Frank Shkreli dhe figura e tij
NGA
THANAS L. GJIKA
TRASHËGIMIA DHE NOSTALGJIA ENVERISTE – PENGESA KRYESORE PËR ECJEN E NGADALSHME TË SHQIPËRISË
(Portret biografi
kushtuar gazetarit Frank Shkreli)
Radio
Zëri i Amerikës, në vitet kur Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të,
luante rolin e ambasadës amerikane për të ndihmuar popullin shqiptar duke
transmetuar lajme, komente dhe artikuj mbi ngjarjet kryesore të politikës
amerikane, botërore dhe asaj shqiptare, duke i treguar ato ashtu si kishin
ndodhur. Në këtë mision kanë shërbyer një sërë burrash e djemsh shqiptarë si,
Jozef Paskali, Talat Karagjozi e Xhevat Kallajxhi, Ilia (Louis) Prifti,
spikerja Lulu Vrioni (mbesë e Mit'hat Frashërit), Ruzhdi Daca, Gasper Kiçi,
Bardhyl Pogoni, Dr. Elez Biberaj, Frank Shkreli, Idriz Lamaj, etj.
Puna në
këtë institucion, ku shumica e materialeve lexoheshin e transmetoheshin
drejtpërdrejt nga mikrofoni, kërkonte një përqendrim të lartë për të mos bërë
gabime, sepse nuk kishte mundësi korrigjimi, si me materialet që incizoheshin.
Kjo lloj pune me përqendrim të lartë mendor e nervor, ua temperoi këtyre
gazetarëve aftësitë e punës radiofonike, saktësinë e formulimeve, guximin e
marrjes shpejt të vendimeve, leximin me ton të prerë, etj, tipare shumë të
nevojshme për një gazetar të radios.
Pasi
kisha lexuar disa artikuj e shkrime të ndryshme të gazetarit Frank Shkreli të
botuar në gazetat “Dielli”, Illyria”, “Telegraf”, “Bota sot”, etj më ra në sy
ky tipar i gazetarisë së folur në shkrimet e tij. Për ta njohur më nga afër
jetën dhe krijimtarinë e tij i kërkova të më dërgonte disa të dhëna për jetën
dhe librin “Demokracia nuk pret” (BOTIMET MORAVA, Tiranë 2016,
476 f.), ku ai ka përmbledhur 80 artikuj të viteve 2014-2015. Në këto shkrime më ranë në sy disa tipare të
përbashkët të shkrimeve të tij: stili vetiak radiofonik i të shprehurit me
rritëm të shpejtë, përgjigja flakë për flakë ndaj problemeve e ngjarjeve,
mospërdorimi i shkurtimeve, përsëritja e disa fjalëve që lidhen me thelbin e
problemit dhe me emrat e titujt që kanë lidhje me të, etj.
Puna e
gjatë si gazetar në Radio Zëri i Amerikës, ka ndikuar që ai të ketë formuar dhe
një stil vetiak në të shkruar. Ai shkruan sikur i drejtohet dëgjuesit në proces
transmetimi dhe jo sikur po i drejtohet lexuesit që do ta ketë shkrimin para
syve. Kjo ndodh në të gjitha llojet e shkrimeve të tij, qofshin artikuj,
komente, ese, recensione veprash, shkrime përkujtimorë për jetën e
personaliteteve të ndryshëm, etj.
I
nxitur nga vlerat e spikatura të përmbajtjes ideore, nga gjuha letrare e
perbashket qe ai perdor dhe nga tipari i veçantë i stilit radiofonik, iu futa
punës për të hartuar këtë portret biografi për të edhe pse para meje kishin
dhënë për të vlerësime të spikatura personalitete si Prof. Sami Repishti, Dr.
Elez Biberaj dhe Simon Miraka. Ky i fundit kishte qenë dhe një dëgjues i
rregullt i Radios Zëri i Amerikës, prandaj ia kujton Frankut në shkrimin e vet
edhe zërin e tij kur ky fliste si gazetar në radio.
* * *
Franku
u lind në fshatin Ambull të Ulqinit më 1950 në familjen e Gjeto L. Shkrelit
(1917-2003). Ky fshat banohej prej malësorëve të Malësisë së Madhe (Alpet
Shqiptare). Këta banorë muajt e verës i kalonin me bagëtitë e tyre në bjeshkët
e Shkrelit, kurse muajt e dimrit i kalonin si bujq poshtë në rrethinat e
Ulqinit, ku kishte klimë të butë Mesdhetare. Më 1913 me shkatërrimin e
Perandorisë Osmane, Mbretësisë së Malit të Zi, përveç qyteteve Tivar dhe Ulqin
dhe fshatrave rreth tyre që i ishin dhënë më 1880, iu dhanë edhe shumë fshatra
të tjerë të rrethinave të Ulqinit, si dhe qytezat Podgoricë, Plavë e Guci dhe
fshatrat e tyre. Kështu, të parët e familjes së Frankut, si dhe ky vetë bashkë
me banorët e trojeve shqiptare Veri-Perëndimore, Veriore, Veri-Lindore e atyre
Jugore që u shkëputën padrejtësisht nga trungu mëmë pas vitit 1913, përjetuan
tragjedinë e vijimit të jetës nën zgjedhën e re sërbo-malazeze-maqedone dhe
greke, plagë që edhe pas çlirimit të Kosovës, vijon ende të shkaktojë dhimbje
për më shumë se një milion shqiptarë.
Mbas
vitit 1948, me prishjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, u
ndërprenë plotëshisht marrëdhëniet midis shqiptarëve të të dy anëve të kufirit
Shqipëri - Jugosllavi. Nëna e Frankut, e ndjera Mrikë Palokja Martini e lindur
në Vermosh më 1920, e martuar me Gjeto Shkrelin më
1940 nuk pati
mundësi t'i takonte më prindrit dhe vëllezërit e vet derisa vdiq më 1987 në New
York.
Jeta e
vështirë në zonat malore ku familja dhe vetë Franku merrej që në vogëli me punë blegtorale e bujqësore dhe njëherazi ndiqte procesin e shkollimit në shkolla larg
shtëpisë, kalitën te ky djalosh karakterin këmbëngulës, tipar që bie në sy në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij.
Në Amull (Ambull), fshati i tij i lindjes, nuk kishte
shkollë fillore e për të mos mbetur i pashkollë, prindërit e regjistruan në
shkollën fillore të fshatit Shtodër (Shën Todër) një orë larg. Aty mësimet
kryheshin shqip dhe serbisht, prandaj ky fëmijë u detyrua të mësonte gjuhën
sërbe. Kurse shkollën 8-vjeçare ai e ndoqi në fshatin Katërkoll, dy orë larg
fshatit të tij. Në këtë shkollë mësimet kryehshin në gjuhën shqipe, kurse
sërbishtja ishte gjuhë e dytë. Gjatë udhëtimeve në këmbë për të shkuar e për
t'u kthyer nga shkolla, ai me shokët e tij, kur nuk binte shi, i lexonin e i
mësonin disa lëndë në ecje e sipër.
Shkollën
e mesme e kreu te Seminari Katolik i Salezianëve në Kroaci dhe Slloveni, ku
mori disa njohuri dhe për anglishten. Kurse përvetësimi i gjuhës shqipe, e
sidomos përvetësimi i gjuhës letrare të përbashkët është meritë e punës
studimore autodidakte që Franku e kreu në vitet e pjekurisë, disa vjet mbas
ardhjes në SHBA.
Viti
1969 ka qenë viti i kthesës së madhe për Frankun dhe gjithë familjen e tij. Në
atë vit qeveria jugosllave, duke marrë shkas nga demostratat e organizuara në
Prishtinë një vit më parë, i shtoi përndjekjet e shqiptaëve anë e mbanë
Jugosllavisë. Familjet malësore shqiptare të Malit të Zi, deri në atë kohë nuk
e njihnin largimin nga vendlindja as në formën e kurbetit dhe as si arratisje.
Familja Shkreli e përbërë nga prindërit, dy vajzat, Drania dhe Tereza dhe dy
djemtë Franku dhe Toma, për të shpëtuar nga këto përndjekje, vendosi ndër të
parat familje të atyre anëve, të arratisej në Itali. Mbas disa përpjekjesh u
realizua ky akt. Qëndrimi në një kamp refugjatësh politikë në Itali zgjati një
vit. Aty u bë njohja me punonjësit e ambasadës amerikanë dhe u mbushën
dokumentet. Kjo familje bashkë me disa refugjatë të tjerë, në vitin 1970 u
lejua të shkonte në SHBA, aty ku kishte kërkuar.
Familja
Shkreli u vendos në lagjën Bronks të shtetit New York, për të qenë pranë kishës
katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”. Franku 19-vjeçar filloi të punonte
që javën e parë çdo punë që mund të gjente. Më tej ai u regjistrua në një kurs
mbrëmjeje për mësimin e anglishtes, kurse ditën vijonte të punonte. Më tej ai u
regjistrua në disa kurse mbrëmjeje në “Lehman College” në Bronx, ku u
përqendrua në disa kurse për shkencat politike dhe historike.
Në verë
të vitit 1974, i sapodiplomuar, Franku 24-vjeçar u largua prej familjes dhe u
vendos në Washington DC, ku filloi punën te “Radio Vois of America” (VOA) /
“Zëri i Amerikës” në seksionin e gjuhës shqipe. Largimi i Frankut nuk e
tronditi familjen, pjesëtarët e saj ishin mësuar me qenien e tij larg që në
vitet e shkollës së mesme. Në kryeqytet Franku, edhe pse kryente një punë që e
pëlqente dhe merrte një pagë shumë të mirë, nuk i ndërpreu përpjekjet për
studime të mëtejshme. Krahas punës me orar të plotë si gazetar, ai u regjistrua
në “George Washington University” dega Shkenca Politike. Ai pëlqeu të sakrifikonte në rini për
kualifikimin e tij sa më të plotë, për të punuar më tej pa shumë mundime e
sakrifica.
Në
Washington DC nuk kishte familje emigrantësh shqiptarë me përjashtim të disa
punonjësve shqiptarë të “Radios Zëri i Amerikës”. Këta edhe pse ishin në
moshë të madhe e afruan djaloshin dhe u bënë si mësues për përvetësimin e
shprehive radiofonike dhe për përshtatjen me jetën amerikane të kryeqytetit.
“Xhevat
Kallajxhiut, këtij dekani të gazetarisë shqiptare dhe Ilia Louis Priftit, Xho
Paskalit, Ruzhdi Dacës, Talat Karagjozit e Gaspër Kiçit, u jam mirënjohës për jetë”, shprehet
Franku, duke kujtuar miqtë që e ndihmuan nga ana profesionale dhe shoqërore
gjatë viteve të para të punë në radio, dhe vijon:
“Prej
tyre mësova shumë hollësira për jetën e Mit'hat Frashërit, dhe shumë mendime të
tij. Ata e kishin pasur djalin e Abdylit, baba shpirtëror dhe e kujtonin po
thuaj çdo ditë”.
Gjatë
viteve të para të punës në Washington DC, Franku shkonte disa herë në vit në
fundjave tek prindërit në New York. Në një nga këto vizita në vitin 1976, ai
mori pjesë në një festë që organizoi kisha katolike shqiptare, ku u njoh me
vajzën simpatike Victoria, vajza e Pashk Markgjonajt (1925-2008) nga Mërturi që
kishte luftuar me çetën e tij kundër forcave komuniste gjatë viteve 1947-1950
në zonën e Pukës dhe të Nikaj - Mërturit. Zoti Pashk me bashkëshorten e tij
(File Dedaj (1929 --) u arratis në Itali në vitin 1955. Victoria u lind më 1956
pikërisht në Itali gjatë pritjes për të ardhur në Amerikë, ku mbërriti dy vjet
më vonë. Ajo u shkollua në New York.
Pas
martesës çifti i ri u vendos në Virginia jo larg Washingtonit. Victoria u
punësua si llogaritare në një bankë. Nga kjo martesë u lindën tre fëmijë, një
djalë Pjetri, dhe dy vajzat Kristina dhe Katrina. Prindërit i rritën me
përkushtim derisa mbaruan shkollat e larta.
Sot si djali dhe vajzat janë martuar dhe punojnë në degët e tyre të
përzgjedhura. Si të rinjtë amerikanë dhe ata jetojnë më vete.
Si i
thonë fjalës, Zoti (disa e quajnë Fati) ndihmon ata që punojnë me ndershmëri e
këmbëngulje për të arritur atje ku synojnë. Kështu edhe Franku, krahas
arritjeve në krijimin dhe rritjen e familjes së tij, ka pasur arritje të
njëpasnjëshme edhe në karierën gazetareske, punë së cilës ai i kushtoi dhe
vijon t'i kushtojë energjitë kryesore të jetës.
Në këtë
fushë ai filloi së pari si një bashkëpunëtor diletant në gazetën e “Lehman
College” dhe si anëtar i këshillit redaktues të revistës “Jeta Katolike”
në Nju York me kryeredaktorin Monsinjor Zef Oroshi. Në vitin 1974 ai u emërua
gazetar dhe redaktor në “Radio Zëri i Amerikës” (VOA), seksioni shqip, detyrë
të cilën e kreu deri në vitin 1984. Më
pas, po tek kjo radio, Shkreli ka shërbyer si shef i seksionit shqip
(1984-1985).
Punësimi
i tij në “Radio Zëri i Amerikës” dhe jeta në Washington, i dhanë atij mundësi
të reja rritjeje dhe ndryshimesh të mëdha: Në vitet 1985 - 1990 ai shërbeu si
këshilltar i lartë i programacionit në Drejtorinë Europiane të “Zërit të
Amerikës”, për programet në18 gjuhë të ndryshme drejtuar vendeve komuniste të
Europës Lindore dhe Qëndrore. Kurse në vitet 1990 - 1994 ai u emërua Zëvendës
Drejtor në këtë radio për ish-Bashkimin Sovjetik, vend ky ku përfshiheshin
përveç rusishtes dhe gjuhë të tjera të atij shteti, që ndërkohë u shpërbë. Së
fundi, në vitet 1994 - 2003,
Shkreli punoi me detyrën Drejtor i Drejtorisë Europiane (më vonë Euro -
Aziatike) të “Zërit të Amerikës”. Nga kjo drejtori varej dhe seksioni i gjuhës
shqipe krahas 18-gjuhëve të ndryshme europiane.
Theksojmë se puna
gazetareske te “Zëri i Amerikës” në kushtet e Luftës së Ftohtë ka qenë e
ndryshme nga ajo e ditëve tona. Në ato vite menaxhimi i punës gazetareske dhe
qëndrimi emocional i gazetarit duhej të shprehej në mënyrë shumë të maskuar, pra
me një nëntekst të nënkuptuar. Gjë që kërkonte një vëzhgim intensiv të gjithë
atyre transmetimeve ndërkombëtare radiofonike dhe televizive përfshirë edhe
internetin, pra punën që kryhej prej qindra gazetarëve dhe korrespondentëve të
gjuhëve dhe kulturave të ndryshme drejtuar botës komuniste. Kjo punë vijoi edhe
gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë.
Në postin e tij si
Këshilltar Programacioni dhe Shef i Drejtorisë Europiane të Radios “Zëri i
Amerikës”, Shkreli ka luajtur një rol kyç në zgjerimin e programeve gjatë
viteve 80-të dhe 90-të të shek. XX. Ai themeloi programe të reja që deri
atëherë nuk ekzistonin në atë radio, si gjuhën boshnjake dhe maqedone, ndërkohë
që nën drejtimin e tij, VOA u bë transmetuesi i parë ndërkombëtar edhe në TV, duke
transmetuar në këto programe dhe në gjuhën serbe dhe boshnjake gjatë luftës në
atë territor, përfshirë më vonë edhe programin shqip dhe gjuhë të tjera
europiane. Nën mbikqyrjen e tij, VOA u
bë gjithashtu transmetuesi i parë ndërkombëtar që krijoi një degë “multimedia”,
brenda entit europian të VOA-s.
Gjatë viteve 1980 –
1994, kulmi i Luftës së Ftohtë dhe i luftërave në ish-Jugosllavi, shef Shkreli
mori pjesë pothuaj në çdo vendim që lidhej me transmetimet ndërkombëtare të
Shteteve të Bashkuara të asaj kohe, drejtuar vendeve ish-komuniste të Europës
Lindore dhe Qendërore, si dhe të ish Bashkimit Sovjetik. Pikësynimi kryesor
ishte informimi sa më i saktë i popujve të atij rajoni, me qëllim që të
përshpejtohej shëmbja e regjimeve komuniste dhe vendosja e lirisë dhe
demokracisë në ato vende. Këtë detyrë, të cilën, ne që e dëgjonim atëhere
“Zërin e Amerikës”, e kemi të qartë sesa mirë u krye dhe sa shumë na ndihmoi
për zgjimin tonë. Prandaj i jemi mirënjohës kësaj radioje dhe shefit dhe
gazetarëve të saj...
Frank Shkreli ka
qenë anëtar i delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në Mars -
Prill të vitit 1991, me ç' rast u hap për herë të parë ambasada amerikane, pas
pothuaj 50-vjetësh, duke hedhur hapat e parë të rivendosjes së marrëdhënieve
diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, ndërkohë që ai së bashku me delegacionin diplomatik amerikan të
Departamentit të Shtetit, mori pjesë edhe si vëzhgues në zgjedhjet e para
pluraliste të atij viti.
“Gjatë vizitës së parë në atdheun e ëndërruar, rrëfen Franku, përjetova gëzimin më të madh
gjatë udhëtimit për atje, por edhe hidhërimin më të thellë gjatë vizitës. Shqipëria,
e ëndërruar aq shumë prej meje më shgënjeu. Ne shqiptarët e Jugosllavisë ishim
pjesa më e varfër e popujve të atij shteti, por niveli i varfërisë së
shqiptarëve të atdheut mëmë më tronditi. Popull i paushqyer, i veshur e i
mbathur shumë keq, jetonte në apartamente të vogla të pasuvatuara nga jashtë,
të mobiluara keq. Shtëpitë private po ashtu. Transporti me autobuza ku
shtyheshin e shtypeshin njerëzit si sardele...”
Më pastaj, ai ka
vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme
diplomatike, politike, ekonomike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Gjatë këtyre vizitave ai ka parë dhe vlerësuar ndryshimet e
kryera, që dëshmojnë punën e qeverive dhe vitalitetin e popullit shqiptar në
ekonominë e tregut të lirë. Pakënaqësia e tij kryesore për vitet e tranzicionit
lidhet me enverizmin dhe nostalgjinë ndaj diktatorit prej së cilës vuajnë një
pjesë e madhe e popullit dhe e qeveritarëve të majtë, të cilat përbëjnë
pengesën kryesore për mosecjen e Shqipërisë me hapat e duhur drejt Bashkimit
Europian.
Pas daljes në
pension më 2003 nga detyra qeveritare, pas 30 vjet shërbimi federal, Frank
Shkreli me bashkëshorten u largua nga Washingtoni dhe u vendos me banim pranë familjeve në New York. Këtu
atë e zgjodhën drejtor të “Këshillit
Kombëtar Shqiptaro-Amerikan” (NAAC), një organizatë joqeveritare që ka
punuar për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik e politik në
trojet shqiptare në Ballkan. Kjo është e vetmja organizatë shqiptare lobiste me
prani në Washington DC.
Bashkë me shoqërinë
“Vatra”, NAAC ka luajtur rol të ndjeshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës
nga ana e Shteteve të Bashkuara. Ishte kulmi i përpjekjeve për të bindur
administratën e Presidentit George W. Bush dhe ndonjë skeptik në Kongresin
Amerikan se më në fund kishte ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të njihnin
pavarësinë e Kosovës, përpjekje këto që më në fund u kurorëzuan me shpalljen e
Pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008.
Gjatë karierës së
tij, ky veprimtar i shquar ka marrë shpërblime dhe mirënjohje
për punën e tij gjatë shërbimit në detyra federale, disa prej tyre mjaft të
rëndësishme, si “Thomas Jefferson Fellowship Award”, “Career
Achievement Award”, “Lifetime Achievement Award” , “Superior
Performance Award”, por mbi të
gjitha dhe më të rëndësishme janë titujt : “Kalorës i Urdhërit të
Skënderbeut”, dhënë më 15 shtator 2016 nga Presidenti i Republikës së
Shqipërisë, Shkëlqesia e tij Z. Bujar Nishani dhe “Qytetar Nderi”,
i akorduar më 2011 nga Komuna Shkrel e Malësisë së Madhe.
Për më se 50 vjet
Frank Shkreli, si gjatë punës dhe tani në pension, vijon të jetë gjithnjë aktiv
duke shkruar mbi çështje të interesit kombëtar shqiptar dhe për marrëdhëniet
amerikano-shqiptare, si dhe mbi subjekte të politikës amerikane, për çështjet
rajonale të Ballkanit, që drejtpërdrejt ose terthorazi, mund të ndikojnë ose
kanë interes të veçantë për botën shqiptare. Shkrimet e tij botohen në shumë
gazeta dhe websites (uebsajtesh) anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në Perëndim.
PJESA E DYTË
Vepër me vlera të spikatura politike, kulturore e shkencore
Libri i
Frank Gjeto Shkrelit “Demokracia nuk pret” (BOTIMET MORAVA Tiranë, 2016, 476 f.), sponsorisuar nga gazeta
Telegraf, është një përmbledhje me artikuj, ese, analiza, recensione veprash,
përkujtim datash historike për ngjarje dhe personalitete, etj. Dalja e këtij
libri përbën një hap përpara në përpunimin e mendimit politik, shoqëror e
shkencor shqiptar lidhur me të djeshmen komuniste dhe të sotmen tranzicionale
për demokratizimin dhe ecurinë e Shqipërisë dhe të Kosovës
drejt Bashkimit Europian. Shumë shkrime të këtij
libri trajtojnë probleme që kanë të bëjnë me
politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë e të Kosovës dhe me
politikën e SHBA-ve dhe BE-së ndaj vendeve të
Ballkanit Perëndimor. Nuk lihet jashtë vëmendjes as politika e jashtme e Rusisë
dhe e Turqisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe as politika e brendshme e shteteve
fqinjë që vijojnë t'i shkelin të drejtat e shqiptarëve që jetojnë brenda tyre.
Po
ashtu ka dhe shumë shkrime të tjerë që trajtojnë probleme të ndryshme të
traditave kulturore, letrare e shkencore të popullit shqiptar, si dhe me
vlerësimin e figurave të sotme të letërsisë dhe të shkencës shqiptare që
jetojnë e punojnë brenda ose jashtë atdheut.
Shpresa do ta mundë dëshpërimin.
Udhëheqja
e PPSH-së në vitin 1990-1991, ashtu si kishte pranuar Mikail Gorbaçovi më 1989, pranoi dhe ajo dështimin e sistemit të
diktaturës së proletariatit. Mirëpo, ashtu si ustai i Moskës edhe kupola e
PPSH-së, u tregua djallëzore. Për të mos e humbur pushtetin përgjithmonë dhe
për të siguruar trashëgiminë e pasurive të Shqipërisë, ajo hartoi një plan,
zbatimi i të cilit filloi me hapjen e
“valvulës së shkarkimit”. Ky plan parashikonte largimin nga Shqipëria të
kundërshtarëve të vërtetë politikë dhe të të pakënaqurve, për të mos i pasur
nëpër këmbë gjatë viteve të ardhëshme kur do të pranohej e zbatohej pluralizmi
politik. Me rrugë e forma të ndryshme filloi nxitja për largimin nga Shqipëria të shumë të burgosurve dhe të internuarve. Para se të liroheshin,
këta u këshilluan që të kërkonin largimin nga Shqipëria për t'u bashkuar me
njerëzit e tyre që ishin arratisur në Europën Perëndimore dhe Amerikë. Më 2
korrik 1990 u hapën portat e ambasadave
në Tiranë, kurse gjatë viteve 1991 e 1992 u
organizuan eksode me vaporë për në Itali dhe hapja e kufirit me Greqinë.
Me anë të agjentëve të fshehtë u
organizuan shumë shkatërrime dhe plaçkitje të
pasurisë kombëtare. Krahas kësaj pune të mbrapshtë, për t'ua lënë vendin “tokë
të djegur” forcave demokratike që po i sillte në
pushtet pakënaqësia dhe revolta popullore, kjo kupolë formuloi dhe
propagandoi shprehjet “Shqipëria u shkatërrua, Shqipëria s' bëhet më”.
Të tilla shprehje filluan t'i përsëritnin edhe ata që nuk ishin pjesë e kupolës
komuniste dhe as forca në shërbim të saj, por njerëz pa formim të shëndoshë. Të tillë të gënjyer vijojnë
t' i riprodhojnë këto shprehje edhe sot, kur janë kryer shumë ndryshime gjatë
këtyre 26 vjetëve të tranzicionit dhe Shqipëria e ndihmuar prej diasporës së
re, SHBA-ve dhe BE-së, ka bërë shumë ndryshime materiale, politike dhe ligjore.
Frank
Shkreli, gazetar i kualifikuar dhe i talentuar, me përvojë të gjatë pune, është
një politolog që jep mendime kritike ndaj shkaqeve që e pengojnë ecjen e
Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por pa i munguar orientimi optimist për të
ardhmen. Duke u mbështetur dhe te gjeopolitika dashamirëse e SHBA-ve dhe BE-së
ndaj Shqipërisë, ai ka formuluar idenë pozitive “shpresa do ta mundë
dëshpërimin” (“Demokracia nuk pret” f. 30). Optimizmin e vet
objektiv, Shkreli e lidh dhe me ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në këto 27
vjet, si shkërmoqja e diktaturës komuniste në Europë dhe Shqipëri, çlirimi i
Kosovës nga zgjedha sërbe dhe rritja e përpjekjeve të shqiptarëve që jetojnë në
Maqedoni, Mal të Zi dhe Sërbi për të fituar më shumë të drejta politike dhe
qytetare. Ai ka të drejtë kur thekson: “Eshtë në dorë të shqiptarëve si
asnjëherë më parë, që Shqipëria dhe shqiptarët ta ndjejnë sot veten mirë në
mbarë trojet e tyre autoktone” (f. 144).
Ku shkelet e drejta e shtypit, do të shkelen dhe të drejtat e
tjera
Temë e
pëlqyer për këtë gazetar është lufta për zbatimin e të drejtave të njeriut.
Mbështetur në artikullin 19 të “Deklaratës Universale mbi të Drejtat e
Njeriut”, ku përcaktohet e drejta për lirinë e shprehjes së opinionit, e
marrjes dhe e dhënies së informacionit, Shkreli sulmon shkeljen e kësaj të
drejte në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Shqipërisë. Për keqësimin e
gjendjes së gazetarëve në Turqi, ai sjell të dhënat e një takimi ndërkombëtar
që kryen nëntë organizata botërore në Stamboll disa ditë para se në Shqipëri
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri, të kryente shkeljen e
tij ndaj lirisë së shtypit shqiptar.
Pasi
sqaron sesi organizmat ndërkombëtare e kritikuan qeverinë turke për gjendjen e
rëndë të krijuar për gazetarët e atij vendi, autori në shkrimin “Shtypi nën
presion në Turqi dhe në Shqipëri” (f. 16-21), kalon te rasti konkret i
sulmit që z. Gjiknuri i bëri gazetës së pavarur “Telegraf” të Tiranës.
Kjo gazetë kishte kritikuar një ditë më parë Ministrinë që ai drejton dhe ky
Ministër të nesërmen e paditi këtë gazetë të përditshme në Gjykatën e Rrethit
Gjyqësor Tiranë me akuzën se ka cënuar rëndë nderin dhe personalitetin e tij
dhe ka përhapur në publik informacione të pavërteta. Ai i kërkoi Gjykatës që ta
detyrojë gazetën “Telegraf” t'i paguajë atij si dëmshpërblim shumën prej
10 milion lekësh ose 100 mijë dollarësh. Mirëpo një ditë më pas, Komisioni i
Lartë i Shtetit (KLSH) njoftoi padinë e vet në Prokurori ndaj z. Gjiknuri për shpërdorim
detyre. Edhe të dhëna të ndryshme të analistëve shqiptarë dëshmojnë se zyrtarë
të qeverisë dhe të shtetit shqiptar ushtrojnë presion ndaj lirisë së medias
duke hedhur në gjyqe gazeta, televizione, website të cilat guxojnë të jenë
kritike ndaj punës së tyre. Më tej ai citon pjesë nga fjalimi që mbajti në
Ditën Ndërkombëtare të lirisë së shtypit Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të
Bashkuara, zoti Ban Ki Moon, ku ai theksoi nevojën e mbrojtjes së gazetarëve
nga presionet e qeveritarëve.
Veprimi
i z. Gjiknuri, sipas autorit, paralajmëron rrezikun se në Shqipëri do të
ndodhin edhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, ku demokracia është e
brishtë...
Frank
Shkreli, si bir i komunitetit të krishter katolik shqiptar mbi të cilin
përndjekja e Kishës dhe e klerit katolik gjatë regjimit komunist solli pasoja
shkatërrimtare, gjen rast herë pas here të kujtojë plagën e shkaktuar gjatë
diktaturës komuniste në fushën e besimit fetar dhe pasoja të saj. Kështu ai vë
re se edhe në Shqipërinë pasdiktatoriale ka një nënvlerësim ndaj kolosit At'
Gjergj Fishta. Poema “Lahuta e Malsisë” e këtij poeti, sqaron autori,
midis shqiptarëve të Jugosllavisë ka qenë kënduar në çdo vatër familjare gjatë
gostive e festave familjare. Gjergj Fishta për mbarë shqiptarët gegë, sidomos
për pjesën e popullit shqiptar që jetonte në Jugosllavi, ka luajtur rolin e
“Poetit Kombëtar”, ashtu si Naim Frashëri për shqiptarët toskë. Prandaj lënia e
shtëpisë së Gjergj Fishtës në gjendje të rënuar edhe pas 25 vjet tranzicioni
dhe mospërgjigja e Ministrisë së Kulturës ndaj ofertës së zotit Sabri Maxhuni,
biznesmenit nga Kosova, për të riparuar e kthyer në Muze shtëpinë e poetit me
shpenzimet e veta, e revolton gazetarin Shkreli. Në fund të shkrimit autori
pasi i shpreh mirënjohje z. Sabri Maxhuni, e mbyll shkrimin duke e vlerësuar
dhe uruar: “Kjo është atdhetari e vërtetë! Qofsh gjithmonë me faqe të bardhë!”,
urim që nënkupton se Ministrisë së Kulturës i mbetet mungesa e atdhedashurisë
dhe turpi.
Mbeturina
të mendësisë komuniste sheh ky autor edhe në vlerësimet e gabuar ndaj Ernest
Koliqit, kësaj figure shumëdimensionale që u shqua si shkrimtar realist,
Ministër i Arësimit gjatë pushtimit italian kur ai hapi shkolla shqipe në tokat
shqiptare që iu kthyen Shqipërisë më 1941, botues i revistës kulturore dhe
shkencore “Shejzat” në Itali, mbledhës dhe studiues i traditave
kulturore dhe folklorike të popullit tonë, njeriu që nuk u ligështua dhe nuk e
humbi besimin për ditë më të mira, parashikues i rihapjes së kishave dhe
luftëtar për një Shqipëri të lirë dhe të virtutshme, etj. Për vlerat e mëdha që
ka vepra e Ernest Koliqit, thekson ky autor, duhet studiuar sa më parë dhe
duhet bërë pjesë e programeve mësimore në të gjitha shkollat e mesme e të larta
të Shqipërisë e Kosovës dhe shkollat shqipe të Maqedonisë (f.
107).
Ajo që e shqetëson edhe më shumë analistin Shkreli është mbajtja
gjallë e nostalgjisë ndaj Enver Hoxhës. Me rastin e festimit të 5 majit 2014, u
panë tek vorrezat e dëshmorëve foto të diktatorit në prani të fëmijëve të
shkollave që kishin shkuar atje. Këtë veprim autori e quan “të shëmtuar dhe
të pafalshëm”, në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe synon
të hyjë në Bashkimin Europian. Shqetësimi i autorit ka lidhje me faktin se në
Shqipëri këto veprime kanë lidhje me persona që janë në pozita kyçe partiake
dhe qeveritare, përfshirë dhe tempullin e popullit, Kuvendin e Shqipërisë. Të
tillë njerëz që nderojnë fotografinë e diktatorit me grushtin lart dëshmon se:
“Ata... jetojnë krejt jashtë realitetit shqiptar dhe ndërkombëtar... se janë
të paaftë për t'i paraqitur popullit shqiptar ide të reja për zgjidhjen e
problemeve të shumta me të cilat ai përballet, se ata i thanë botës se gjithnjë
janë krenarë që kanë qenë pjesë e një regjimi të një historie të humbur”
(f. 459 - 460).
Si
zgjidhje ai sjell fjalët e Presidentit amerikan Ronald Regan të vitit 1983: “Të
keqen duhet ta kundërshtojmë me çdo mjet dhe me të gjitha fuqitë tona...
Krenaria e këtij vendi është aftësia e tij për të kapërcyer të këqiat morale të
historisë së vet, duke u shkëputur prej tyre dhe duke u zotuar se nuk do të
ndodhin kurrë më” (f. 458 - 459).
Të hapen Dosjet!
Disa institucione
dhe fondacione gjermane ndihmuan për të hapur gjatë
dhjetorit 2014 në Tiranë dhe pastaj gjatë prillit 2015 në Berat një ekspozitë
kushtuar historisë së Europës gjatë shekullit të XX-të për të nxjerrë mësime
nga jeta që kaluan popujt e këtij kontinenti nën diktaturat dhe si po jetojnë
tani në demokraci. Shëmblli i popullit gjerman pas daljes nga diktaturat
naziste e komuniste nuk u ndoq prej popullit shqiptar. Në Gjermaninë
Perëndimore pas 9 majit 1945 u dënuan krimet e nazizmit dhe kriminelët nazistë,
kurse në pushtet erdhën njerëz të ndershëm që nuk kishin lidhje me nazizmin.
Pas bashkimit të dy Gjermanive mbas vitit 1990 populli i Gjermanisë Lindore
nëpërmjet hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit duke u ballafaquar me të
kaluarën e tmerrshme arriti të siguronte paqen shoqërore dhe sejcili të gjente
vendin që i përkiste. Kështu Gjermania e bashkuar (Republika Gjermane) ndërtoi shpejt
shtetin e përbashkët demokratik, i cili eci shumë përpara si fuqi botërore
politike dhe ekonomike.
Në
Shqipëri pas ndërrimit të sistemit nuk u vendos asnjë masë që të mënjanonte ish
komunistët dhe ish sigurimsat nga pjesëmarrja në pushtet. Ish Partia Komuniste
e quajtur Parti e Punës nuk u shpërbë me shpalljen e pluralizmit, por ndërroi
vetëm emrin në Parti Socialiste. Kjo parti me të njëjtët deputetë që trashëgoi
prej Partisë së Punës vijoi të ishte parti parlamentare në sistemin pluralist
dhe shumë shpejt rimori pushtetin politik e atë ekonomik. Eshtë e kuptueshme se
në Shqipëri kuadrot ish komunistë dhe ish sigurimsa që vijojnë të sundojnë
politikën e vendit, nuk janë të interesuar të hapet asnjë debat mbi krimet e
kohës së diktaturës komuniste. Mirëpo pikërisht mosdënimi i krimeve të kohës së
diktaturës përbën ngërçin e politikës shqiptare.
Ambasadori
i Gjermanisë në Tiranë duke e kuptuar fatkeqësinë tonë, pasi vizitoi ekspozitën
në Berat, dha një këshillë: “ka ardhur koha për të hapur dosjet e ish
Sigurimit të Shtetit. Mendoj që ky është një proces i dobishëm për të gjithë
shqiptarët dhe shpresoj shumë që ky proces të përmbyllet në mënyrë të
suksesshme” (f.148). Mirëpo autori i shkrimit, i cili e di se për 25 vjet
është folur e përfolur për këtë problem, janë krijuar komisione, janë përpiluar
edhe projektligje, shton se ky proces “nuk ka gjasë të përfundojë askund, ai
do të mbetet në hava, as me sukses as pa sukses” (f. 148).
Ballkani
Perëndimor, SHBA-të
Rusia dhe Turqia
Shqipëria
dhe gjithë Ballkani Perëndimor janë në qendër të vëmendjes si të SHBA-ve, të
Rusisë dhe të Turqisë. SHBA-të përpiqen që popujt e këtyre vendeve të
ndërgjegjësohen dhe të ecin në mënyrë të pavarur drejt demokracisë dhe të
vendosin vetë se në cilat organizata do të hyjnë. Kurse Rusia dhe Turqia me
rrugë të ndryshme janë përpjekur që të ndalin procesin e demokratizimit të
këtyre vendeve dhe të ndalojnë hyrjen e tyre në organizatat ndërkombëtare si
NATO dhe BE. Rusia dhe Turqia përpiqen që të shtrijnë influencën e tyre në këto
vende duke ëndërruar rikrijimin e perandorive të vjetra në forma të reja si
perandori ekonomike me pushtet autokratik.
Në fund
të prillit 2015 u mbajt seanca e Nënkomisionit të Punëve të Jashtme të
Kongresit Amerikan që merret me Europën dhe Azinë. Midis tjerëve atje ishte
ftuar dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, z. Hoyt Yee (Huajt Ji)
përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Gazetari Shkreli pasqyron mendimet
kryesore që tha ky diplomat i lartë dhe i mbështet ato. Duke karakterizuar
situatën gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor ai theksoi se misioni amerikan
për krijimin e një Europe të tërë të lirë dhe në paqe, është kërcënuar më shumë
se kurrë mbas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe terrorit që po ushtrojnë
forcat e ISIS në Siri dhe Irak. Për këtë arsye, vijoi ai, puna jonë për
krijimin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të lirë, me tregëti të lirë dhe pa
korrupsion, duhet forcuar “për të ndihmuar këto shtete që të marrin vetë
vendimin e pavarur për të ardhmen e tyre Euro-Atlantike... e deri tek përpjekjet
për të çrrënjosur kancerin e korrupsionit që është duke brejtur nga brenda këto
shoqëri” (f.135). Shqipëria, vijoi ai, ka bërë shumë përparime, prandaj iu
dha statusi i vendit kandidat për të hyrë në BE, por ende duhet të përballet
me sfida të mëdha në zbatimin e reformave që janë të nevojshme për të filluar
bisedimet për anëtarësimin në BE. Shqipërisë i duhet të intensifikojë
përpjekjet drejt përforcimit të institucioneve demokratike dhe zbutjes së politikës
konfliktuale midis partive, të bëjë reformat në drejtësi dhe të luftojë
korrupsionin dhe krimin e organizuar” (f. 136).
Po
ashtu ky diplomat i lartë theksoi se Kosova duhet të krijojë Gjykatën Speciale.
Më tej ai u ndal te problemet e Malit të Zi, ku qeveria duhet të luftojë
korrupsionin, i cili ka lidhje me pushtetarët dhe të sigurojë të drejtat e
gazetarëve. Kurse për Maqedoninë theksoi nevojën për përmirësimin e
marëdhënieve pozitë – opozitë dhe marëdhëniet midis shumicës maqedone dhe
pakicës shqiptare.
Në një
kohë të tillë, pikërisht në prill 2015, kur bota po përkujtonte me keqardhje
100-vjetorin e genocidit turk ndaj popullsisë armene, agjentura turke në
Maqedoni arriti të nxiste shumë shqiptarë myslimanë dhe pakicën turke e atë
bosnjake që të delnin në një demonstratë në Shkup para xhamisë së Murat Pashës
për ta kundërshtuar të vërtetën historike, vrasjen e njëmilion armenëve që
kërkuan bashkimin me shtetin amë. Shkreli revoltohet nga ky fakt dhe pasi e
kritikon, sjell dhe fakte të tjera si kërkesa për rishikimin dhe ndryshimin e
historisë së popullit shqiptar që kërkojnë qeveritarët turq, grekë dhe sërbë,
me synim që të ndryshohet dhe së fundi të zhduket identiteti shqiptar në trojet
ku populli shqiptar ka qenë gjithnjë autokton. E këtu autori i shkrimit ngul
këmbë se fajtorë kryesorë në këtë problem janë qeveritarët shqiptarë që nuk
kundërshtojnë hapur, por iu nënshtrohen këtyre kërkesave absurde antikombëtare.
Kjo heshtje e shtyn Shkrelin të sjellë një citat të Faik Konicës: “armiku më
i madh i shqipërve kanë qenë dhe janë vetë shqipëtarët” (f.146).
Politika
e jashtme e shtetit grek kritikohet rëndë te shkrimi “Papulias dhe
shqiptarët”, ku vihet theksi tek kontrasti midis politikës së jashtme të
shtetit shqiptar dhe atij grek. Shqipëria bën çmos që të ndërtojë marrëdhënie
moderne dypalëshe dhe rajonale, të denja për shekullin e XXI-të, kurse shtetet
fqinjë nuk druhen të shprehin ndjenjat e tyre antishqiptare. Kështu ai sjell
rastin e Presidentit të Greqisë, z. Karolios Papulias, i cili pas takimit
ndërkombëtar në Zvicrën asnjanëse, gjatë intervistës për shtyp, kur u pyet për
Kosovën, tha: “Athina nuk e njeh Kosovën, sepse vepron duke u bazuar në
interesat e saj kombëtare... pa u ndikuar nga askush” (f. 462).
Analisti Shkreli ironizon me këtë gjoja pavarësi të politikës së jashtme të
shtetit grek: “në qoftë se qëndrimi i zotit Papulias ndaj Kosovës nuk është
i njëjtë me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të, duket se është në përputhje të plotë me
qëndrimin e Sërbisë dhe të Rusisë, dy vende historikisht aleatë të Greqisë,
kundër të drejtave të shqiptarëve në rajon në përgjithësi dhe ndaj Republikës
së Kosovës në veçanti” (f. 463). Dhe kur presidenti grek për ta paraqitur
Greqinë si shtet që ndihmon rajonin për paqe, tha: “Greqia strehon mbi një
milion punëtorë shqiptarë”, Shkreli sqaron se shifra është shumë e zmadhuar
dhe se marrëdhëniet midis emigrantëve shqiptarë dhe Greqisë janë marrëdhënie
pune: “ata kanë nevojë për punë dhe Greqia ka nevojë për ta, ashtu si ndodh
në shumë vende të Europës” (f. 465).
Vlerësim veprash shkencore
Frank
Shkreli e njeh mirë historinë e popullit shqiptar, prandaj ai di të vlerësojë
si duhet vepra shkencore me temë historike. Kështu ai ndalet dhe analizon
veprën e Kol Bib Mirakajt “Vetëvrasja e një kombi”, ku jep fakte të
jetuara për jetën politike të Shqipërisë në vitet 1939 – 1950. Parathënien e
librit e ka shkruar Fritz Radovani i cili, pasi tregon se familja Mirakaj ka
kaluar 950 vjet burg gjatë diktaturës komuniste, e vlerëson librin si material
dokumentar të dorës së parë për historianët tanë.
Kol Bib
Mirakaj nuk mohon që ka qenë në funksione shtetërore gjatë pushtimit fashist,
por përmes faktesh ai tregon se forcat e Ballit Kombëtar dhe ato të
Legalitetit, si dhe intelektualët e pavarur me formim Perëndimor, kanë
përgjegjësinë kryesore për kalimin e pushtetit në duart e Partisë Komuniste në
nëntor 1944. Sipas tij forcat e djathta në Shqipëri bënë gabim që bashkëpunuan
me forcat komuniste gjatë viteve 1942 - 1943 (Konferenca e Pezës dhe Mbledhja e
Mukjes, f. 158). Sipas tij edhe vetë Aleatët Perëndimorë nuk e vlerësuan
lëvizjen komuniste ashtu si ishte ajo në të vërtetë, “lëvizje e
imperializmit pansllav (f.157) dhe kështu ajo u rrit e fitoi terren në
Europën Qendrore dhe Jug-Lindore.
Vepër
tjetër që vlerësohet në këtë libër është “Luigj Gurakuqi në një optikë të re”
i Kolec Çefës, botuar me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së Gurakuqit,
atdhetarit që e mbrojti popullin dhe Shqipërinë me mençuri, energji dhe
dinjitet, i cili, thekson studiuesi Çefa “ishte kundër politikës orientale
nga brenda dhe kundër politikës kolonizuese nga jashtë” (f. 59). ai e ngre
zërin për një vlerësim më dinjitoz të kësaj figure kombëtare, që duket sikur po
harrohej me rastin e 90-vjetorit të vrasjes. Edhe autori i recensionit z.
Shkreli ngul këmbë në domosdoshmërinë e përkujtimit të jetës dhe veprës së
Luigj Gurakuqit, sepse mospërmendja e tyre shpie në varfërimin e vlerave tona
kombëtare, intelektuale dhe shpirtërore, kurse përkujtimi është në dobi të
interesave tona të brendshme dhe të jashtme (f. 60).
“Krijimi
i Kosovës”, vepër e studiuesit të ri Prof. Elton Skendaj pedagog i
Shkencave Politike në “Miami University” Shkreli ia përmend kualifikimin dhe
faktin se ky autor ka botuar shumë artikuj prestigjozë politikë në shtypin
amerikan, se ai e përgatiti këtë libër pas 10 muajsh pune në Kosovë dhe se kjo
vepër është vlerësuar prej disa studiuesve amerikanë.
Me
rëndësi të veçantë për historinë dhe kulturën kombëtare shqiptare është dhe
vepra e re e Ndiçim Kullës “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar,
1807 – 1957 vol. 1-3”. Kjo vepër e rëndësishme përfshin pjesë nga shkrime
të 75 intelektualëve shqiptaë të atyre viteve. Mendimet e tyre i përkasin
botëkuptimit të djathtë. Duke qenë të spikatura, Shkreli i vlerëson duke bërë
një pyetje retorike: “Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në
shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e tyre properëndimore?”
(f. 409). Si studiues dhe sociolog optimist që është, Frank Shkreli sqaron se
idetë demokratike të intelektualëve të shquar, të cilët u mundën prej Partisë
Komuniste, humbën një betejë por jo vlerat e ideve dhe të ideologjisë së tyre.
Ai
sjell mendimin e Ernest Koliqit të cilin e takoi në Romë më 1968 në festimet e
500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Mendimtari Koliqi i
pati thënë djaloshit Frank se Shqipëria pas vdekjes së Heroit Kombëtar u
pushtua prej osmanëve, por drita e veprës së tij e ringjalli kombin tonë dhe e
drejtoi drejt lirisë. Duke qenë se Frank Shkreli beson në forcën e ideve
përparimtare, është i një mendjeje me z. Ndriçim Kulla, autorin e kësaj
enciklopedie, se edhe mendimet e ndritura të intelektualëve shqiptarë
properëndimorë të shekullit të XX-të, të cilët e humbën luftën, do ta ndihmojnë
popullin tonë të gjejë rrugën e vet të rigjenerimit dhe “do të ecë drejt
krijimit të një Shqipërie tjetër... të dijes e të përparimit” (f. 410).
Me
interes është dhe recensioni i librit anglisht të Albert Lulushit “Operacion
Valuable Fiend” (“Operacioni, kundërshtar i dobishëm”, ku sqarohen
nën një interpretim të ri sakrificat dhe dështimi i aksioneve të diversantëve
shqiptarë të cilët nën drejtimin e CIA-s amerikane u hodhën në Shqipëri gjatë
viteve 1948 –1953 me synimin qëllimmirë për të përmbysur regjimin brutal
komunist të Enver Hoxhës. Deri sot është thënë se shkaktar në dështimin e këtij
operacioni, ka qenë agjenti i dyfishtë Kim Filbi. Albert Lulushi e pranon këtë fakt, por ai bën
shkaktar të dështimit edhe grupet politike shqiptare që vepronin në emigracion.
Këto grupe i bashkonte urrejtja ndaj regjimit komunist, por i përçante politika
e tyre e ndryshme dhe lakmia për të qenë sejcili forca kryesore me qëllim që
nesër të qeveriste Shqipërinë. Kjo pëçarje e grupeve politike reflektohej edhe
te vetë diversantët, të cilët shpesh herë grindeshin midis tyre, gjë që ndikoi
negativisht në zbatimin e operacionit edhe mbas largimit të Kim Filbit nga
detyra në vitet 1951 - 1953...
Shumë
të dashur janë për Frank Shkrelin edhe veprimtarë të tjerë të shquar të
kulturës dhe historisë shqiptare, si At' Shtjefën Gjeçovi
mbledhës dhe studiues i Kanunit të Lek Duakgjinit; Dedë GjoLuli një nga
kryetrimat e luftrave për liri nga zgjedha osmane; Luigj Gurakuqi krahu i
djathtë i Ismail Qemalit; Isa Boletini luftëtari i pashok i Kosovës; trimëresha Tringa Ismajli dhe të dijshmit Fan Noli,
Mit'hat Frashëri; Baba Rexhebi, Dom Simon Filipaj përkthyes
i “Biblës” shqip, etj. Për sejcilin prej tyre ai jep ngjarje pak të
njohura dhe vlerësime origjinale.
Si
njohës i mirë i veprimtarisë atdhetare të diasporës shqiptare në Amerikë, ky
autor vlerëson me artikuj përkujtimorë, ose me recensione veprash figura të
shquara si Xhevat Kallajxhiun, të cilin e quan dekan i gazetarisë shqiptare
demokratike, Profesorët Arshi Pipa shkrimtar, studiues, kritik letrar dhe
pedagog i Letërsisë Italiane në Universitetin e Minesotës; Sami Repishti një
nga krerët e intelektualëve shqiptarë të diasporës sonë në SHBA si veprimtar i
shquar i të drejtave të njeriut; Dr. Elez Biberaj shef i departamentit të Euro
– Azisë në Radio Zëri i Amerikës dhe autor i librave “Shqiptarët dhe sfidat
e tranzicionit” dhe “Shqipëria dhe shqiptarët në udhën e rimëkëmbjes” përmbledhje me artikuj të rëndësishëm; Idriz
Lamaj gazetar në Zëri i Amerikës dhe autor i shumë studimeve dhe i veprës “Vatra
dhe vatranët”, etj.
Guximi dhe qartësia
e shprehjes së mendimeve si tipar dallues i këtij gazetari bie në sy në të
gjitha shkrimet e tij edhe në ato që po shkruan sot. Ai ka kritikuar veprimet
jo demokratike të shtetarëve të Ballkanit, por edhe të SHBA-ve. I tillë është
rasti i këtyre ditëve, kur ai u bashkua me ata senatorë e kongresmenë që
kritikuan presidentin Donald Trump për urimin që i bëri me telefon Vladimir
Putinit për zgjedhjen e tij shef i Kremlinit. Edhe Frank Shkreli e kritikoi
këtë veprim si një urim i panevojshëm për zgjedhje jo demokratike.
* * *
Si
përfundim mund të themi se Ministria e Kulturës dhe ajo e Arësimit e Republikës
së Shqipërisë dhe ministirtë korresponduese të Kosovës duhet të përgatisin të
paktën një vëllim me shkrime të zgjedhura të këtij gazetari dhe ta botojnë në
shumë kopje, sepse leximi i të tillë shkrimeve ndihmon në formimin e masave të
gjera me një botëkuptim demokratik të vërtetë. Kurse studentët e degës gazetari
pranë universiteteve shqiptare do të ndihmoheshin dhe në plan praktik për të
përvetësuar modele shkrimesh me ide të guximshme, me gjuhë të matur e të
argumentuar, larg sharjeve e fyerjeve, që hasen në gazetarinë shqiptare që
prodhohet në Shqipëri e Kosovë.
Comments
Post a Comment