Letërsi e munguar

Letërsi e munguar
 
               MARGUERITE  DURAS
    HIROSHIMA MON AMOUR
               (Hiroshima dashuria ime)
                        Skenar letrar për film artistik
 
 
Realizuar në film nga regjizori: ALEN RENE
Fitues i Çmimit të Madh "Palma e artë" në Festivalin IX të Filmit Ndërkombëtar në Kanë 1959
Në rolet kryesore: Emmanuele Riva (Ajo), Eiji Okada (Ai), Stela Dasas, Bernad Freson, Pjer Barband. 
 
        Këpurdha e bombës atomike pasi shfaqet për pak çaste në ekran shndërrohet më pas në dy shpatulla të zhveshura. Njëra lëkurë verdhë dhe tjetra lëkurë bardhë. Pas kësaj dëgjohet zëri i një burri:
          Ai: - Ti nuk ke parë asgjë në Hiroshima.
          Një zë gruaje përgjigjet:
          Ajo: - Unë i kam parë të gjitha. Të gjitha.
          (Në ekran duket figura e shpatullave që përkëdhelen)
          Ai: - Ti nuk ke parë asgjë në Hiroshima.
          Ajo: - Edhe spitalet e mbushura plot i pashë. Jam shumë e sigurt për këtë. Madje, spitalet ekzistojnë ende në Hiroshima. Si mund të mos i shihja!
          (Në ekran figura paraqet spitalin, shkallët që të ngjisin atje, përpara kameras portrete të sëmurësh. Dhe sërish mbi shpatulla duart ledhatonjëse)
          Ai: - Ti nuk i ke parë spitalet e Hiroshimës. Ti nuk ke parë asgjë në Hiroshima. (Në ekran sërish shfaqen spitalet. Tabllo reale dokumentare. Plane të gjëra pas bombardimit. Rrënoja shtëpish të shembura. Lëkurë e flokë të djegur).
          Ajo: - Katër herë kam qenë në muze.
          Ai: - Në cilin muze?
          Ajo: - Katër herë në muze të Hiroshimës. Kam parë vargun e pafund të njerëzve që kalonin para eksponateve. Të gjithë ishin të menduar teksa kalonin përpara fotografive të bëra para nisjes së rindërtimeve. (Kuadrot filmike paraqesin njerëz përballë njëri tjetrit. Sërish fotografi të shumta nga puna për rindërtimin. Ciceronë që spjegojnë). I kam parë. Katër herë në muze. Kam parë hekurin. Hekurin e djegur. Të shkrirë. Kam parë lëkurë njerëzish të dallgëzuar, që ende jeton, e ka akoma freskinë e frymëmarrjes së vet. Kam parë gurë. Gurë të shkrirë. Flokë anonimë të grave e vajzave të Hiroshimës u gjendën grumbull në mëngjez, në agim. Kisha vapë në "Sheshin e Paqes". Dhjetëmijë gradë në "Sheshin e Paqes". Unë e di. Temperatura e diellit në "Sheshin e Paqes". Si mund t'i lija?
          Ai: - Ti nuk ke parë asgjë në Hiroshima.
          (Vazhdojnë pamjet filmike me plane të muzeut, pas kësaj zbulohet pamje nga "Sheshi i Paqes". Eksponatet e muzeut me menikinë të djegur. Sekuenca pamjesh nga filmi japonez mbi bombardimin. Njerëz tullacë. Një femër vrapon në kaos etj...)
          Ajo: - Rindërtimi i qytetit u bë me shumë seriozitet. Filmat gjithashtu u bënë me shumë seriozitet. Tablloja ishte tejmase reale sa të gjithë turistët qanin. Eh ç'mund të bëjnë tjetër turistët, vetëm se të qajnë? Unë gjithmonë kam qarë për Hiroshimën. Gjithmonë.
          (Pamje e plotë e një fotografie të Hiroshimës realizuar fill pas rënies së bombës. Një shkretëtirë e re, e pangjashme me asnjë shkretëtirë tjetër në botë).
          Ai: - Për çfarë do të kishe qarë?
          Ajo: - Kam parë kronikat (sekuenca filmike nga të cilat shfaqen në ekran, shkretimi i shkaktuar nga bomba dhe shpatullat). Ditën e dhjetë thotë historia, gjithë qëniet e gjalla u kthyen në hi. U shkundën. Qentë u fotografuan. Unë i kam parë. Ditën e parë. Ditën e dytë. Ditën e tretë.
          Ai: - Ti nuk ke parë asgjë. Asgjë.
          (Në ekran duken qen, që shkunden si hi. Njerëz. Fëmijë. Fëmijë të djegur, që klithin nga dhimbjet)
          Ajo: - Ditën e pesëmbëdhjetë gjithashtu. Hiroshima u mbulua me lule. Lulet u rritën menjëherë, i ndihmoi hiri.
          Ai: - Ti nuk ke parë asgjë.
          Ajo: - Nuk kam lënë asgjë. Përderisa në dashuri ekziston iluzioni se asgjë kurrsesi nuk mund të harrohet. Unë mund të them me bindje të plotë se asgjë nuk mund të harroj nga Hiroshima. Apsolutisht asgjë, si në dashuri.
          (Bisturia në dorën e një kirurgu i drejtohet një krahu të dëmtuar për ta prerë. Të tjera kronika në vazhdim).
          Ajo: - Unë pashë edhe çfarë kishte në barkun e grave të Hiroshimës. (Një fëmijë i bukur kthehet në pozicion ballor, nga ku dallojmë që ai është i grryer nga bomba. Një vajzë e re e djegur shikohet në pasqyrë. Një vajzë e verbuar luan në kitarë. Një grua lutet mbi fëmijët që vdesin. Një burrë vdes).
          Ajo: - Unë kam parë durimin, pafajsinë, butësinë me një jetesë kaq të përkohëshme në Hiroshima. (Gjithnjë vazhdon përkëdhelja e ledhatonjëse e trupave të zhveshur). Dëgjo...Unë i di. I di të gjitha.
          Ai: - Ti nuk di asgjë.
          (Në ekran shfaqet reja atomike. Njerëzit në rrugë ecin nën shi. Peshq që ngordhin në ujë).
          Ajo: - Femrat rrezikonin të lindnin fëmijë përbindësha, por prap kishin shumë dëshirë të sillnin në jetë foshnje. Meshkujt burra rrezikonin të bëheshin impotentë, por vazhduan përsëri. Shiu të tremb. Shiu i hirit mbi ujin e Paqësorit. Peshkatarët e oqeanit vdiqën. Peshqit gjithashtu. Qytete të tëra iu ngritën me zemërim (Kronika nga manifestimet).
          Ajo: - Kundër kujt? (Kortezh i pambarimtë i manifestuesve. Fjalime që buçasin nga altoparlantet). Dëgjomë mua. Ashtu si ti, unë di të harroj.
          Ai: - Jo. Ti nuk di të harrosh.
          Ajo: - Ashtu si ti, unë kujtesën e kam të dyshimtë. Unë di të harroj. Dëgjomë mua. Unë di dhe gjëra të tjera. Dy qind mijë të vdekur, tetëdhjetë mijë të plagosur. Në nëntë sekonda. Këto janë shifra zyrtare.
          (Pemë. Kisha. Hiroshima e rindërtuar).
          Ajo: - Do të jetë dhjetë mijë gradë mbi tokë. Dhjetë mijë diej. Asfalti do të digjet. (Pamjet në ekran: Kisha, reklama japoneze). Do të mbijetojë një shrregullsi. Gjithmonë do të gjendet një qytet tjetër për t'u kthyer në hi. (Rërë. Pamje filmike nga një park me emrin "Paqja") Mbi rërë do të mbijë sërish bari i ri. (Kuadri paraqet katër studentë të vdekur buzë lumit. Rrjedha e lumit. Këneta. Platforma e brigjeve të rindërtuar të Hiroshimës). Katër studentët bënë njëherësh së bashku një vdekje vëllazërore, që do të mbetet legjendare. (Pamje nga rrugët e Hiroshimës. Përsëri rrugë pa fund. Ura. Rrugë. Periferi e qytetit. Binarë hekurudhorë. Sërish periferi e qytetit. Banalitet i përgjithshëm). Unë të takova ty. Më kujtohesh ti. Kush je ti? Ti më vrave. Ti më bëre të mira. Si të mos e besoj se ky qytet është bërë pikërisht për dashuri? Si të mos e besoj se ti je bërë pikërisht për trupin tim? Ti më pëlqen. Çfarë lehtësie! Çfarë ëmbëlsie! Ti këtë nuk mund ta dish, jo? (Portreti i gruas përballë burrit). Eshtë budallallëk që ti ke lëkurë kaq të bukur. Ti..... (Japonezi pranë buzëqesh).
          Ai: - Po. Eshtë e vërtetë që kam lëkurë të bukur.
          Ajo: - Ti je japonez apo gjysëm japonez?
          Ai: - Komplet japonez. Ti ke sy të gjelbërt. Apo jo?
          Ajo: - Besoj...besoj se janë të gjerbërt.
          Ai: - Ti je si një mijë femra së bashku.
          Ajo: - Kjo ndodh ngaqë nuk më njeh.
          Ai: - Ndoshta pikërisht nga kjo.
          Ajo: - Mua nuk më pëlqen fare të jem si një mijë femra së bashku. (Përqafohen. Ajo e ka kthyer kokën nga dritarja e hapur, nga ku duket Hiroshima natën)
          Ajo: - Dëgjo. Eshtë ora katër e mëngjezit.       
          Ai: - Përse?
          Ajo: - Atje jashtë po kalon një njeri. Ai kalon gjithmonë në orën katër. Nuk e di përse. (Heshtje. Ata shihen në sy). Ti ke qenë në Hiroshima atëhere?
          Ai: - (Duke buzëqeshur) Sigurisht që jo.
          Ajo: - Ah, po.....vërtet kështu është.
          Ai: - Familja ime ka qenë. Unë isha në luftë.
          Ajo: - Shans, apo jo?
          Ai: - Po.
          Ajo: - Një shans gjithashtu edhe për mua.
          Ai: - Përse je në Hiroshima?
          Ajo: - Për film.
          Ai: - Çfarë filmi?
          Ajo: - Unë luaj një film.
          Ai: - Përpara se të vije në Hiroshima, ku ke qenë?
          Ajo: - Në Paris.
          Ai: - Dhe përpara se të ishe në Paris?
          Ajo: - Kam qenë në Nevers....Ne-vers.
          Ai: - Nevers?
          Ajo: - Eshtë në Nievre. E di? (Pauzë). 
          Ai: - (Në pyetjen e tij ai duket sikur i lidh në një fjalë Nevers me Hiroshimën). Dhe përse dëshiron t'i shikosh të gjitha në Hiroshima?
          Ajo: - Më intereson. Unë kam idetë e mija.
 
=======
 
          Në rrugë kalon një biçikletë. Rrotat e saj xhirojnë lirshëm. Ajo është në ballkonin e dhomës së hotelit. Pi kafe. Ai ende fle. Ajo e sodit. Ai duket si trupi i një njeriu të vdekur në breg të lumit. Duart e njeriut të vdekur janë të njejta me të japonezit. Ato lëvizin si në agoni. Ky imazh prishet menjëherë. Ai ngrihet nga gjumi. Buzëqesh.
          Ajo: - Dëshiron një kafe? (Ai merr kafen) Për çfarë po ëndërroje?
          Ai: - Nuk e di....Pse?
          Ajo: - Unë po të shikoja duart. Ato dridheshin kur flije.
          Ai: - Unë po flija....Ku ta di?
          (Ato gjenden në dush bashkë. Janë të gëzuar. Ai i vë lehtë dorën mbi ball) 
          Ai: - Ti je një grua e bukur. E di?
          Ajo: - Kështu të duket ty.  
           Ai: - Kështu.
          Ajo: - Pak e lodhur apo jo?
          Ai: - Pak e plogësht (Buzëqesh). Këtë e vura re dje në kafe. Dhe pastaj.
          Ajo: - Dhe pastaj.
          Ai: - Ti u mërzite (Ajo bën një gjest gjithë kureshtje)
          Ajo: - Pa hë...
          Ai: - Ti u mërzite nga mënyra se si një burrë fton një grua për ta njohur.
          Ajo: - (Buzëqesh duke ulur sytë) Ti flet mirë frëngjisht.
          Ai: - Me gjithë mend! Jam shumë i kënaqur që më në fund e vure re. (Pauzë) Unë nuk e kam vënë re që ti nuk flisje japonisht. Kështu i vë re ti të gjithë gjërat?
          Ajo: - Jo. Unë vura re vetëm këtë, (Qeshin).
 
========
 
          Pas banjës ulen në ballkon. Ajo është me penjuar. Ai vjen dhe ulet përballë saj. Eshtë me këmishë.
          Ai: - Çfarë ka qenë për ty në Francë Hiroshima?
          Ajo: - Fundi luftës. Dhe më pas fillimi i një frike të panjohur. Dhe pastaj indiferenca dhe sërish frika nga indiferenca. 
          Ai: - Ku u ndodhe ti?
          Ajo: - Isha rrugës. Po largohesha nga Neversi. Shkoja në Paris.
          Ai: - Eshtë një fjalë e bukur kjo Nevers në frëngjisht.
          Ajo: - Eshtë një fjalë si gjithë të tjerat. Emër qyteti.
          (Ai qëndron ulur në krevat dhe ndez një cigare. Ajo bëhet gati të shkoj e të ulet në shtrat pranë tij)
          Ai: - Ke njohur shumë japonezë në Hiroshima?
          Ajo: - Kam njohur...por si ty, jo.
          Ai: - Unë jam japonezi i parë në jetën tënde?
          Ajo: - Po (I jep fund tualetit të pas banjës). Hi-ro-shi-ma.
          Ai: - E gjithë bota është e gëzuar. Ti ishe e gëzuar me gjithë botën? Ka qenë ditë e bukur në Paris ajo ditë apo jo?
          Ajo: - Ishte ditë me mot shumë të bukur, po.
          Ai: - Ç'moshë kishe?
          Ajo: - Njëzet vjeçe. Po ti?
          Ai: - Njëzet e dy.
          Ajo: - E njejta moshë.
          Ai: - Pothuajse, po.
          (Ajo nuk shtrihet në krevat pranë tij, por vishet si infermiere. Këtë rol ka në filmin, që ka ardhur për të luajtur. Ulet pranë tij. Luajnë me duar. Ajo e përqafon).
          Ajo: - Me çfarë pune merresh?
          Ai: - Me arkitekturë. Dhe pastaj me politikë.
          Ajo: - Ah, kjo qenka arsyeja që fliske mirë frëngjisht?
          Ai: - Po. Për të lexuar revolucionin francez. (Qeshin). Ç'është ky film që luan ti?
          Ajo: - Një film për paqen. Çfarë filmi tjetër mund të xhirohet në Hiroshima përveç një filmi për paqen?
          (Tashmë ai dhe ajo janë duke ecur në rrugë)
          Ai: - Do desha të të shihja përsëri.
          Ajo: - Nesër në këtë orë nisem për në Francë.
          Ai: - Me gjithë mend? Ti nuk më the gjë.
          Ajo: - Po. Nuk të thash gjë.    
          Ai: - Kjo është arsyeja që ti më le të vija në dhomën tënde mbrëmë? Sepse ishte dita e fundit në Hiroshima?
          Ajo: - Jo. Unë nuk e mendova një gjë të tillë.
          Ai: - Kur ti flet unë nuk e di gënjen apo thua të vërtetën.
          Ajo: - Gënjej. Edhe them të vërtetën. Por, ty nuk kam përse të të gënjej.
          Ai: - Më thuaj, ke shumë histori të tilla si kjo?
          Ajo: - Jo shpesh. Po ndodhin. Mua më pëlqejnë djemtë. Unë jam me moral të dyshimtë apo jo?
          Ai: - Çfarë quan ti moral të dyshimtë?
          Ajo: - Të dyshosh në moralin e të tjerëve.
          Ai: - Unë dua të të shoh. Edhe pse avioni niset nesër. Edhe pse ke një moral të dyshimtë apo jo?
          Ajo: - Jo. 
          Ai: - Pse?
          Ajo: - Sepse....(Hesht)
          Ai: - Unë do desha të shiheshim sërish. (Pauzë. Ecin). Ku shkon ti, në Francë? Në Nevers?
          Ajo: - Jo. Në Paris. Në Nevers unë nuk shkoj më kurrë.
          Ai: - Kurrë?
          Ajo: - Kurrë. Në Nevers kam qenë në moshën më të re të jetës time.
          Ai: - E re në Nevers?
          Ajo: - Po. E re në Nevers. Dhe pastaj një herë e çmendur në Nevers.(Rreth tyre ka zhurmë dhe për këtë shkak u duhet të ngrenë zërat). Neversi është qyteti për të cilin unë nuk mendoj kurrë, por ëndrrat i shoh gjithmonë atje.
          Ai: - Si ishte ajo çmenduria jote në Nevers?
          Ajo: - Një histori. Mua më thoshin se mund të kisha bërë karrierë në maskaralli. Kupton?
          Ai: - Po.
          Ajo: - Eshtë e vërtetë dhe që ti duhet të më kuptosh.  
           Ai: - Nuk e ke nisur kurrë sërish atë histori?
          Ajo: - Jo. Ajo ka mbaruar.
          Ai: - Gjatë luftës?
          Ajo: - Menjëherë pas saj.
          Ai: - Kjo bën pjesë në vështirësitë e jetës së francezëve pas luftës?
          Ajo: - Si të thuash.....!
          Ai: - Unë dua të rri me ty edhe disa ditë, një farë kohe, një herë të vetme.
          Ajo: - Edhe unë gjithashtu.
          Ai: - Do rishihemi nesër. (Ai hipën në taksi)
          Ajo: - Jo.
 
=======
 
          "Sheshi i paqes" në Hiroshima, ora katër mbasdite. Nga larg duket një grup kineastësh që afrohen teksa mbajnë mjetet e xhirimit. Puntorë japonezë rregullojnë fasadat e rrugës që do të shërbejë për xhirimin e sekuencës së fundit të filmit. Në mes të këtij dekori ndodhet francezja. Ajo po dremit.
          Askush nga njerzit, me përjashtim të fëmijëve nuk i kushton rëndësi filmit. Midis tyre kalon një njeri. Eshtë japonezi i hotelit. Ai afrohet tek infermierja. Eshtë vështrimi i tij, që e bën atë të zgjohet. Ajo ngrihet. Ajo shkon e heshtur pas tij.
          Ai: - Ishte e lehtë të të gjeja në Hiroshima.
          (Midis tyre futet një pllakat ku janë fëmijë të djegur nga bomba) Eshtë film francez?
          Ajo: - Jo. Dokumentar. Mbi paqen.
          Ai: - Mbaroi?
          Ajo: - Për mua mbaroi. Duhet xhiruar vetëm skena e turmës.
          Ai: - Këtu në Hiroshima nuk mungojnë filmat për paqen. Je e lodhur?
          Ajo: - Si ti.
          Ai: - Unë po mendoja për Neversin në Francë....(Pas pak shton) Po mendoja për ty.
          Ajo: - (Hesht)
          Ai: - Mbete ajo që do të ikësh nesër?
          Ajo: - Po.
          Ai: - Patjetër nesër.
          Ajo: - Po. Filmi është vonuar. Ka një muaj që më presin në Paris.
          (Ai i heq kapelen e infermieres)    
          Ai: - Ti vetë më ke ftuar të të dua.
          Ajo: - Thuhet se natën do të ketë stuhi.
          (Dëgjohen këngët e fëmijëve. Korale. Në qiell retë grumbullohen si me vërtik. Turma e njerëzve me pankarta vërshon në rrugë). 
            Seria e parë e pankartave
1 - Në qoftë se një bombë atomike kushton sa 20 000 bomba të zakonshme.
2 - Dhe në qoftë se bomba H kushton sa 1 500 bomba atomike.
3 - Sa kushtojnë 40 000 bomba A dhe H, që prodhohen sot në botë?
4 - Po të lëshohen 10 000 bomba, bota do të kalojë në prehistori.
5 - Po me 40 000 bomba?
          Seria e dytë e pankartave   
I - Ky rezultat i dedikohet inteligjencës shkencore të njerëzve.
II - Por, të vjen keq që inteligjenca politike e njerëzve është 100 herë më pak e zhvilluar se inteligjenca e tyre shkencore.
III - Dhe ne rrimë e admirojmë njeriun për këto.
          (Burra, gra fëmijë këndojnë dhe bërtasin. Qentë ndjekin fëmijët. Dritaret janë me mace që vëzhgojnë. Pankarta. Pankarta. Gjithë bota është e nxehtë. Qielli lart është i errët. Dielli është i mbuluar nga retë. Fëmijët janë të panumurt, të bukur. Ata këndojnë gjithë qejf).
          Ai: - Unë nuk dua të mendoj për ikjen tënde. Besoj se të dua. Ti do të vish me mua edhe një herë. (Ajo nuk i thotë gjë. Kalon një franceze e bukur. Ulet në një karrocë). M'u përgjigj! (Ajo hesht). Ke frikë?
          Ajo: - Jo.
          (Kalojnë të fundmit e turmës. Pas kësaj kuadrot filmike paraqesin një shtëpi tipike japoneze nga brënda. Francezja qëndron si mysafire).
          Ai: - Ulu.
          (Ajo nuk ulet. Mbesin në këmbë të dy. Sodisin njëri tjetrin)
          Ajo: - Ti je vetëm në Hiroshimë? Gruaja jote ku është?
          Ai: - Ajo ndodhet në Unzen, në malësi. Unë ndodhem vetëm.
          Ajo: - Kur do të kthehet?
          Ai: - Këto ditë.
          Ajo: - Si është gruaja juaj?
          Ai: - E bukur. Unë jam i lumtur me gruan time.         
          Ajo: - Edhe unë jam e kënaqur me burrin tim.
          Ai: - Eshtë historia që....!?
          (Bie zilja e telefonit. Ai përqafon atë francezen)
          Ajo: - Nuk punon mbasditeve?
          Ai: - Po.
          Ajo: - Eshtë një histori idiote. (Zilja e telefonit vazhdon, por ata janë të përqafuar). Prej meje e humbe mbasditen.
          Ai: - (Nuk i përgjigjet)
          (Kuadrot filmike i paraqesin ata në krevat. Pas dashurisë). 
          Ai: - Ishte francez njeriu që deshe pas luftës?
          Ajo: - Jo. (Në figurë është Neversi. Një gjerman kalon buzë lumit. Pamjet paraqesin imazhin e një dashurie në Nivers. Zhvillohen gara me biçikleta. Pylli, gërmadhat etj). Në fillim takoheshim në pyll. Më pas në gërmadha. Dhe pastaj në dhomë. Si kudo. (Hiroshima. Drita në dhomë bie dalëngadalë). Pastaj ai vdiq. (Në Nivers. Imazhe nga qyteti. Lumi. Bregu. Plepat në arë. Bregu i shkretë. Kopshti. Dhe pamjet filmike paraqesin sërish Hiroshimën). Unë isha 18 vjec, ai ishte 23. (Kuadrot rikthehen sërish në Nevers. Natë. "Martesa në Nevers". Mbëshetur rrëzë një muri). Përse të flasim për të më shumë se për të tjerët? 
          Ai: - Përse jo? 
          Ajo: - Jo nuk bën.
          Ai: - Pikërisht prej Neversit unë nisa të të njoh. Dhe midis mijëra gjërave nga jeta tënde unë zgjodha Neversin.
          Ajo: - Si gjithë të tjerat.
          Ai: - Po. Nuk duhet të jetë kjo. Duhet të ketë një arsye. Nga Neversi unë të kuptoj. Atje ishe më e re se kurrë. Kjo më pëlqen. Nuk e di pse më duket, atje ti ke qenë po kjo që ka mbetur në natën e sotme.
          Ajo: - Dua të iki që këtu.
          (Ata ndodhen në dhomën ku u zhveshën në fillim. Vishen të qetë)
          Ai: - Nuk na ka mbetet gjë tjetër për të bërë, vetëm sesi ta vrasim kohën që na ka mbetur deri sa të niset avioni. Janë gjithsej 16 orë.
          Ajo: - Janë shumë.
          Ai: - Jo. Vetëm se ti nuk duhet të kesh frikë.
 
=======
 
          Mbi lumin e Hiroshimës bie nata. Një kafene buzë lumit. Moderne. Eshtë pikërisht caku ku mbaron Hiroshima dhe fillon Oqeani Paqësor. Ata janë ulur në një tavolinë në fund të sallës. Ballë për ballë me faqet pranë e pranë.
          Ai: - Nuk do të thotë ndonjë gje tjetër në frëngjisht fjala Nevers.
          Ajo: - Jo. Asgjë.
          Ai: - Ti duhet të kesh patur ftohtë në bodrumet e Neversit.
          Ajo: - Duhet të kem patur. Në Nevers bodrumet janë të ftohtë në verë edhe në dimër. Qyteti është ngritur në bregun e lumit Luar.
          Ai: - Nuk mundem ta përfytyroj Neversin.
          Ajo: Nevers 40 000 banorë. Ndërtuar si kryeqytet (Kuadri paraqet Neversin dhe Luarin). Unë kam lindur në Nevers dhe jam rritur. Kam mësuar të lexoj në Nevers. Atje kam qenë 20 vjeçe.
          Ai: - Dhe Luari?
          Ajo: - Eshtë një lumë i palundrueshëm. Gjithmonë bosh prej rrjedhës së tij të parregullt dhe prej rërës. Në Francë Luarin e mbajnë për një lumë shumë të bukur.    
            Ai: - Kur ti ishe në bodrum, unë isha i vdekur.
         Ajo: - Ti ishe i vdekur dhe....(Nevers. Ushtari bie mbi breg). Si mund ta përmbaja një dhimbje të tillë? Bodrumi ishte i vogël. Shumë i vogël. Marsejeza më ushtonte në kokë. Ishte...kështu...E shurdhët! (Pas kësaj ashtu siç është ulur në kafene ajo mbyll veshët. Bodrumet e Neversit). Duart ishin të padobishme në bodrumet e Neversit... Mua më pëlqente shija e gjakut, deri kur provova shijen e tij (Imazhet e Neversit gërshetohen me planet e të dyve në kafene duke pirë). Shoqëria më vërtitet në kokë. Në vend të qiellit. Unë e ndjeja se si ecte kjo shoqëri. Emrin tënd gjerman. Vetëm emrin tënd. Unë nuk kam kujtesë tjetër veç emrit tënd. (Dhomë në Nevers. Britma të heshtura). Unë premtova se nuk do të thërrisja më dhe u ngjitëm sërish në dhomë. Unë nuk mundja më të thërrisja. 
          Ai: - Kishe frikë?
          Ajo: - Kisha frikë. Nga bodrumet. Nga dhoma. Kisha frikë se nuk do të shoh më kurrë...Një ditë, unë isha njëzet vjeç...Isha në bodrum. Dhe mamaja erdhi të më thoshte, se isha njëzet vjeç...Mamaja qante.
          Ai: - Ngjan më mamanë?
          Ajo: - Po.   
        Ai: - Pi.
          Ajo: - Po (Ngre gotën). Pastaj unë nuk di asgjë...Dikur erdhi një mace dhe pa (Një mace futet në bodrum dhe shikon këtë grua). Pastaj nuk di gjë.
          Ai: - Sa Kohë?
          Ajo: - Pafundësisht...!
          (Një burrë klient i lokalit lë tryezën dhe vëndos në xhuboks një disk me këngë franceze. Në një shpellë të Neversit shkëlqejnë sytë e një maceje. Në Hiroshima francezja thërret me zë të lartë).
          Ajo: - A! Kam qenë e re një ditë. (Pamjet filmike vendosen në Nevers). Kur u err nëna më tha të zbrisja në kopësht. Dhe të ikja. Unë desha të të takoja ty.
          Ai: - Budallaqe.
          Ajo: - Unë isha e çmendur nga dashuria për ty. Flokët më rriteshin për ditë. I ndjeja të tepërt (Në Nevers ajo kalon dorën nëpër flokë).
          Ai: - Ti bërtite përpara bodrumit?
          Ajo: - Jo. Unë nuk ndjeva asgjë. Ti ishe i vdekur. Unë nuk ndjeva veçse zhurmën e të gërshërëve mbi kokë....Kjo më kujtonte pak vdekjen tënde...si...Ah! Çfarë dhimbjeje, çfarë dhimbjeje në zemër. Ku këndohej Marsejeza, në gjithë qytetin. Erdhi dita. I dashuri im i vdekur është një armik i Francës. Dikush.
          Ai: - Dhe pastaj, një ditë e dashura ime ti dole nga përjetësia..... 
          (Kuadri filmik paraqet dhomën në Nevers. Francezja e çmendur). 
          Ajo: - Po. Në orën gjashtë të mbrëmjes katedralja e Sent Etienit ushton, verë dhe dimër. Një ditë është e vërtetë, e dëgjova. Më kujtohet se e kisha dëgjuar para shumë kohësh, kur unë isha në lumturinë tonë. Fillova të shoh. Më kujtohej se e kisha parë para shumë kohësh, kur isha në lumturinë tonë. Më kujtohej. Pashë ditën. Pashë veten të gjallë dhe ty të vdekur. Pashë jetën time që vazhdonte dhe vdekjen tënde që vazhdonte. Dimri mbaroi. Ah! Eshtë e tmerrshme. Unë nisa të kujtohem për ty. Duhej të të takoja në mesditë në breg të Luarit. Ti nuk ishe. Gjithçka ishte e vdekur. Dikush kishte qëlluar nga një kopësht aty pranë. (Kopshti buzë Luarit). Unë ngela pranë trupit tënd gjithë ditën dhe gjithë natën që erdhi. Të nesërmen në mëngjez e morën dhe e hodhën në një kamion. Ishte nata e çlirimit të Neversit. Këmbanat e Sent Etienit binin...binin...Unë kisha fjetur mbi të...midis trupit të tij të vdekur dhe trupi tim unë nuk shihja asnjë ndryshim...Kupton? Ishte dashuria ime e parë (Japonezi e qetëson). Dhe pastaj....një ditë unë bërtita sërish. Atëhere më vunë në bodrum. Pas kësaj nuk bërtita më. U bëra e arsyeshme. Një natë ishte festë më lan të ikja. Nëna më tha të nisesha natën për në Paris. Ajo më dha para. U nisa natën me biçikletë për në Paris. Të pasnesërmen kur arrita në Paris, emri Hiroshima ishte mbi të gjitha gazetat. Flokët më ishin rritur pak. Isha në rrugë me njerzit (Dikush ndërron muzikën në xhuboks). Kanë kaluar katërmbëdhjetë vjet. Sot m'u kujtuan të gjitha. Po një ditë nuk do të më kujtohen më. Asgjë. Nesër do të jem mijëra kilometra larg teje.
          Ai: - E di burri yt këtë histori?
          Ajo: - Jo.
          Ai: - Vetëm unë e di. Apo jo?
          Ajo: - Po.
          Ai: - Unë hesht.
          Ajo: - Hesht! (Pas pak) Ah sa mirë do të isha me dikë edhe një herë tjetër.
          Ai: - Thuam ende ndonjë gjë.
          Ajo: - Thuaj ti.
          Ai: - Pas disa vitesh kur histori të tjera si kjo do të hyjnë midis nesh, unë do të kujtoj ty si simbol të harresës në dashuri. 
          (Në kafene hyjnë disa njerëz)
          Ajo: - Në Hiroshima nuk ka kurrë natë.
          Ai: - Asnjëherë.
          Ajo: - Sa më pëlqejnë qytetet ku nuk ka natë! Njerzit janë zgjuar ditën dhe natën. (Pronari i kafenes ndez llampën. Disku në xhuboks mbaron. Ajo ngrihet. Ai pas saj). Duhet evituar të menduarit për këto vështirësi, që paraqet bota ndonjëherë.
          (Ndodhen në breg të lumit. Shikojnë qiellin).
          Ai: - Ende nuk ka zbardhur.
          Ajo: - Jo. Gjasat janë janë që ne të vdesim pa u parë, më kurrë.
          Ai: - Gjasat janë. Ndoshta një ditë lufta...
          Ajo: - Po, lufta...
 
=======
 
          Ka kaluar ca kohë. Ata ecin në rrugë. Pastaj në hollin e hotelit. Ajo merr një çelës. Pastaj ngjitet nëpër shkallë. Hap derën e dhomës. Pastaj e mbyll atë duke grumbulluar disa rroba në mes të dhomës.
          Ajo: - Besoj se e di. Dhe pastaj jo. Kurrë. Ajo kishte në Nevers një dashuri me një të ri gjerman....Ne do të shkonim në Bavari dashuria ime dhe do të martoheshim. Ajo asnjëherë nuk kishte qenë në Bavari. Ti nuk ke vdekur, jo...Unë e tregova historinë tënde...Unë shkova këtë natë me një të njohur...Unë e tregova historinë tonë. Siç e sheh ajo Neversit është e tregueshme...Shiko si të kam harruar!
          (Ajo sheh në xhamat e dritares sytë e përlotur shkrirë me Hiroshimën)
 
======
 
          Pastaj gjendet e ulur në një bar. Pranë saj është ai.
          Ajo: - (Monolog i brëndshëm) Dua të mbetem në Hiroshima. Me të. Çdo natë.
          Ai: - Qëndro në Hiroshima.
          Ajo: - Sigurisht do qëndroj në Hiroshima me ty (Pas kësaj pendohet). Jam shumë fatkeqe. Andej më presin të gjithë. Ik tani. Edhe ty të presin. 
          Ai: - Eshtë e pamundur të të le.
          (Ndodhen në një bulevard. Dalëngadalë zbardh. Ajo ecën para ai pas saj).
          Ai: - Qëndro në Hiroshima me mua.
          Ajo: - (Monolog i brendshëm) Ai do të vijë pas meje, ai do të më kapë nga pas shpatullat, ai do të më për-qa-fo-jë. Ai do të më përqafojë dhe do të jem e humbur (Ajo ikën duke nxituar, ai jo). Unë të takova. Më kujtohesh ti. Ky qytet është bërë për dashuri. Ti je bërë pikërisht për trupin tim. Kush je ti? Ti më ke vrarë. Kam uri. Unë për pabesnikëri, për mëkate dhe për vdekje. Të kam pritur me padurim... Më përqafo. Më shtrëngo fort. Dërmoje imazhin tim aq sa askush pas teje të mos kuptojë, përse kam kaq shumë dëshira. Nata nuk po mbaron. Dita nuk po ngrihet më mbi njerzit. Ti më ke vrarë. Ti më ke bërë të mira.
          (Ai i del përballë për herë të fundit).
          Ai: - Ndoshta është e mundur që ti të qëndrosh.
          Ajo: - Ti e di. Më e pamundur është akoma sesi të iki.
          Ai: - Tetë ditë qëndro.
          Ajo: - Jo.
          Ai: - Tri ditë.
          Ajo: - Për çfarë është kjo kohë? Për të jetuar? Për të vdekur?
          Ai: - Koha për të njohur.
          Ajo: - Kjo nuk ekziston. As koha për të vdekur, as koha për të jetuar.
          Ai: - Do të preferoja të ishe e vdekur në Nevers.
          Ajo: - Gjithashtu dhe unë.
          (Salla e stacionit Hiroshima. Ajo ulet. Përballë është një plakë japoneze)
          Ajo: - (Monolog i brendshëm). Nevers, që të  kam harruar. Do të desha të të shihja këtë mbrëmje (Japonezi hyn dhe ulet në vendin përballë saj. Fytyra e saj është e lagur nga shiu. Buza i dridhet). Do desha të të shihja këtë mbrëmje Luar, këtë mbrëmje...Plepat fëshfëritës të Neversit, që unë i kam harruar...Vajza e vogël e Neversit.
          (Një plakë japoneze ulet midis tyre. Altoparlantet lajmërojnë: "Hiroshima! Hiroshima!". Francezja duket sikur fle. Plaka flet diçka japonisht me atë).
          Ajo nuk ndodhet më aty. Ajo është në peron. Hipën në një taksi. Ndalon përpara një klubi nate "Kasablanka". Ai e arrin. Ajo zë vend e vetme në tavolinë. Një japonez tjetër shkon drejt saj.
          Japonezi: - Jeni vetëm?
          (Ajo nuk i përgjigjet asnjëherë).
          Japonezi: - Doni të bëjmë pak muhabet? Eshtë tepër vonë për të qenë vetëm. A mund të ulem? Po vizitoni Hiroshimën?...Ju pëlqen Japonia?... Banoni në Paris?....(Japonezi flet, ajo sheh tjetrin të ulur pak më tutje. Ajo ngrihet dhe del në rrugë).
          Ai: - Eshtë e pamundur të mos vish.
          (Ata janë më këmbë në dhomë. Agimi vjen. Ata nuk thonë asgjë. Qëndrojnë të heshtur. Papritur ajo bërtet).
          Ajo: - Unë të harrova. Unë tashmë të kam harruar. Shikomë si të kam harruar (Ajo përqafon fort japonezin). Shikomë! Hi-ro-shi-ma! Hiroshima është emri yt?
          Ai: - Po. Eshtë emri im . Emri yt është Nevers. 
Ne - vers - në - Fra - ncë...
          (Ajo ikën me shpejtësi).
                         
                          Fund
 
Përgatiti: Bedri Alimehmeti
 
Dy fjalë për autoren e skenarit dhe filmin "Hiroshima dashuria ime"
 
Marguerite Duras, autorja e skenarit të këtij filmi, lindi më 4 prill 1914 në Vietnamin e Jugut (Indokinë) dhe vdiq më 3 mars 1996. Ajo ishte shkrimtare e publiçiste e njohur, e cila veprat e saj, romane, tregime e novela përkthyer në mjaft gjuhë të botës, ua kushtoi kryesisht problemeve të banorëve në zonat e aziatike në lindjen e largët. Filmi "Hiroshima, dashuria ime", një dramë e fuqishme psikologjike, kur u shfaq në maj të vitit 1959 në festivalin e filmit në Kanë (Francë), tronditi botën. Një film kushtuar paqes. Kushtuar njerëzve, jetës, dashurisë. Një film kundër luftës, kundër bombës atomike, që u hodh më 6 gusht 1945 në Hiroshima, ku brënda pak çastesh gjithçka u shndërrua në hi dhe jetët e mijra të pafajshmëve u shuan. 
          Nëpërmjet një fabule të thjeshtë shtjelluar me mjeshtri të lartë nga Dyras, dhe hedhur në celuloid përsosshmërisht nga regjisori francez Allen Rene, drama që përjetojnë dy heronjt kryesorë (Ai-arkitekt japonez dhe Ajo-artiste franceze), shpalos ide e dërgon mesazhe të panumurta paqeje, kundër luftës dhe përdorimit të armatimeve nukleare. 
          Në vitet 60-të të shekullit të kaluar filmi "Hiroshima mon amour" (Hiroshima dashuria ime) bëri xhiron e botës, ku u ndoq nga miljona shikues. Vetëm në vendin tonë iu mbyllën dyert (!). U quajt film disfatist, pacifist dhe u "godit" rëndë nga shtypi ynë marksist në ato vite. Ishte koha kur sapo ishim prishur me rusët dhe kishim nisur miqësinë me kinezët. Shqipëria e vogël, mbështetur fuqishëm nga Kina e Mao Ce Dunit e përbetuar për t'i qëndruar besnik m-l, qe shndërruar në "kështjellë" të pamposhtur të socializmit në brigjet e Adriatikut, kurrsesi nuk mund të pranonte paqë mbi Botë, përderisa popujt "vuanin" ende nën "thundrën" e kapitalizmit amerikan dhe social-imperializmit sovjetik (!). Ndaj dhe filmi "Hiroshima dashuria ime" nuk mund t'u servirej shikuesve shqiptarë pa le t'u jepej mundësia të njiheshin me skenarin e këtij filmi, që edhe sot vlerësohet ndër më të arrirët në aspektin letrar. Pra, bëhet fjalë për një letërsi të munguar, të cilën gjetëm rastin t'ua ofrojmë lexuesve shqiptarë, aq më tepër që filmi i realizuar mbi bazën e këtij skenari, nuk është shfaqur ende nëpër kinematë apo ekranet tona televiziv. Parë në këtë aspekt themi se kemi mbushur një mangësi, pa harruar që skena të tilla edhe më makabre u panë të përsëriten këtë radhë nga një fatkeqsi natyrore, që goditi Japoninë më 11 mars të këtij viti, jo në Hiroshima, por në Fukushima. 
B. Alimehmeti

Comments

  1. Faleminderit zotëri për magjitë tuaja të vërteta. Emri im është Zara Matteo. Kjo është vërtet e pabesueshme dhe nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë në jetën time. Para se të takohesha me ju, zotëri, unë provova të gjitha mjetet e mundshme që mund të kisha për të sjellë burrin tim mbrapa, por kuptova se asgjë nuk funksionon për mua dhe se burri im ka zhvilluar shumë urrejtje për mua. Mendova se nuk kishte asnjë shpresë për t'u ribashkuar me ish-burrin tim. Por kur lexova komente të mira se si DR WHITE i ndihmon të tjerët, vendosa t'i dërgoj një mesazh përmes WhatsApp: +17168691327. të provoja dhe bëra gjithçka që ai më udhëzoi dhe unë i besova atij dhe unë ndoqa udhëzimet e tij pasi ai më garantoi në 48 orë, dhe pikërisht atëherë më telefonoi ish -im. Zotëri, ne jemi më të lumtur tani se kurrë. Gjithçka duket e përsosur dhe kaq e natyrshme! Faleminderit shumë zotëri për magjitë tuaja autentike dhe të padiskutueshme. këtu përsëri emailin e tij:

    wightmagicmaster@gmail.com

    .com Ju gjithashtu mund të Whatsapp atij:
    +17168691327

    ReplyDelete

Post a Comment

Popular posts from this blog

Topografia e fshatit Pozheran

KANGJELA E MALLIT TË PARË

TË PAPRITURAT E NJË UDHËTIMI, ISTOG - PEJË