Ç'TË BËJMË ME MAJAKOVSKIN
VITORIO STRADA
(
Vittorio Strada )
Ç'TË BËJMË ME MAJAKOVSKIN
ese
Ç'të bëjmë me Vladimir Majakovskin? Me Majakovskin që për
antonomazi është "poeti i revolucionit"? I një revolucioni të
ashtuquajtur i ''Tetorit" i cili në fillim u ngrit në qiell nga të
shumtit, nga Majakovski edhe më me zjarr se kushdo tjetër, kurrë sot është
stigmatizuar nga shumica dhe a nuk ishte i tillë ai që në fillim për cilindo që
s'ishte verbuar nga shkëlqimi i një "bote të re" imagjinare? Pyetja
"Ç'të bëjmë me Majakovskin" si dhe me këngëtarë të tjerë të
ringjalljes së kuqe, është e pashmangshme tani që kolosi i ndërtuar në terrenin
e asaj përmbysjeje të padëgjuar është në rrënim, provë kjo e pasigurisë së
materialeve dhe e gabimeve të projektit. Veç kësaj, nuk bëhet fjalë aspak për
një pyetje pa vend, po të kujtojmë deklaratën e bujshme të futuristëve ( më
1912 ), e firmosur që atëherë nga i riu Vladimir i cili urdhëronte që " të
hidheshin nga anija e modernitetit " Aleksandër Pushkini dhe
"klasikët " e tjerë që konsideroheshin vjetërsira dhe pa vlerë nga ai
që, si homonimët italianë të këtij grupi të kryesuar nga Marineti, për t'u
kualifikuar, duke kapërcyer të tashmen dhe të kaluarën, shpallej flamurtar i së
Ardhmes. Nga "anija e modernitetit" e mijëvjeçarit të ri mos duhet
"hedhur jashtë" ndoshta një klasik "i avangardës" si
Majakovski, sepse është i plakur dhe i papërshtatshëm?
Një
përgjigje e miratuar nga disa është se poezia majakovskiane, fajtore se ka
ekzaltuar një revolucion kriminal që midis shumë të tjerësh, vrau dhe torturoi
shumë poetë, i përket tashmë një errësire të merituar: ajo shtrihet në pluhur,
nën rrënojat e ndërtesës kolosale komuniste së bashku me shumë figura të tjera
të së njëjtës stampë ideologjike. Por nuk mund të mohojmë se poezia e
Majakovskit, edhe pse e shfronësuar nga vendi qendror që i ishte dhënë në
panteonin e "regjimit
të vjetër", ekziston dhe reziston edhe, sepse ajo nuk është një kufomë
për të cilën mund të thuhet "parce
sepulto".(e varrosur)
Një
përgjigje tjetër na këshillon që të provojmë te Majakovski operacionin të cilit
duhet t'i nënshtrohet trashëgimia e shumë personazheve të shkëlqyer: të hiqet
ajo që është e vdekur ( ditirambi politik ) dhe të ruhet ajo që është e gjallë
(lirika e dashurisë ). Por kjo ndërhyrje e ka të keqen këtu se cungon një
organizëm ku gjithçka është e lidhur dhe prerja e një pjese që quhet e
nekrotizuar dëmton pjesën që mbijeton. Parashtrohet edhe një zgjidhje tjetër:
ta quajmë Majakovskin, jo poetin e revolucionit, por një viktimë të këtij
revolucioni, një lloj zhongleri tragjik i pushtetit të ri: ta quajmë, jo një poet
të oborrit të autokracisë së re bolshevike, por një demaskues paradoksal të
miteve revolucionare, të fuqizuara nga ai vetë që shihte sa lot dhe sa gjak
kullonte Molloku (përbindëshi ) i ri i nderuar prej tij.
Të pranosh
këtë zgjidhje nuk do të thotë të
falsifikosh Majakovskin, duke i ndërtuar një fytyrë ndryshe nga e tija,
përkundrazi, ta defalsifikosh duke i hequr maskën zyrtare që i ka vënë për dhjetëra vjet "realizmi
socialist". Megjithatë edhe kështu Vladimir Majakovski do të skematizohej
dhe, gjëja që do të humbiste do të ishte kompleksiteti dramatik i fatit të tij
dhe i poezisë së tij që nuk e ka shoqen në letërsinë e Nëntëqindtës, ku nuk
mungojnë njerëz si ai që iu nënshtrua miteve të reja politike dhe si Celini iu
nënshtrua joshjes makabre të nazizmit ose si Paundi që e gjeti të përshtatshëm
fashizmin për muzën e vet, për të mos folur për turmën, me Brehtin në krye, që
u rreshtua me komunizmin e epokës staliniste. Është "dukuria
Majakovski" që perceptohet në unitetin e
tij të thellë të jetës dhe poezisë brenda epokës së revolucionit të parë
total e totalitar të shekullit XX, lidhur me të cilin emrat, edhe ata më të shquarit që i përmendëm më
sipër kanë si tipar që erdhën pastaj,
kur nuk kishte më vend për iluzion dhe shumë prej tyre e bënin këtë nga
cinizmi.
Duhet
të ndjekim rrugën ekzistenciale dhe krijuese të poetit duke u nisur nga një
pikë fikse, e vetmja e padiskutueshme, por për këtë, jo më pak enigmatike për
biografinë e tij të vuajtur: ajo e vdekjes me vetëvrasje më 1930. Mund të themi
se edhe kjo pikë është e pasigurt, meqë vdekja e Majakovskit është vënë në
dyshim përsa i përket mënyrës së kryerjes së saj: vetëvrasje apo inskenim? Në
rastin e dytë, autore dhe regjisore e simulimit makabër, do të ishte ajo
policia politike dhe, ai regjimi, vegël e të cilit ajo ishte, që ndiqte me një
interesim të vëmendshëm jetën e poetit dhe do të vendoste më në fund, kur ajo
po i shpëtonte nga dora dhe, duke pasur parasysh famën e personit, po bëhej e
rrezikshme për atë forcë revolucionare,
bard i së cilës poeti ishte.
Nuk
do të ishte pa interes të ndiqej ky version virtual, por i pakuptimtë, pasi nuk
do të arrinte në asnjë gjë të sigurt. Nga ana tjetër, nëse pranohet teza, e
besueshme dhe bindëse, e vetëvrasjes së vërtetë edhe, kjo do të mbante erën e
një vrasjeje të bërë, jo nga ajo policia e fshehtë, ("çekistët") së
cilës Majakovski i kushtoi një admirim të devotshëm që, veçanërisht, sot, habit
dhe ngjall neveri, por nga regjimi i hyjnizuar nga ai si shpëtim i vetëm
universal dhe i tiji personal. Në këtë dritë Majakovski është poet i një
revolucioni jo rrëzëllues e triumfues, por vdekjeprurës dhe mistifikues: një
poet që i tunduar nga një instinkt i papërmbajtshëm vdekjeje, në luftë me një
vullnet të dëshpëruar jete të revolucionit si një jetë e rreme, gjeti një
iluzion të përkohshëm mbijetese.
Tri
vetëvrasje të mëdha shënojnë historinë e poezisë ruse të Nëntëqindshit:
vetëvrasja e Sergej Eseninit më 1925, vetëvrasja e Vladimir Majakovskit më 1930
dhe ajo e Marina Cvetajevës më 1941 (e ngjashme, por e ndryshme është lista e
poetëve të vrarë, nga Nikolaj Gumilovi, Osip Mandelshtami dhe të përndjekurit,
që nga Ana Ahmatova deri te Boris Pasternaku). Më e bujshmja qe padyshim
vetëvrasja e Majakovskit e cila përveç skandalit për atë gjest të kryer nga
poeti më i shquar i regjimit komunist, me barrën e enigmave domethënëse, u bë
shkak për gjykime me vlerë të lartë, si ato të Andrea Bretonit dhe Roman
Jakobsonit dhe la një gjurmë të thellë te Boris Pasternaku që asaj ngjarje i
kushtoi faqet më intensive të Lejeqarkullimit
të tij. Më pak e paralajmëruar qe vetëvrasja e Marina Cvetajevës e cila ishte
gjithashtu më e kuptueshme: pas kthimit në Bashkimin Sovjetik, më 1939 dhe
arrestimit të burrit dhe të vajzës së saj dhe pastaj, pas largimit të saj, në
fillim të luftës në një lokalitet të humbur tartar, Elabuga, pa mjete jetese, e
izoluar dhe e ndrydhur ( "Ka një vit që hahem me vdekjen. Gjithçka është
monstruoze dhe e tmerrshme", shkruan në ditar pak më parë se të vriste
veten ), Marina kishte vepruar "logjikisht" siç tha me kuptim
dashamirës djali i saj Mur.
Përsa i
përket Eseninit largimi i tij vullnetar nga jeta, pas përpjekjesh të ndryshme
të dështuara, nuk ngjan e errët, po të mendohet për tëhuajsimin e tij nga realiteti i pasrevolucionit, për jetën
e tij të çrregullt që bëhej shkak që ai të gjente miqësira mes fundërrinave të
shoqërisë dhe, midis kapove të policisë së fshehtë,si dhe për alkoolizimin që u bë shkak që ai të mbyllej
në një klinikë psikiatrike pak para udhëtimit të tij për në Leningrad, ku në
një nga dhomat e hotelit Ndërkombëtar (tashmë Angletere) ,preu venat dhe u var
në një nga dritaret (edhe në rastin e
tij u përhap versioni që vetëvrasja kishte qenë e inskenuar nga çekistët, por
s'u besua)
Në
lidhje me vetëvrasjen e Eseninit që
shkaktoi në mënyrë epidemike një valë
vetëvrasjesh si imitim, çështja më interesante qëndron në marrëdhënien
me Majakovskin. Esenini, me gjakun e damarëve të vet, shkroi dy vargjet e tij
të fundit:
Në këtë jetë të vdesësh nuk është e re,
por as të jetosh s'është
e re sigurisht
vargje këta që mbetën më të gdhendur nga vdekja e poetit,
aq sa Majakovski mendoi se ishte detyra e tij sociale "të paralizonte në
mënyrë të ndërgjegjshme efektin e atij testamenti poetik, "të bëjë të
zakonshëm fundin e Eseninit, të tregojë në vend të forcës tërheqëse të vdekjes,
një tjetër bukuri, pasi njerëzimi punëtor kishte nevojë për të gjitha forcat,
për gjersa revolucioni ishte në fillim". Bëhej fjalë që të çestetizohej
ajo vdekje duke i kundërvënë atyre vargjeve jo analiza sociologjike ose fjalë
politike, por vargje të tjerë, po aq të gdhendur. Poezia "Sergej Eseninit,'' në të cilën Majakovski kërkon të
neutralizojë edhe me anë të ironisë fundin e poetit, mbyllet me këta vargje,
gjithashtu po aq të famshëm si ata të Eseninit:
"Në këtë jetë nuk është e vështirë të
vdesësh.
Të jetosh është shumë më e
vështirë".
Të jetosh një jetë kolektive, "t'u shkëpusësh
gëzimin ditëve të ardhshme, pasi "planeti
ynë nuk është aq i ndërtuar për gëzimin" ( janë fjalë të së njëjtës poezi): kjo ishte detyra që Majakovski
poet i revolucionit i vinte gjithë poezisë dhe në radhë të parë, vetes, gati,
siç thotë në një varg tjetër të tij, që t'i shqyejë fytin këngës së vet,
domethënë të sakrifikojë prirjen e tij lirike mbi altarin, për ndërtimin e një
bote të re dhe për njeriun e ri.
Mbi
këtë sfond Marina Cvetajeva krijoi një legjendë të vetën të bukur për vdekjen e
Majakovskit: ai pasi kishte përdorur vokacionin e vet duke i shërbyer një force
keqbërëse që ai e kishte pandehur të mirë, qenkej penduar sepse'' dymbëdhjetë
vjet rresht, njeriu Majakovski, vrau brenda vetes Majakovskin poet, në të
trembëdhjetin, poeti u çua dhe vrau njeriun. Nëse ka në këtë jetë një
vetëvrasje, ajo nuk është atje ku e shohin dhe zgjati, jo aq sa zgjati çasti i
tërheqjes së këmbëzës së revolverit, por dymbëdhjetë vjet jetë,,
Vetëvrasje
"lirike" ajo e Majakovskit pra? Fitorja e poetit mbi njeriun, e
lirisë mbi shërbimin?, e frymëzimit mbi politikën? Por te Majakovski që vret
veten nuk ka "gjurmë" pendese, as nuk mund të kishte se, po të kishte pasur, do të shkatërrohej
monumenti që Majakovski poet dhe njeri, i kishte ndërtuar vetes gjatë gjithë
jetës dhe donte ta ruante edhe për shokët pasardhës". Letra e fundit
(dikush ka dyshuar se ka pasur një tjetër,e sekuestruar dhe e mbajtur e fshehtë
nga policia politike, me sa duket, kjo është legjendë ), nuk është aspak një
mesazh i "lartë", që ia kalon ''angazhimit'' ideologjik dhe politik
të mëparshëm, e përqendruar siç është, te çështjet e ''ditës'', pa
llogaritur aluzionet te polemika letrare
më e zakonshme.
Më
afër thelbit të kësaj vdekjeje janë, me forcën e tyre largpamëse, fjalët
përmbyllëse te Lejekalimi i Boris
Pasternakut për të cilin Majakovski i gjallë dhe i vdekur, poet dhe njeri, futurist
dhe komunist, zuri një vend qendror dhe edukues: ''nën dritaren e dhomës ku
shtrihej kufoma e Majakovskit," afër murit, ishte shteti ynë i paparë kurrë, shteti i
pamundur që çan nëpër shekuj e mirëpritet përgjithmonë. Qëndronte atje poshtë,
mund ta thërrisnin dhe ta merrnin për dore. Veçanësia e tij e dukshme të
kujtonte në një farë mënyre të ndjerin. Ngjashmëria midis të dyve ishte kaq e
habitshme sa dukeshin si binjakë". Dhe shton: "Vetëm në të, risia e
kohës klimatikisht në gjak. Ai ishte krejt i çuditshëm për shkak të çudive të
epokës, ende gjysmë të parealizuara"
Nga
ky vizion misterioz i një Pushteti, "të paparë kurrë" dhe i pamundur,
por real, çudia e të cilit dhe risia revolucionare, duket i ngjashëm me
këngëtarin e saj të vetëm, të ndierë dhe, vërtet të ndierë (i asaj qytetarie,
ishte i vetmi qytetar), le të kalojmë tani në një konsideratë më të qartë dhe
të thjeshtë mbi lëngatën e errët që minonte Majakovskin dhe që i jepte shpirt
fshehtësisht poezisë së tij, duke e çuar atë në aktin final të vetëvrasjes.
Është dëshmia e Lilja Brikut, grua që edhe kur marrëdhënia e tyre erotike u
ndërpre, mbeti si një kushtëzim i përhershëm në jetën e Majakovskit: kjo grua
ambicioze dhe tekanjoze që sëmuri një varg të gjatë burrash, qe figura qendrore
dhe fatale e fatit të poetit, ashtu si burri i saj, Osip Brik, qe për të një
lloj mësuesi politik dhe letrar, që të dy bashkëshortët ishin të lidhur me
policinë politike dhe me personazhet e saj të errët, si drejtuesi i sektorit
sekret Gepeu, Jakov Agronov, organizator dhe ekzekutues i aksioneve të rrepta
dhe të përgjakshme represive.
Në
kujtimet e saj Briku shkruan: "Mendimi i vetëvrasjes ishte sëmundja
kronike e Majakovskit dhe si çdo sëmundje kronike, ajo bëhej më e mprehtë në
rrethana të disfavorshme". Ja një episod: "Në vitin 1916, në mëngjes
herët, më zgjoi një telefonatë. Zëri i ulët, i zymtë i Majakovskit: "Po ia
heq vetes. Lamtumirë Lilik". Bërtita: Pritmë!", hodha diçka sipër
fustanit, shpejtova hapat nëpër shkallë, u luta, nguca, qëllova me grushta mbi
shpinën e karrocierit. Majakovski më hapi portën. Në dhomë, mbi tavolinë ishte
një pistoletë. Ai tha: "Shtiva, nuk ndezi, s'e provova edhe një herë
tjetër, të prita ty". Më në fund Briku kujton: "Kur në 1956 erdhi në
Moskë Roman Jakobsoni, ai më kujtoi një bisedën tonë të 1920-ës. Ecnim nëpër
Okotnij Riad (një rrugë qendrore e Moskës -N.d.T) dhe ai më tha: "Nuk mund
ta përfytyroj Volodjan plak me rrudha". Unë iu përgjigja: "Nuk do ta
arrijë kurrë pleqërinë ai, do të shtjerë kundër vetes me siguri. E qëlloi
njëherë veten dhe s'i ndezi. Por s'do të ngjasë përherë kështu.! "Dhe
përfundoi: "Para se të shtinte kundër vetes, Majakovski hoqi karikatorin
nga pistoleta dhe la në tytën e saj vetëm një plumb. Duke e njohur, jam e
sigurt që ai i besoi fatit duke menduar se po të mos ishte e shkruar, do të
kishte bërë prapë një shkrepje bosh dhe do të do të mbeste gjallë".
Në
interpretimin e Brikut, mendimi i herëpashershëm i vetëvrasjes është reduktuar
në dukuri të jetës së përditshme ( frika e pleqërisë ), ndërsa Majakovski ishte
i shqetësuar nga vdekja si zhdukje totale e botës reale, trupore, dhe i
shpërblyer nga miti i ringjalljes si kthim në këtë botë, temë e pranishme kjo
në poezinë e tij.
Burri
i Liljas, Osip Brik, inteligjenca e ftohtë e të cilit ishte ngurtësuar në
tmerret e torturave dhe pushkatimet dhe bodrumet e policisë politike sovjetike,
spektator i të cilave ai kishte qenë, e komentoi vetëvrasjen e Majakovskit në
mënyrë më pak sipërfaqësore: "Njerëzit nuk vetëvriten për dy arsye: ose
pse janë më të fortë se kundërshtitë që i rrethojnë ose pse në përgjithësi nuk
kanë asnjë kundërshti" Dhe pas këtij pohimi, pyetjes pse qëlloi veten
Majakovski i përgjigjet: "Është një pyetje shumë komplekse dhe përgjigja
është, po kaq domosdoshmërisht komplekse". Por ai s'e dha. Fjalët e tij
megjithatë tregojnë drejtimin në të cilin duhet të kërkojmë: nëse duhet
përjashtuar që Majakovski është pa kundërshti, do të duhet të mendojmë që
"kundërshtitë që e copëtonin", ishin më të forta tek ai dhe që në një
farë pike, ta kishte braktisur ajo forcë që i kishte lejuar t'i dominonte. Gjë
e cila na çon drejtpërtdrejt në zemër të poezisë së tij.
Të
thuash se Majakovski i ri qe futurist, do të thotë të përsërisësh një të
vërtetë që duket sheshit, që ideologët sovjetikë kërkuan ta errësonin për t'u
theksuar më mirë figura e një Majakovski,
poet i revolucionit në frymën e "realizmit socialist". Një gjë
e qartë kjo që do të kërkonte të saktësohej duke shpjeguar se, ku ndryshon
futurizmi rus nga ai italian, se ku konsiston origjinaliteti i Majakovskit në
krahasim me shokët e tij të rrymës poetike. Por duhet kapërcyer kjo skemë
letrare dhe të shohim të parin Majakovskin përtej futurizmit të tij të
padiskutueshëm, duke nxjerrë në dritë tensionin e tij të brendshëm religjioz që
me një paradoks në dukje të dukshëm, merrte format e sakrilegjit dhe të
blasfemisë, të një rebelimi dhe të një sfide ndaj një Zoti që donte ose nuk
mundej t'i jepte njerëzimit dhe në veçanti atij ekzemplari të tij që ishte
poeti, harmoni dhe lumturi, duke kënaqur atë etje për dashuri edhe fizike që te
poeti digjte si një dhimbje; ishte një ateizëm tipik rus, aq sa të riun
Vladimir e kanë krahasuar me një hero dostojevskian, të munduar nga problemi i
fesë, nga pamundësia për ta zgjidhur në kuptimin e një qetësimi ateist të tipit
pozitivist ose të një agnosticizmi evaziv të shtampës skeptike i cili shfaqet
më tepër në ateizmin perëndimor. Poezia e të riut Majakovski është e mbushur me
përfytyrime religjioze të përmbysura në emër të një teologjie sociale dhe
personale që s'arrin asnjë rezultat ngushëllues (për shembull, në besimin te
Provania) dhe lë të hapur, si një plagë që të copëton zemrën, një vuajtje që
shton dhimbjen dhe vuajtjen e botës dhe mishërim i së cilës e ndjen veten
poeti.
Dashuria,
vështirësia për të dashuruar dhe për të qenë i dashuruar, për të gjetur një
plotësim në marrëdhënien komunikuese, në çastin e tij më mishëror sesa
shpirtëror, me tjetrin (tjetrën), është në qendër të kësaj drame që sheh
Vladimir Majakovskin, jo vetëm si autor, por edhe si personazh (të mendohet për
tragjedinë e tij që titullohet pikërisht, Vladimir Majakovski ) mbi një skenë
që përkon me gjithësinë ashtu si trupi i poetit - protagonist - priret të
njësohet me kozmosin, duke dialoguar në mënyrë polemike me Zotin. Lirika e
dashurisë majakovskiane bëhet kështu diçka unike në këtë lloj poezie, një
bisedë plot dëshirë dhe e copëzuar. Në të erosi dhe Tanatos takohen dhe
largohen, duke aspiruar me një zotërim të pamundur dhe një përjetësim
gjithashtu të pamundur. Është një etje për jetë që kthehet kokëposhtë si
negativitet i jetës, të jetës këtu, dhe tani në emër të një jete të re që të
vijë: Majakovski, Majakovski i parë si futurist është poet revolucionar në
shpirtin dhe në gjuhën. Drama e tij ("Kontradikta" për të cilën fliste
Brik)qe ajo që ai bëhej poeti i revolucionit duke transformuar
"revolucionin e dëshiruar siç e quajti, në një revolucion të
institucionalizuar dhe totalitar, këngëtar i të cilit u bë, duke i lënë vetëm
ndonjëherë liri zërit të tij autentik dhe të thellë.
Por
edhe te Majakovski poet i revolucionit ka një forcë magjepse perverse që pengon
për të vënë mënjanë vëllimet e veprës së tij të periudhës sovjetike:
didaskalizmi i tij utopik, megjithatë është i ndryshëm nga ai partiak i të
vegjëlve dhe gjysmërimuesve të laureuar të regjimit; kiçi sovjetik i shumë
poezive të tij, ka sugjestionin e një ëndrre obsesive: sarkofagu që ai ndërton
në poemën "Vladimir Iliç Lenin" ka madhështinë e muzeut analog në
sheshin e kuq, i destinuar të mbetet edhe kur të boshatiset nga mumia që mban;
realiteti me të cilin dhuna e pakrahasueshme bolshevike këndohet hapur, kalon
përfytyrimin e ëmbëlak sentimental që "realizmi socialist" ka kërkuar
të japë për disa fatkeqësi të komunizmit; patetike, por e sinqertë është
kritika e tij kundër "burokratizmit dhe filistinizmit", gati si të
ishin këta shkaku i të këqijave të revolucionit, ndërsa "burokratike"
dhe "filistine" ishte partia që poeti e hyjnizonte, duke e
idealizuar; më në fund vetëvrasja konkluzive,vetëvrasja letrare dhe poetike që
mbyll një lojë kontradiktash, jo të dominueshme ; vulë katastrofike dhe
shpëtimtare e fatit majakovskian, e tensionit të tij ateisto - religjioz që në
revolucion kishte gjetur një zgjidhje surogato të tillë, si kërkesa e tij e
dashurisë te çdo grua, gjente një kënaqësi kalimtare.
Nëse
te i riu Majakovski shikojmë një revolucionar metafizik në luftë me Zotin, dhe
te Majakovski, më pak i ri shikojmë pasuesin e një Kishe revolucionare të
varfër në besim, por të pasur në pushtet, thyejmë një klishe të pranuar, qoftë
tek ai që e interpreton poetin duke
përdorur çelësin e "avangardës", qoftë tek ai që e kufizon në skemën
e "realizmit socialist", një lexim i Majakovskit futurist nxjerr në
dritë një element risie; referimin e fortë me Niçen, me Zarathustrën, në
veçanti. Mund të shihnim dy Majakovskë, njeri në shenjën e Niçes, tjetri në
shenjën e Marksit ( dhe Lenininit ) ose vetëm një Majakovsk në të cilin impulsi
elementar i revoltës nihiliste kundër botës së përbërë prej (borgjezëve) e ve
atë tragjikisht në shërbim të një revolucioni real (programatik) dhe
institucional (komunist). Por këtu ka vend që të hapet një analizë mjaft e
gjerë .
Si
ta lexojmë sot Majakovskin? Secili në mënyrën e vet, natyrisht. Kjo që
propozohet këtu ka si sfond, jo vetëm tragjedinë dhe vetëvrasjen e poetit, por
tragjedinë dhe vetëvrasjen e revolucionit që ai e quajti të tijin, katastrofa e
atdheut të tij(150000000 sipas titullit të një poeme të tij mbi Rusinë) dhe për
gjithë atë "internacionale", pjesë të së cilës e ndjente veten dhe ai
si shokët e tij. ( Internacionalja e
pestë, titulli i një tjetër poeme të tij).Të
mos e cungojmë veprën e Majakovskit, por as edhe të mos ta përsërisim dobësisht
në stilin e vjetër të fanfarës revolucionare dhe të retorikës tribunale. Poezia
e ndez shkëndijën e saj të së vërtetës në heshtjen, në kontaktin rastësor ose
të kërkuar mes dy shpirtrave, e njërit që e ka shkruar dhe të tjetrit që e
lexon. Kjo mund të duket antimajakovskiane, antifuturistike, antirevolucionare.
Por britma e sfidës dhe e dhimbjes së Majakovskit, na mbërrin e topitur. Si një
jehonë e shuar është thirrja e tij shungulluese e propagandës. Zëri i tij
autentik na prek në shpirt, duke na bërë të ndiejmë vetminë e tij, si tonën,
dashuria e tij, si të jetuar nga ne, ankthin e tij dhe shpresën e tij si ato që
na pushtojnë edhe ne.
Poet
deklamues, Majakovski kapërcen provën e diksionit të brendshëm, në hapësirat e
heshtura të së cilës, fjala e tij e ashpër, tingëllon më e gjallë se në fjalën
zhurmuese të origjinës, pranë zërave të ndryshëm që, të ngjyrosur nga gjuhë të
ndryshme të poezisë universale, formojnë mikrokozmosin e imazheve që secili
personalisht krijon dhe ndjek brenda vetes
pambarimisht.
Pjesa
tjetër është artefis letrar.
Përktheu: Faslli Haliti
Comments
Post a Comment