TABAKAJA
VAZHDIMI I TREGIMIT
- Jam mirë në këmbë
hirësi...
- Nuk e besoja se
do dilje kundër meje, hoxhë efendi, - foli Syrja beu duke ngritur kokën.
- Unë s'jam kundër
asnjërit, Syrja bej, po jam me bashkimin e kombit, nëse ju jeni kundër këtij
bashkimi, s'jam unë fajtor për këtë, fajtor jeni ju!
- Ty do të shpallim
tradhëtar! - Ndërhyri konsulli.
- Unë ndruhem mos më
shpallë populli im taradhëtar, për të huajt jam thjesht një kundërshtar, s'kam
pse lidh besë me ata që s’kanë besë...
- Më vjen keq, por
derisa të shpallet pavarësia, ju do të mbaheni të izoluar, por meqë jeni hoxhë
dhe bën figurë të keqe burgosja juaj, do të liroj me kusht që kurrë të mos
zbresësh në Vlorë dhe mos të dëgjoj më fjalë lart e poshtë. Ti shiko punët e
perëndisë, punët e shtetit i shikojnë të pasurit.
- Mendoj se këtu po
gaboni, hirësi, punët e shtetit i shikojnë të mençurit, të pasurit shkojnë nga fitohet
paraja...
- Merreni! - Urdhëroi
ai xhandarët, - dhe ndiqeni nga pas derisa të ngjitet Kaninës...
- Më lejoni t'i
them Syrja beut, se për tek ai isha nusur, se Shqipëria s’është vetëm disa
qytete që keni menduar ju të bëni kuvendin, duke lënë jashtë Shkupin, Prishtinën
e Çamërinë. Këtu bie era tradhëti, se ju po përligjni vetëm zotërimet e Austro
- Hungarezëve, as më shumë e as më pak, siç ndodhi në kohën e "Mbretërisë
së Arbërisë" pra një pavarësi për të qënë të varur përjetësisht! Historia
do u thërrasë ju, tradhëtarë, Syrja bej, jo mua e patriotët tjerë që duan
bashkimin e kombit në një të vetëm!
- Nxirreni jashtë!
- Thirri fort konsulli austriak.
- Nuk dua të më
nxirrni për krahësh, se dhe të më thoni të qëndroj, nuk rri asnjë çast më mes
pushtuesve dhe të shiturve si Syrja beu! - Tha dhe u kthye e doli me hap të
vendosur, por me shpirt të vrerosur.
- Ndiqeni nga pas!
Që sot dua informacion për çdo lëvizje të tij! - Urdhëroi xhandarët që rrinin në
drejtqëndrim në dy anët e derës dhe u kthye Syrja beut.
- Syrja bej, -
duhet të veprojmë me kujdes, nëse do dalim hapur, do na ngrihen kundër të gjithë,
ti lëmë t’i ftojnë gjithë trevat shqiptare, por duhet të kemi kujdes, qytetet që
s’do përfshihen në teritorin e pavarësisë, do të pengohen me çdo kusht që të
mos vijnë në çastin e firmosjes së shpalljes së Pavarësisë. Shtetet e Mëdha,
kurrë nuk e pranojnë një Shqipëri të bashkuar, biles si për të vulosur këtë,
janë nxitur edhe serbët e grekët për luftë e kur ujrat do kullohen, çdo gjë do
shkojnë siç duan Ata, Syrja bej. Flas me ty hapur se e di që më kupton dhe i
pranon gjërat siç janë dhe siç na intereson edhe ne, që s’kemi në deje gjak
ahqiptar… Une dhe ti, s’humbim asgjë... përkundrazi, ju do jeni në të ardhmet në
shërbimin tonë dhe unë mbroj interesat e vendit tim.
- Atëherë pse po bëhet
gjithë kjo zhurmë dhe grindje për Pavarësinë?
- Nuk më paske
kuptuar mirë, se ty të interesojnë sa më shumë krahina për të vjelur sa më shumë
taksa dhe je në rregull, por nëse s’do lejohej kjo gjë, ashtu siç bënë turqit e
rinj që dhanë favore e më pas, ti e di mirë si vepruan, ashtu do jetë edhe e
drejta e pavarësisë, mos flasim gjatë tani, por do jesh dëshmitarë i kësaj
pavarësie që do vendoset. Do jenë thjesht propagandë, e njëjta gjë, ashtu siç bënte
sulltani, u jepte favore, por popullit i shkonte thika në palcë, se ju do
mblidhnit taksa për sulltanin, për ne, për xhaminë, për kishën... E të gjitha këto
shkonin tutje... apo jo Syrja Bej dhe kur një pasha apo bej ngrinte krye, i
pritej koka, e njëjta gjë, Syrja bej, vetëm do keni emra tjerë dhe qeveria
thjesht do quhet shqiptare, por asnjëherë s'ka për të mbrojtur interesat e shqiptarëve.
Kësaj i thonë më shumë se skllavëri!
- Me Ismail benë,
keni bërë bisedë tjetër...
- Ai atë gjë kërkon,
le ta bëjë, e ne do ta lejojmë gjer të vendosin Fuqitë e Mëdha, më pas do dimë
ne, se si ta prishim atë që ndreqëm tani... Kush është i mençur shkon përgjatë
rrjedhës, kokëfortët do përplasen derisa të thyejnë kokat... Ne i bëjmë gjërat
pa u përplasur, në kohën e duhur pasi ua kemi futur farën e keqe mes njëri -
tjetrit... Ata luftojnë, ne duartrokasim, ata na lëshojnë qoshenë, më pas bëhemi
zotër... Ata dinë vetëm se kanë të drejtë dhe se do fitojë e drejta, por e
drejta humbi me kohë, tani fiton dredhia... të cilës ne i kemi vënë një emër të
bukur “Diplomacia”, por me ju, shqiptarët, e kemi të lehte, se u premtojmë me
fjalë dhe nga ana tjetër marrëveshjet i shkruajmë siç duam ne dhe ata që i vemë
në drejtim, siç jeni edhe ju, janë të detyruar të firmosin, se u kemi bërë aq
shumë favore, sa nuk guxoni më të kondërshtoni. Nuk të favorizon askush, Syrja
bej, se të don, harroje atë fjalë që ka dalë mode, por vetëm të blen për të
shitur dyfish apo dhjetë fish e më shumë... Ty të kam bërë aq favore, saqë ti
je i detyruar të heshtësh dhe të firmosësh çdo marrëveshje që të vihet përpara,
ndaj këto që folëm këtu, i lëmë këtu dhe bëj punën që të kërkohet, - mbylli ai
fjalën duke ndryshuar tonin nga miqësor në komandues.
@@@
Ishin ditët e
fundit të tetorit dhe shtazania e Hyrisë po shkonte shumë mirë, por pikërisht,
tani filluan shqetësimet e tyre, se pasi mbushnin gjashtë muaj, foshnjet
vdisnin në bark, ndaj edhe gjumin e bënin me frikë, sidomos ajo, se mos
shikonte ëndrrën e hijeve të zeza, por frika dëbonte frikën dhe ditët kalonin e
foshnja shtonte lëvizjet mbrenda saj. Ata kënaqeshin me lëvizjet e tij dhe
imagjinonin sikur ecte nëpër shtëpi, sikur qeshte, sikur fliste e lodronte e për
një çast drithma ankthi ua shprishnin përfytyrimet nga frika e hijeve të zeza,
por secili i bluante nën vete e asnjëri s’guxonte të hapte bisedë…
Kur po dilte nga
xhamia, pasi fali xhumanë dhe njerzit u larguan, u ndesh përballë me një të
panjohur, ku në fillim mendoi ndonjë nga spiunët që i kishin vënë për të
kontrolluar lëvizjet e tij, por përshëndetja e tij në dialektin gegë, i dha të
kuptonte se vinte nga Kosova, ndaj i dha dorën dhe nuk u kthye në xhami, por
morrën rrugën tatëpjetë, drejt shtëpisë.
Hyria, si
zakonisht, kur dëgjonte hapat e tij, dilte menjëherë në derë, por kur dalloi të
panjohurin u step.
- Mirë se të gjeta
zonjë! - Përshëndeti i sapoardhuri.
- Mirë se erdhe...
- Tha ajo kokëulur dhe u shmang të futeshin mbrenda.
Ata hynë në dhomën,
ku ish biblioteka dhe Hyria shkoi të bënte kafenë në guxhinë…
- Të bën të fala
Hasan Prishtina dhe Said efendi Hoxha... Para disa ditësh u organizua një
kuvend në Shkup dhe vendosën që kryengritjet e armatoshura të mos pushojnë dhe
pavarësia të shpallet në Shkup, por s’kaloi dy ditë dhe u arrestuan shumë
patriotë, ndër ta edhe Zoti Prishtina dhe Said efendi Hoxha, kështu erdha sipas
fjalëve që kishim biseduar për të sjellë lajme e për të bërë diçka në këtë
drejtim.
- Ju mire se erdhët
dhe jeni i mirëpritur, por mik i mirë, unë në një farë mënyre jam i arrestuar,
përderisa më është ndaluar kontakti me patriotë, por edhe këtej besoj do bëhen arrestime,
kjo gjë nuk është për të mirë, por mirë e bëftë Zoti!
- Amin! - U kthye
ai.
- Patriotët e vërtetë
po i spostojnë nga kjo fushatë e shfrenuar për pavarësi, në një kohë që ne jemi
më të pushtuar e robëruar se kurrë. Nuk e kuptoj si do jemi të pavarur kur jemi
të pushtuar? Tani mbetet të presim se çfarë do sjellë Ismail Qemali nga
kontaktet e tij në Bukuresht e Vienë. Për atë e di që është njeri i madh dhe
patriot i shquar, nuk besoj që t’ia hedhë njeri për mend...
- Unë nuk e kam
takuar, por Hasani më tha që kishin bërë fjalë për qytetin ku do ngrihej
flamuri, ai nuk kishte pranuar ta ngrinin në Shkup, nga që ishin të kërcënuar
nga serbët, por ai më tha që nuk është ky shkaku, por s'dëgjojnë të huajt as për
Shkupin, as për Elbasanin, por nuk besoj se do ta lejojnë edhe Durrësin, se
duan të kenë të lirë kalimin Shkup - Elbasan - Durrës për të kaluar në Perëndim,
pretendim i hershëm i vendeve sllave...
- Edhe në Vlorë të
kërcënuar janë nga Grekët... Atëherë si do shpallet kjo pavarësi?
- Nëse do shpallet,
do jetë nën mbrojtjen e të huajve dhe dihet sesa do i shërbeje shqiptarëve,
mendoj se do u kushtojë më shumë se robëria...
- Po të ishte për të
shërbyer shqiptarëve, do ishte vendosur për në Shkup dhe s'kishte pse
burgoseshin në Beograd patriotët tanë...
- Zoti e bëftë mirë,
o mik, por asgjë nuk kemi në vijë edhe këtë herë, kësaj i thonë, shtyj ditë me
duar, apo më troç, të gënjejmë veten!
Folën edhe gjatë
drekës së shijshme të përgatitur nga Hyria e më pas ai kërkoi të largohet, se i
duhej të shkonte në Fier për të takuar patriotë tjerë, e përcolli dhe i tha të
ikte drejt poshtë, jo nga rruga nga erdhi se kish rrezik ta arrestonin. U përqafuan
si vëllezër dhe u ndanë.
@@@
Ditët kalonin dhe
jeta rridhte pa komandë, i priste njerzit në xhami dhe përpiqej të merrte vesh
ndonjë lajm për mbarëvajtjen e çështjes shqiptare, por asnjë s’jepte mendime të
qartë…
Sot kishte ardhur
një burrë nga Sharrajt e Vlorës dhe ndër të tjera tha se në Durrës nuk ishte
lejuar mbajtja e kuvendit dhe Ismail Qemali kishte dërguar telegram të
merreshin masa për të siguruar zhvillimin e punimeve të Kuvendit në Vlorë, ndaj
kërkohet angazhim i të gjithëve për të bërë të mundur këtë ngjarje të shënuar të
popullit tonë. Ngazëllimi i të pranishmëve i kalonte atij fëminor, por edhe Ai
u ngazëllye gjer në lotë, kur dëgjoi që Ismaili po vinte drejt Vlorës.
Ishte data 27 nëntor
1912. Një ditë ku qielli dukej si mijëra shtëmba kthyer kokëposhtë e përrenjte
e lumenjtë kishin vërshuar me buçima duke marrë përpara ç'të gjenin. "Allah...
Allah, - foli me vehte hoxha, - dhe koha u kthye si koha jonë... Mbase pas
qametit do vijë kohë tjetër, po kush e di në do jetë më e mirë se kjo që kemi,
apo më e keqe?" – Mendoi ai.
Atë ditë nuk shkoi
në xhami, por mori rrugën për Vlorë. "Mbase s’do më ndjekin më dhe do vete
të marr vesh ndonjë gjë nga shtëpia e Sharrajve..." - mendoi
Vërtet asnjë nuk e
ndaloi të zbriste poshtë, por sapo u drejtua Shtëpisë së Sharrajve, e mbertheu
një për krahu.
- Mulla… - kemi
urdhër të mos lejojmë në qytet...
- Nga e keni këtë
urdhër? - Bëri ai të paditurin.
- Nga Konsulli
Austriak, por edhe konsujt tjerë ishin atë ditë kur lexuan disa emra që nuk do
lejoheshin të dilnin lirshëm në qytet. Më shumë këmbëngulte ai Rus.
- Po kthehem,
- tha ai, por polici e shoqëroi derisa mori të përpjetën e Kaninës.
“Nuk e vë më në
dyshim se edhe Ismailin e kanë mashtruar. Zoti e bëftë mirë!” - Tha me vete dhe
shkoi në shtëpi i lodhur dhe i shqetësuar, gjë që nuk i shpëtoi Hyries pa e
dalluar, ndaj për të mos e dalluar ajo shqetësimin, mblodhi forcat dhe foli
duke buzëqeshur.
- Ç'thotë trashëgimtari
im?
- Mirë im Zot, është
mërzitur për ty, se nuk e përkëdhele, kur shkove...
- Kam thënë unë, ti
nuk do më lësh as të vdes, moj e mirë! – Foli duke e përqafuar.
Ajo i solli kafe
dhe shkoi të mbaronte punët e veta. Ai rrufiti kafenë dhe u ngrit e mori
Kuranin nga vendi i zakonshëm dhe filloi ta lexonte...
"Çudi, libër i
shenjtë, në duar të njerzve që s'kanë lidhje me shenjtërinë e tij, por në emër
të tij, vrasin, dhunojnë, përdhunojnë, pushtojnë, i bëjnë të gjitha marrëzitë e
kësaj bote, unë kurrë nuk mund të jem kundër Kuranit, por jam kundër atyre që e
shfrytëzojnë atë si vello për të mbuluar guvat e shëmtuara të veprimeve të
tyre. Edhe Bibla, edhe Kurani janë të shenjtë, por i ka pushtuar djalli për të
justifikuar masakrat çnjerëzore... Zoti e bëftë mirë! Amin!" - Foli me zë
dhe e mbylli Kuranin, e puthi dhe e vendosi atje ku ruante çdo libër të shenjtë,
biles kishte edhe një kryq, edhe tabakanë e Mekës...
E nesërmja erdhi me
zbrazjen e gjithë fshatrave duke u derdhur si lumenj drejt detit, për në Vlorë.
Lajmi kishte marrë dhenë. Nuk kishte fjalë të përshkruaje entusiazmin e
popullit, kur Ismail Bej Qemali doli dhe shpalosi flamurin kuq e zi të Skënderbeut,
sot dukej sikur dhe deti mbajti frymën, dhe qielli shpërndau retë dhe rruget
ngazëllenin, populli në ekstazë, se më në fund do ishin të lirë dhe të pavarur.
Veshur me rroba kombëtare, mundi të ishte mes tjerëve, por mes këtij entuziazmi
dëgjoi 2 veta tek bisedonin:
- Në port kanë
ardhur anije greke...
- Jo more, po si
vallë po e shpallim pavarësinë?
- Ku i dihet kësaj
pune, ne dëgjojmë aheng e shkojmë e kërcejmë, po Zoti e di këtë punë... Mbase
grekët kanë ardhur në mbështetje të Pavarësisë?
- Çfarë thua more,
ku na do të pavarur Greku ne...
- Ato që i ka
dashur i ka marrë, atij dhe tjerëve u intereson të bëjmë, sikur Shpallim Pavarësinë,
por një Zot i di këto punë, ne, shqiptarët na thonë për luftë, rrëmbejmë armët
dhe përfundimi, gjak e varfëri kemi fituar...
- Urraaaa -
buçiti sheshi dhe ai s’ mundi të jdëgjojë më bisedën e tyre.
Vonë u kthye në shtëpi.
Të shoqen e gjeti jashtë të shqetësuar, se asnjëherë nuk ishte vonuar kaq shumë.
Edhe fshati atë natë s’pati gjumë, as ai s'mbylli sy, kthehej sa në një krah, në
tjetrin, saqë edhe Hyria ishte zgjuar disa herë, por rëndesa e barrës e këpuste
sërish në gjumë.
Ditët që pasuan
ishin euforike dhe të gjithë mblidhnin kontribute për qeverinë e re, por ajo që
ishte më e ngutshme dhe lajmet e një pas njëshme për pushtimet e trojeve tona
nga serbët dhe grekët. Pavarësia solli më shumë probleme, më shumë shqetësime
dhe varfëri, por ajo që po bëhej më e shpeshtë ishte përndjekja e patriotëve
sidomos në trevat e Maqedonisë dhe Kosovës.
Dimri kaloi si dimër
edhe për shqiptarët. Gazi i shpalljes së pavarësisë po mbetej i endur mbi buzë
të paqeshura të shqiptarëve. Atij ende nuk i lejohej të zbriste në Vlorë, ndaj
përmes kontakteve në xhani, merrte vesh për të gjitha ç'ka ndodhnin, nga miqtë
e Kosovës asnjë s’kishte ardhur më, s'dihej fati i tyre që u burgosën në
Beograd, askush s'e dinte saktësisht se çfarë fituan me këtë pavarësi e çfarë
humbën, ishin kohë të turbullta që do donin kohë të kulloheshin, apo s’do
kulloheshin kurrë.
Në baçën e tyre
kishte ditë që kishte çelur bajamja me ato lulet e saj rozë të ëmbël dhe sa herë
dilte Hyria në derë rrinte gjatë dhe i kundronte duke ledhatuar pa vetëdije
barkun e saj, tashmë të rritur si në muajin e nëntë. Siguria se do ta lindte fëmijën
e saj aqsa ditët vinin i shtohej më shumë, por përsëri gjumin e bënte me
merakun e ëndrrës ugurzezë, ndaj para se të flinte, shkonte tek rafti ku ishte
vendosur tabakaja e merrte dhe e puthte, sikur të ishte ndonjë ikonë, puthte
dhe Kuranin dhe shkonte në shtrat. Ashtu bëri dhe sonte dhe me vështirësi hodhi
hapat drejt dhomës, ku i shoqi e priste ende zgjuar.
- Më dukesh sikur çalon,
moj e mira ime...
- Më ka rënë barra
poshtë im Zot, më ka bllokuar këmbët...
- Mos ka ardhur
koha për të lindur, ke ndonjë shqetësim?
- Jo, vetëm s'eci
dot, - tha ajo dhe u mbështet për dere.
I shoqi u ngrit me
nxitim dhe e mori për krahu gjer tek shtrati, e vendosi lehtë kehtë si të ishte
një fëmijë dhe e mbuloi, më pas u shtri edhe vetë bri saj...
@@@
Ishte ditë e premte
dhe si çdo të premte ai do shkonte të falej në xhami bashkë me fshatarët tjerë.
Filloi të merrte abtes duke kënduar syre nëpër dhëmbë, kur nga kuzhina u bë
sikur dëgjoi një rënkimë. Vendosi në tokë ibrikun me ujë, largoi dhe legenin që
lau këmbët dhe mori peshqirin të fshihej, kur përsëri dëgjoi rënkimë.
Nuk priti të veshi çorapet,
por rendi e shkoi andej nga erdhi rënkima e ç'të shikonte, Hyria përpëlitej si
pulës kur i heqim kokën për sheshi.
- Ç'është moj e mirë?
- Jam keq, kam shumë
dhimbje... Mbase erdhi çasti...
Doli me vrap dhe
kaloi nga shtëpia e vëllait dhe i thirri kunatës. Ajo erdhi me një frymë, e
ngritën dhe e dërguan në dhomën e gjumit.
Pas pak erdhi dhe
një plakë, të cilës i kishte folur vëllai, që luante rolin e mamijes. Ai u ndje
i tepërt, ndaj doli dhe shkoi në bibliotekë, tërhoqi tabakanë, mbi të vendosi
Kuranin dhe u ul e këndoi disa syre, më pas kaloi nga dhoma, ku të thirruarat e
Hyries i kalonin rënkimat dhe u tha që foshnjën ta prisnin në tabaka, sipas
porosive nga Meka dhe doli sërish e vazhdoi të lexonte Kuranin si për të
shkurtuar kohën shekullore të lindjes.
S’kaloi shumë dhe
britmat e Hyries shteruan, ndaj u ngrit gjithë ankth dhe shkoi me vrap, mbi tabaka
ishte foshnja që e pse i kishin prerë dhe kërthizën, nuk qau, ai s’po dallonte
as të lëvizte, fshiu sytë dhe prapë dalloi mbi tabaka një masë të mbështjellë…
- Ka lindur me këmishë!
- Foli gjithë gëzim plaka mamije dhe e çau membranën me gërshërët që preu kërthizën.
Atëherë fonja lëvizi këmbë dhe krahë dhe shtëpia u mbush me të qarët e tij dhe
me me gazin e tyre.
- Djalë evliha! Tu
rrojë! - Thirri plaka gjithë gëzim.
- Isuf do ta quajmë!
- Tha ai dhe e mori mbi duar, e ngrit lart duke e puthur në ballë.
Më pas e afroi dhe
Hyries, e cila tashmë harroi luftën e dhimbjeve duke qeshur shikonte herë të
shoqin, herë Isufin dhe foli me zë:
- Qofshim falë
Zotit, u bëmë me djalë!
- Të na rrojë djali,
moj e mirë! - Tha duke i dhënë më pas të kunatës për ta larë e për ta mbështjellë
në pelenat e bardha, të cilat Hyrija kishte kohë që i kishte bërë gati.
I gjithë fshati
ishte mbledhur dhe ishte falur, pa praninë e hoxhës atë ditë e sapo mbaruan, bënë
tatëpjetë rrugicës drejt shtëpisë për të uruar lindjen e fëmijës së tij, pas nëntë
dështimeve të njëpasnjëshme.
Ishte 21 shkur i
vitit 1913, ditë që do vinte në jetë Ai, bir i bekuar nga Hyjtë, i lindur me këmishë,
që do të thoshte, se as plumbi nuk e zinte, as gjarpëri nuk e hante, ai ishte i
shenjtë dhe erdhi për të të sjellë frymën dhe shenjtërinë e Perëndisë për të
mirën e kësaj toke të shenjtë të pushtuar nga djalli…
·
Ky tregim është mbështetur në rrëfimin e së bijës,
Elisabeta Kuçi (Luzaj), të cilës i kishte rrëfyer gjyshja e saj… ndërsa tjerat
janë fakte historike…
E publikoj këtë trgim, në kuadër të 106 vjetorit të lindjes së Isuf
Luzaj!
-
FUND –
Comments
Post a Comment