull e rend.Në
këtë pështjellim ndjenjash, mbushur me udhëkryqe, ajo nuk arrinte të dinte se
ku duhet ta shpinte rruga që do të zgjidhte. Po kur kthjellohej, kishte vetëm
një përgjigje: Andrea Topia. Vetiu bënte krahasime, në imagjinatë: dy emra, dy
pamje, dy njerëz, dy jetë të pritshme. Filip de Kurtenay, i pa njohur, për të
ai ishte veç një emër, një princ –hije , nga një derë dinastike, me tituj të
trashëguar. Si ishte ai? Të tillë princa e mbretër, kishte parë shpesh në
oborren e atit të saj. Fodullë, mëndjemëdhenj e përbuzës për gjithkënd që
kishin ndën vete, mburravecë, krenarë për atë që ishin dhe zotëronin dhe
servilë e të nënshtruar ndaj atyre që kishin mbi vete. Ata i konsideronin gratë
si ca stoli të oborrit të tyre, kukulla, të bindura e të nënshtruara, si nëna
të trashëgimtarëve dinastikë. Ata kuturisnin dhe i lejonin vetes të dëfreheshin,
flirtonin dhe dashuroheshin me të tjera gra, të oborrit të tyre apo kurtizane
të sërës së lartë.Fryt i një lidhje të tillë jashtmartesore ishte edhe ajo
vetë. Oborret mbretërore! Ajo i njihte me rrënjë. Prapa shkëlqimit të rremë,
ballove dhe jetës mondane, fshiheshin intrigat, dredhitë, komplotet,
tradhëtitë, thika dhe helmi nga një herë edhe spata e xhelatit. Andrea ishte
ndryshe: i ri, i hijshëm, fisnik nga sjelljet dhe gjaku, i dashur, fjalëmbël, i gatshëm për të
sakrifikuar gjithçka për hir të dashurisë që kishte për të. A nuk i tha ai të
djeshmen, atë fjalën e urtë të popullit të vet: ”Me shokun e mirë dhe në majë
të gurit! ”Ajo ishte mbretëresha e zemrës së tij dhe ai mbreti i zemrës së saj.
Ajo po turrej drejt së panjohurës, me një të sapo njohur, por që e donte dhe e
besonte. Po a nuk ishte e tillë edhe jeta që e priste atje për ku e kishin
nisur?
E
dashuronte Andrean. Ishte vullneti i Zotit. Të thënës nuk i shpëton dot as
vdekja!
Ndaj të
gdhirë e zuri gjumi. Gjumë i shqetësuar e plot ëndërra të rrëmujshme.
Kur e zgjoi Çeçilja, dielli kishte kohë që qe
ngritur në lindje. Mëndesha e ndihu të lahej e të vishej, pastaj i shtruan
mëngjesin. Ngjëroi pa oreks një rriskë bukë të ngrohtë me mjaltë dhe një gotë
qumësht. Çeçiljen që e njihte që fëmijë, e merakosi pamja e saj si epërhumbur
dhe hija e atyre dy gjysmë hënëzave posht syve të bukur.
- Çfarë e shqetëson kanakaren time?
Helena
e vonoi përgjigjen.Mëndesha e kishte rritur, ishte si të qe nëna e saj. Asaj,
ashtu si edhe nënës, nuk mund t’ia fshihte.
- Kam
rënë në dashuri!
Çeçilja
e mori për shaka. Helena i kishte qejf hokat. Dhe iu përgjigj po me shaka.
- Kush
është ai trim që i ka rrëmbyer zemrën pëllumbeshës sime?
- Një
arbër, Andrea Topia, biri i kryezotit të Arbërisë, që ti e pe si kalorës në
ranishten e bregdetit, dhe dje, që na uroi mirseardhjen në emër të atit të vet.
Çeçilja
u step.Helena fliste ngadalë, me fjalë të shkoqura dhe pamje fytyre të
vendosur. Kjo nuk ishte më shaka.
- Edhe?
-Më do
dhe e dua. Do të martohemi. Gjeta fatin dhe dashurinë time. Rruga ime mbaron këtu. Ti, Nënolja ime dhe zonjat e
shoqërimit do të ktheheni në Napoli. Je dëshmitarja e vetme që do t’i kumtosh
mbretit atë që ndodhi dhe që do t’i thuash se unë gjeta dashurinë dhe burrin e
jetës dhe që ika me ‘të me dëshirën time. Do të ikim sonte mbrëma. Askush nuk
duhet ta dijë. Mëkëmbësi i mbretit le ta marrë vesh nesër. Do ti thuash të mos
bëjë asnjë veprim, as të dërgojë ambassador në Krujë.
Çeçilja u çmerit,mbeti, u ndodh para një befasie të pa spjegueshme.
Pastaj me pjekurinë dhe mençurinë e moshës, e këshilloj të hiqte dorë nga ky
trill që ngjante si çmenduri, të mos shkelmonte zgjedhjen e atit të saj,
mbretit, të mos e turpëronte atë me këtë
skandal të përmasave të mëdhaja. Por qe e kotë. Iu lut ta linte vetëm me
padurimine saj.
Ajo e
Priste Andrean, ashtu siç prêt toka e rreshkur shiun e verës, ai ishte shiu që do të shuante zjarrminë e saj që po i
zinte frymën. Më së fundi ai erdhi.Bashkë me të hyri drita, shpresa, gëzimi.Ajo
u ngrit më këmbë dhe i doli përpara. Andrea priste një fjalë, një të vetme ,që
do të ishte lumturia apo fatkeqësia dhe vuajtja e tij. Midis tyre ishte një
hap,që mund të ishte humnera apo rruga për në parajsë. Helena mori e tha:
-Andre Topia, po në rast se Helena d’Anzhu, nuk i përgjigjet dashurisë
sate ,ti çfarë do të bëje?
-Do
ta rrëmbeja, ashtu siç rrëmben shqiponja prenë e saj- tha ai pa asnjë mëdyshje.
-Atëhere rrëmbemë!
Ai
e kapërceu atë hap që i ndante, e përqafoi me krahët e tij të fuqishëm, e
ngriti hopa si të ishte pupël, u rrotullua
mu si qerthull, buzët u puqën dhe sosh rrodhi mjaltë që u pikoi në
shpirt e zemër. Me të në prehër u ul butësisht në divan dhe shestuan arratisjen
e tyre fatlume, si tw ishte fillimi injë feste të pafund.
Vijon
Mars 2018.
Comments
Post a Comment