AGIM VINCA FIGURË SHUMËDIMENSIONALE E KULTURËS SË GJITHMBARSHME SHQIPTARE

AGIM VINCA FIGURË SHUMËDIMENSIONALE E KULTURËS SË GJITHMBARSHME SHQIPTARE
Prof. Ass. Dr. Besim Muhadri
Hyrje
Agim Vinca është një nga figurat kyçe të fushës së studimit të letërsisë shqiptare dhe një zë i veçantë në fushën e poezisë dhe publicistikës. Kontributi i tij është vlerësuar lart, ndërkaq shkrimet e tij janë quajtur shprehje e vetëdijes më të lartë kritike dhe historiko-letrare, të cilat i shërbejnë ringritjes së institucionit të kritikës dhe ringritjes sonë të përgjithshme.
I lindur në Veleshtë të Strugës, ku edhe i bëri hapat e parë letrarë, Agim Vinca si krijues dhe studiues do të afirmohet dhe të kontribuojë në Prishtinë, duke u bërë jo vetëm poet i rëndësishëm dhe studiues i njohur i letërsisë shqipe, por edhe një pedagog i përkushtuar i kësaj letërsie në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës dhe një zë i fuqishëm i mbrojtës të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe Kosovë.
Agim Vinca poet
Agim Vinca me krijimtari letrare, përkatësisht me poezi ka filluar të merret që në vitet e hershme të rinisë[1]. Poezia e tij është një poezi plot imazh dhe mesazh poetik, e cila në qendër të preokupimit të saj ka fatin e atdheut, ku ndihet revolta dhe shpërthimi i poetit që identifikohet me atdheun dhe pozitën e vwshtrw tw atdheut, që ndiqet nga hazarët dhe maltusianët etj. Siç vërehet edhe nga ana e kritikës letrare, poezia e Agim Vincës, vjen “në kohën kur poezia shqipe e Kosovës po notonte në pyjet e abstraksionit dhe të hermetizmit shterp, ndërsa ajo e krijuar në Shqipëri gjithnjë e më shumë po i nënshtrohej diktatit politik...”[2]. Në pjesën dërrmuese të krijimeve poetike të Agim Vincës ndihet atmosfera e shtypjes, e vrasjes dhe e persekutimit[3]. Kur e themi këtë, kemi parasysh poezinë e Agim Vincës në përgjithësi, ndërkaq atë të vëllimit poetik “Kohë e keqe për lirikën”[4], në veçanti, poezitë e të cilit libër, në të shumtën e rasteve, janë një akuzë e ashpër edhe për botën e shurdhër që meket para një gjendjeje të tillë. Mirëpo, te poezia e Agim Vincës, në shumicën e vëllimeve poetike, të botuara në kohë dhe periudha të ndryshme kohore dhe në situata të ndryshme shoqërore dhe politike nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, spikat shqetësimi dhe mendësia e poetit dhe e intelektualit, në imazhin e të cilit shpalosen, të rrëqethura e të trishtuara, por gjithsesi krenare, mendimi dhe bota e madhe poetiket, që vërtiten në universin e pathyeshmërisë kombëtare.[5]
Poezia e Agim Vincës është një poezi e cila mbështetet në traditën popullore dhe si e tillë ajo bëhet një “poezi e gjallë, në damarët e së cilës rrjedh gjaku i ngrohtë i esencave shqiptare dhe ujët e përmallshëm i Drinit Plak”, ku “vezullojnë kostumet shumëngjyrëshe të një folklori stërgjyshëror” dhe ku “parakalojnë emrat e njohur e të panjohur të etnosit të përditshëm”, ku, po ashtu,  “marrin formë ndjesitë, shpresat, revoltat dhe energjia e jetës kalimtare”.[6]
Duke qenë një poezi e përmasave të lakmueshme ideoestetike, e shkruar nga një krijues i talentuar dhe i përkushtuar njëkohësisht, poezia e Agim Vincës është vlerësuar lart edhe nga kritika letrare, por edhe nga krijues eminentë të letërsisë sonë, por edhe nga studiues të huaj. Madje për poezinë e tij janë mbrojtur tema diplomash dhe masteri.[7] Duke folur për poezinë e Agim Vincës, studiuesi dhe historiani i letërsisë, Akademik Rexhep Qosja, ndër të tjera vlerëson se “Poezia e Agim Vincës ka edhe muzikë, edhe kuptim”[8], ndërsa Abdyl Kadolli në një shkrim përmbledhës për veprën dhe jetën e Agim Vincës, ndër të tjera pohon se “lirikat e tij janë dridhje të shpirtit, frymëzime të çiltra plot imazhe e vizione simbolike nga jeta, historia e mitologjia. Kadolli pohon më tutje se në lirikat e Agim Vincës pulson ideali, dashuria, malli, revolta, qëndresa e ironia me freskinë e shprehjes poetike...[9] Ndërkaq, poeti Dritëro Agolli, Agim Vincën e cilëson si një pemë e poezisë që mbetet me vete, pa hijen e të tjerëve, kurse sipas kritikut letrar, Xhezair Abazi, në poezinë e tij “Agim Vinca mbart intensitetin emocional përmes një vargu që i ngjan apoteozës së madhe  noliane”.[10] Apo se tek Agim Vinca janë shkrirë talenti poetik me racionalitetin e shkencëtarit, studiuesit dhe kritikut të artit, ku atdheu si një tërësi, rrënjët shekullore të tij, vendlindja dhe familja, dashuria njerëzore, lufta për lirinë dhe të vërtetën, priren të jenë obsesionet kryesore tematike.[11]
Agim Vinca nganjëherë është cilësuar edhe si poet i angazhuar, mirëpo këtë “angazhim” të Vincës poeti dhe kritiku Anton Papleka e zbërthen në mënyrë shumë interesante dhe tejet racionale. Këtë “”arsyeshmëri” të angazhueshmërisë poetike të Vincës Paleka e gjen te shqetësimet e poetit për fatet e kombit, i cili sakrifikon duke marrë në sy misionin e vështirë dhe delikat të të qenit poet i angazhuar. Mirëpo, të angazhuarit, Papleka tek Vinca e sheh si njw angazhim që vjen i imponuar së brendshmi, si një angazhim jo propagandistik, por thjesht shpirtëror.[12]
Studiues letrar
Në fushën e studimit të letërsisë Agim Vinca ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të çmuar, ndërsa veprat e tij, të kësaj fushe, kanë zënë vend të rëndësishëm në fushën e studimit të letërsisë sonë, duke u bërë referenca të domosdoshme të studiuesve. Punimet e tij i shquan analiza e thellë, saktësia shkencore, sinteza dhe mendimi i bazuar. Deri më tani ai ka botuar dhjetra libra të kësaj fushe, si: “Aspekte të kritikës sonë” (1977), “Qasje (1980), “Struktura e zhvillimit të poezizë së sotme shqipe 1945-1980” (1985), “Orët e poezisë” (1990), “Alternativa letrare shqiptare” (1995), “Panteoni i ideve letrare” (Shkodër 2001), “Fije të pakëputura”, kritikë, publicistikë dhe studime letrare (2004) etj.
Duke parë gjithë këtë mori titujsh të librave të kësaj fushe, mund të konkludohet lirisht se Agim Vinca,ka dëshmuar dhunti të veçantë prej studiuesi...”[13], duke u bërë njëri prej kritikëve, eseistëve dhe historianëve të letërsisë shqipe në krijimtarinë kërkimore shkencore të të cilit është treguar vlera dhe rëndësia e shkencës letrare shqipe dhe është rritur prestigji i saj qoftë në filologjinë tonë, qoftë ndër shkrimtarët dhe lexuesit”[14]. Agim Vinca, përmes shkrimeve të tij “ka mbrojtur dhe ka popullarizuar qëndrimin se letërsia shqipe, pavarësisht krijimit të saj në disa shtete në të cilat pa dashjen e tyre janë ndarë dikur shqiptarët, është e tërë dhe si e tillë, si një letërsi kombëtare, edhe duhet të studiohet”[15]
Vepra “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe 1945-1980” , e Agim Vincës, edhe pse e shkruar dhe e botuar para më shumë se tri dekadave, për mendimin tim është një nga veprat e mirëdëshmuara elaborimin dhe në trajtimin e shumë aspekteve të zhvillimit të poezisë shqipe të një periudhe pothuajkse gjysëmshekullore. Patejkalueshmëria e vlerave të kësaj vepre, edhe pas kaq vitesh të sajimit dhe të botimit të saj, është rezultat i punës përkushtuese disavjeçare dhe këmbëngulëse të këtij studiuesi, gjë që autorin e saj e radhitë në mesin e studiuesve më eminentë dhe më të afirmuar shqiptarë.
Për shkak të vlerave të saj shkencore, veprën në fjalë e vlerësojnë edhe kritikë dhe historianë të njohur të letërsisë sonë. Sipas akademik Rexhep Qosjes “Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980)” përfaqëson punën shkencore me voluminoze, më të plotë dhe, gjithsesi, më të rëndësishme për poezinë e sotme shqipe deri në ditët tona”, dhe, madje edhe një histori e vërtetë dhe e thelluar e poezisë bashkëkohore shqipe”.[16] Por puna përkushtuese e Agim Vincës në fushën e studimit të letërsisë nuk mbetet vetëm në këtë vepër. Janë edhe vepra të tjera të kësaj sfere të interesit që Agim Vincën do ta shndërrojnë në një studiues serioz dhe të “pandalur”. Në vitin 1990 ai boton librin me studime letrare “Orët e poezisë”, që është një përmbledhje studimesh dhe artikujsh kritikë për letërsinë tonë, në të cilin libër preken edhe shumë probleme të tjera, të cilat autori arrin t’i realizojë me mjaft sukses. Por aspak mbrapa këtyre veprave nuk mbeten edhe veprat e tjera si libri studimor “Alternativa letrare shqiptare”, i botuar në vitin 1995. Në këtë libër autori arrin të trajtojë dhe të ngrejë probleme teorike letrare, por edhe të hulumtojw tema relevante që kanë të bëjnë me letërsinë tonë gjatë dekadave me radhë. Libri në fjalë, po ashtu, ka zgjuar reagime pozitive nga ana e kritikëve dhe studiuesve të letërsisë, madje është cilësuar edhe si një arritje e historiografisë sonë letrare, si nga ana e tematikës së re që sjell, por edhe për guximin në trajtimin e çështjeve të ndërlikuara etj.
Tek“Alternativa letrare shqiptare”, që është “sinteza e parë shkencore e ideve dhe rrymave të letërsisë shqiptare të shekullit të njëzet, veçanërisht e rrjedhave që ishin në kundërshtim me doktrinën zyrtare të pasluftës, realizmin socialist…”( R. Elsie), Agim Vinca zbulon, mbase për herë të parë, në mënyrë të plotë, portretet e dy intelektualëve e shkrimtarëve të panjohur sa duhet më parë, S. Malëshovës dhe disidentit K. Trebeshina, pastaj rishqyrton shkrimtarin I. Kadare e prozën e tij, në raport me konformizmin politik e disidencën intelektuale (letrare) dhe bën një analizë relativisht të gjerë për poezinë Visar Zhitit të shkruar në burgjet komuniste etj. Po ashtu studiuesi sjell gjykime e konkluzione të reja për krijimtarinë e autorëve si: Gj. Fishta, L. Gurakuqi, F. Noli, P. Marko, S. Spasse; shqyrton dhe “debaton” rëniengritjet letrare tek shqiptarët, duke ngritur, me këtë rast, tezën se në letërsinë dhe kulturën shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria u radhit në kampin lindor të botës, krahas rrymës zyrtare të realizmit socialist, që u instalua zyrtarisht në vitin 1949, ka ekzistuar edhe një alternativë tjetër, e cila ofronte si model kulturor integrimin e së resë me të vjetrën dhe të kulturës kombëtare me kulturën përparimtare botërore.[17]
Zë i fuqishëm i publicistikës shqiptare
Profesor Agim Vinca, përpos si poet dhe studiues i përkushtuar, mbetet edhe një zë i fuqishëm i publicistikës shqiptare. Pena e këtij autori, për dekada me radhë, nuk ka heshtur, duke spikatur theksueshëm në trajtimin e shumë problemeve aktuale politike, për t’u bërë kështu një zë i mbrojtjes së çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan e veçmas një zë i fuqishëm i mbrojtjes të së drejtave të nëpërkëmbura të shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni. Zërin e tij prej intelektuali të guximshëm e ka asimiluar dhe alternuar te shumë shkrime publicistike të botuara në revista dhe gazeta të ndryshme në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe gjetiu, të cilat më pas janë përmbledhur në librat si: “Populli i pandalur” (1992), “Shqiptarët mes mitit dhe realitetit” (1997), “Arti i reagimit” (2011) etj.
Shkrimet publicistike të Agim Vincës i karakterizon guximi intelektual dhe fryma polemiste që janë jo vetëm karakteristika të artit të tij, por edhe të temperamentit të tij intelektual, kombëtar dhe njerëzor. Përmes shkrimeve të shumta të kësaj natyre, Vinca ka kërkuar nga politika shqiptare, siç shprehet në një intervistë, që “të ketë një strategji në planin e brendshëm kombëtar, por edhe në raport me fqinjët, sepse kjo ka munguar dhe si pasojë e këtij mosuniteti kanë ndodhur ngjarjet që po ndodhin, që janë tragjike dhe të dëmshme për popullin shqiptar në përgjithësi[18]
Përfundim
Siç u pa, Agim Vinca ka prekur dhe këtë me mjaft sukses dhe përkushtim në shumë fusha, si në poezi, kritikë letrare, studim dhe histori të letërsisë si dhe në publicistikë. Emri i Agim Vincës tashmë identifikon një nga penat më të përkushtuara dhe më të afirmuara të letrave shqipe, ndërkaq me punën dhe veprën e tij letrare dhe publicistike e veçmas në atë të studimit të letërsisë ai është pa dyshim një nga zërat më autentikë, më seriozë dhe më emblematikë.
Duke njohur punën, seriozitetin dhe përkushtimin e Agim Vincës në të gjitha këto fusha, ai mund të cilësohet pashmangshëm si një figurë shumëdimensionale e kulturës së gjithmbarshme shqiptare, pa të cilin, siç do të shprehej në një rast akademik Rexhep Qosja për poetin Din Mehmeti “historia e saj do të ishte më e varfër për një vizion, për një disponim, për një shprehje dhe për një ndjeshmëri autoktone”. Këtij përkufizimi unë do t’ia shtoja edhe atë se pa emrin, penën, guximin dhe përkushtimin intelektual dhe kombëtar të Agim Vincës letërsia dhe kultura jonë do të ishin shumë më të varfra, shumë më të pakompletuara dhe shumë më të pastrukturuara.
Vepra dhe përkushtimi i Agim Vincës janë vlerësuar dhe vazhdojnë të vlerësohen lart. Ato janë kurorëzuar edhe me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare dhe këto vlerësime të personaliteteve më të spikatura dhe më të përkushtuara për Agim Vincën, qoftë të fushës së studimit tonë letrar, qoftë të fushave të tjera nuk janë vlerësime kuturu, por vlerësime me domethënie të mëdha, të cilat shprehin një realitet konkret dhe një vlerësim tepër real për kontributin e profesor Agim Vincës, sepse veprimtaria e tij, si ajo poetike, e veçmas ajo e studimit letrar, por edhe publicistike, janë rezultat i diapazonit të gjerë të këtij eruditi të letrave shqipe.
Referencat
-       Dr. Sali Bytyçi, Vargjet e ringjalljes, “Standard”, Tiranë, 21 korrik 2012, f. 18-19.
-       Besim Muhadri, Lirikë e imazhit të atdheut, gazeta “Bujku” 1998 dhe “Vështrime letrare, “Bogdani”, Prizren, 2003, f.74.
-       ArdianMarashi, “Vinca ose poeti i “Përmanencave shqiptare” (Parathënia e librit me poezi të zgjedhuraUrnë e gjallë (Urna vie), Bukuresht 2010.
-       Rexhep Qosja, Poezia e hapësirës dhe e kohës, parathënie e librit “Letër Zotit”, Tiranë 2008, f.5-25.
-       Abdyl Kadolli, Portreti krijues i Agim Vincës, “Albanian Ëeb Forum”, 20.02.2011.
-       Roland Zisi, Rugovapress, 27. 6.2007
-       Anton Papleka, Lirika kundër të keqes së kohës, “Rilindja”, Tiranë, 29 maj 1998; Kodi i metaforave, “Globus R”, Tiranë 2007, f.50-55.
-       AgimVinca: “Shteti shqiptar të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve”, ëëë.shqiptarja.com.f.14-15, 28 tetor 2012.
-       Veprat poetike, studimore dhe ato publicistike të Agim Vincës.
-       Revista “Fjalë e valë”, numër tematik me rastin e 65-vjetorit të lindjes së Agim Vincës.



[1] Librin e parë me poezi, “Feniksi” e botoi në vitin 1972. Veprat e tjera poetike të këtij autori janë: “Bregu i mallit”,1975, “Në vend të biografisë, 1977, “Buzëdrinas”, 1981, “Arna dhe ëndrra”, poezi, 1987, “Kohë e keqe për lirikën”, 1997, “Psalmet e rrënjës”, poezi, 2007 etj.
[2] Dr. Sali Bytyçi, Vargjet e ringjalljes, “Standard”, Tiranë, 21 korrik 2012, f. 18-19.
[3] Besim Muhadri, Lirikë e imazhit të atdheut, gazeta “Bujku” 1998 dhe “Vështrime letrare”, “Bogdani”,
Prizren, 2003, f.74.
[4] Agim Vinca, “Kohë e keqe për lirikën”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë 1997.
[5]Artikulli i cituar, f. 73.
[6]Ardian Marashi, “Vinca ose poeti i “Përmanencave shqiptare” (Parathënia e librit me poezi të
zgjedhuraUrnë e gjallë (Urna vie), Bukuresht 2010.
[7]Në Universitetin e Sofjes është mbrojtur (më 7 korrik të vitit 2014) një punim Master për krijimtarinë e Agim Vincës. Ky punim, me titull “Agim Vinca – personaliteti, transformimet krijuese dhe lirika e tij”, i
shkruar nga kandidatja Antoaneta Georgieva, është mbojtur para komisionit prej pesë anëtarësh, të përbërë nga: Prof. e asoc. dr. Rusana Bejleri, prof. dr. Vasilka Aleksova, prof. dr. Rumjana Stançeva, prof. e asoc. dr. Vasja Velinova dhe Dr. Anton Pançevi, i cili është mentor. Punimi ka rreth 60 faqe dhe është i shkruar bullgarisht, por mbështetet mbi tekstet shqip dhe mbi ato të përkthyera në gjuhën bullgare nga krijimtaria e Agim Vincës.
[8] Rexhep Qosja, Poezia e hapësirës dhe e kohës, parathënie e librit “Letër Zotit”, Tiranë 2008, f.5-25.
[9]Abdyl Kadolli, Portreti krijues i Agim Vincës, “Albanian Ëeb Forum”, 20.02.2011.
[10] Xhezair Abazi….
[11] Roland Zisi, Rugovapress, 27. 6.2007
[12] Anton Papleka, Lirika kundër të keqes së kohës, “Rilindja”, Tiranë, 29 maj 1998; Kodi i metaforave, “Globus R”, Tiranë 2007, f.50-55.
[13] Rexhep Qosja, artikulli i cituar.
[14] Aty.
[15] Rexhep Qosja, artikulli i cituar.
[16] Po aty.
[17] Agim Vinca, intervistë
AgimVinca: “Shteti shqiptar të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve”, www.shqiptarja.com.f.14-15, 28 tetor 2012.

Comments

Popular posts from this blog

Topografia e fshatit Pozheran

NDËRSA SODIT

Trinomi i ullinjve në Piqeras.(Ulliri i Lotëve , Ulliri i Qishës , Ulliri i Cilos.)