NGA NJË LETËR

NGA  NJË  LETËR
 
      Vasil Vasili imkam qënë i sëmurëgati pesë ditëi pangritur nga shtrati,
nga një temperaturë e lartë  është atribut i nëmur i lueçemisëpor
Librin e Lasgushit e mbarovaNesër bëj faqosjen.
 
      Vasil Vasili im i shtrenjtëpo  dërgoj menjëherë me PDF librin
Stina e Pestë ku është parafjala tënde poetike dhe estetike.
       fund e mbylli poezia jote   çon  Djall si  isha kryepersonazhi
  i  Xhon Miltonitdomethënë LuçiferiE pranoj.
 
      Shumë faleminderit, o Mjeshtër!
   
     Të përqafoj.
 
     Moikom
 
    Tiranë 8 nëntor 2017
 
 
MENDIME
 
 RRETH  POEZISË    MOIKOM  ZEQOS )
 
Sprovë
 
Unë jam i varfër dhe s’mund të bëj dhurata, por Moikomit do ti fal Vjosën.
 
Le ti japim Medaljen e Natyrës Moikomit për ato pak metra katrorë det që i ka në kujtesë.
 
Po të kishte lindur te Rrapi i Libohovës Moikomi do të ishte rapsod.
 
Ca njerëz nuk vdesin dot nga pavdekësia në Parajsën e Moikomit.
 
Moikomi është ateist që në çdo udhëtim e ka Krishtin në krah.
 
Jeta duket si Java e Madhe e Pashkës.
Të gjithë personazhet historik dhe të trilluar vijnë për ta vizituar.
 
“Nga myku, - i librave, - si ta bëj – penicilinën, - për turberkulozin – e hyjnive?”
Metodat e harruara të alkimistëve Moikomi i ka fshehur në parfumin e lirikës.  
 
Ata që e shijojnë poezinë vetëm nga dominantja artistike heraklitiane
S’kanë pirë antidot për t’u futur në minerën e Moikomit.
 
Semaforët, Moikomit, i kujtojnë Tri Botët e Dantes.
                                                                                                               
Ndonjëherë, edhe Moikomi, lind fjalë të vdekura si  E Premtja e Zezë.
 
Edhe te Moikomi “Heronjtë, - tani, - janë, - refugjatë - tek Hiçi! ”
 
Fjala poetike s’është asnjanjëse, por Moikomi e kthen në akuarel,
Që çuditërisht këndon mërinë e njeriut për veten. 
 
Frikë të madhe përjeton Zoti kur shikon Diellin!
 
Moikomi e mban vështrimin edhe te shenja grafike e vizës ndarëse,
Sepse ajo po vendos edhe një herë kufijtë e simboleve të fjalëve.
 
Sikur të shfrytëzohej energjia e metaforave të Moikomit
Do të elektrifikonte gjithë malet shkëmborë të botës.
 
Kthehuni, u thotë Moikomi Perandorve të Durrësit. Dilini nga trupi i gjatë i Historisë. 
Për Ju kam prositur këpucë te Argjendari Diell, që të shkelni me ’to tokën e të parëve.
 
Të gjithë artistët joshen nga Pagani Diell.
 
Të dashurës së Moikomit i mungon mishi i mëkatit.
 
Moikomi i ka takuar, një nga një, mistikët nëpër shpella,
Ndërsa mistikun Naim Frashëri e ka takuar tek Ëndërimet e Tij.
 
Maria e mbajti Krishtin në strehën e mishtë nëntë muaj diellorë,
Moikomi e mban poezinë gjithë jetën në Frymën e Tij të Shenjtë.
 
Nuk e di kush është poeti, Moikom Zeqo apo Makabe Zaharia?
 
Fjalën e Moikomit e ka kapur ryma elektrike e psikikës, për t’a shpëtuar i lëshon imazhet.
 
Poezia e Moikomit është e modelit të fortë dinamik. 
 
Për Moikomin ka edhe Parajsa të Pista. Ato janë të njohura në Tokë.
 
Me  frymëmarrje burri mendimtar Moikomi i jep ritëm poezisë.
 
Duhet të thithim gjithë burnotin e shekujve të tështijmë ca luftra.
 
Jeta si dhe Toka i përkasin Njeriut jo Pronarit. Ato janë pasuri e njerëzimit.
 
Ajo që s’mund të prodhohet, s’mund të shitet. Njeriu s’mund të blihet nga shteti. 
 
Së shpejti gjithë njerëzit do jenë skllavopronarë. Do blejnë skllevër robotë në supermarkete.
 
Nëqoftëse Bota do të zhvillohej me metafora, 
Banka e Moikomit do të ishte më e fuqishmja.
 
Moikomi ka globalizuar edhe kohën e shkuar me aksionet e poezisë.
 
Metafora është kështjellë e ngritur në lartësinë e mendimit pa mure ekzistencialë.
 
Kush e pi cigaren: Moikomi apo Makabe Zaharia? 
Tymin kush e shikon si mistikë të natyrës?
 
Cigaren Moikomi e ndez me zjarr Prometeu. 
Si shpëton pa u djegur përfytyrimi nga zjarri i zotave?
 
Moikomi gjithnjë pyet: Ç’jemi? Pyetet edhe ndryshe: Kush është njeriu?
A ka model të njeriut? Për pyetje të tilla s’ka ardhur koha.
 
“A do t’i sjell, - kjo Hënë, - patjetër, - edhe Dardanisë, - një det?”
Ç’varg i çuditshëm! Një “patjetër” e bën si imperativ kategorik.
Pa atë “patjetër” edhe De Rada do mahnitej nga akuareli i fjalëve pyetëse.
  
Moikomi, ai liriku revolucionar i Komunës së Parisit të Poezisë.
 
Moikomi është kundër diktaturës intelektuale.
 
 Kush grumbullon fuqi më shumë seç i duhen është i racës së diktatorëve.
 
Kuptimet, nëse janë kuptime, formulojnë qenien.
 
Moikomi e përdor rimishërimin e Pitagorës edhe si argument se s’ka qenie orgjinale.
 
Moikomi e pranon që është joshur nga panteizmi i Naimi Frashërit.
 
Rimishërimi ka qënë para dhe është edhe pas Pitagorës në formë artistike dhe shkencore.
Ai ka ndihmuar zhvillimin e botës, prandaj është Ide.
 
Moikomi s’e ka fshehur kurrë që Pindari, Pitagora dhe Herakliti janë mjetet e tij artistikë.
 
Moikomi është fshehur te folja, gjymtyrët e tjera ja ka lënë metaforës ti përdorë.
Strukturë poetike më e thjeshtë s’mund të gjendet.
 
Moikomi e shkëmben foljen me trajtat e ndajfoljes, edhe atje është syri i tij i madh.
 
Natyra e përkorë s’ka plagë, ato gjenden brenda qytetërimit.
 
Moikomi u kujton kohëve teknikat poetike të harruara.
 
Ka mbetur ndonjë gram përvoje poetike pa u përdorur nga Moikomi?
 
Për Moikomin, poezia është frymë mistike kur rrethanat i lë jashtë.
 
Kaini kapërxeu pragun e qenies. Ra në boshësi. Tani është edhe jashtë etikës.
 
Te njeriu s’ka të vërteta, ka qenie të përdorur nga rrethanat.
 
Ata që e përdorin qenien për të mposhtur rrethanat vdesin shpejtë.
 
Moikomi e bën fije-fije fjalën, merr një fije dhe e bën Pemë Parajse në Purgator. 
 
Fjala lëshon energjinë natyrore, metafora lëshon edhe energjinë e konceptit.
 
Kuptimi i shumës së fjalëve të metaforës s’është sa kuptimi i fjalëve natyrore të saj.
 
Metafora i fut në alkiminë e saj fjalët natyrore. Ajo është faza e dytë e gjuhës.
 
Kur shfaqet një  metaforë mrrekullohemi dy herë.
Nga  koncepti i ri i krijuar dhe nga gjuha e re që lind.
 
Poeti Moikom Zeqo është më i plotë se Moikom Zeqo erudit.
 
Brenda poetit udhëheq liria që krijon, brenda eruditit udhëheq dija që e përsëritin rrethanat.
 
Liria është rrënja e natyrës, por njeriu mbjell në vetvete teknikën e shtetit.
 
Lirinë askush s’e ka kuptuar. 
 
Liria më e dhimbëshme është vetëvrasja për mospërmbushjen e qenies.
 
Vetëvrasja për ekzistencë është një vdekje e përshpejtuar. 
 
A ka një histori të meditimit? Askush s’e di. Pyetni Moikomin.
 
O-  Moikomi e përjeton si një rruzull që zgjerohet nga frymëmarrja e tij,
Ose si një shpirt që pastrohet nga smundja e pasthirmave.
 
Çdo “Ah!” mund të jetë si pasthirma e fundit e Kaosit,
Kur shpëtoi nga vetëvetja dhe u bë gjithësi.
 
Çdo “Ah!” i Moikomit është pasthirma e fundit e kaosit të tij kur shndrrohet në poezi.
 
Kush del nga kaosi gjendet në bollëkun e virgjërisë.
“Dhe unë, - bredh, - i vetmuar, - si turma, - e vizioneve të mia!”
 
Grafikisht, vargu i Moikomit, është më i stolisuri në poezinë shqipe.
Presja e tij të kujton kolektivtetin spartan, viza ndarëse individualitetin athinas.            
 
Në qoftë se do të krijohej ushtria e cituesëve,
Moikomi do të kishte ushtri më të madhe se Aleksandri i Madh .
 
Arkivolet e shpirtrave të gjithë botës i porosit Pitagora.
 
Dhe – ja, kjo lidhëse e rëndomtë, shpesh bën një punë fisnike,
Lidh imazhet e largëta. Ajo është Syri i Pindarit.
 
Çdo varg në lirikën e Moikomit është edhe një lidhëse logjike dhe poetike.
Vargu Lidhëse i Moikomit zëvendëson logjikën formale të gramatikës.
 
Vargu Lidhëse i Moikomit ka prishur dominanten artistike heraklitiane.
 
Moikomi është krijues i një logjike poetike. Ajo mund të këqyret me Syrin e Pindarit.
 
Ushtarët e poezisë së Moikomit  s’mbajnë të njëjtën uniformë,
Por kanë frymën e gjeneralit metaforë.
 
Moikomi ka marë gradën Gjeneral i Ushtrisë së Metaforave Moderne.
 
Moikomi ka shumë shenjtëri laike, por mbi gjithëçka ka shenjtëri natyre.
Me këtë shenjtëri natyre Moikomi krijon metaforat.
 
Rruga poetike e Moikomit kalon nga shenjtëria laike në shenjtërinë e natyrës.
 
Moikomi nuhat parfumet e shekujve të shkuar që s’përdoren më nga zonjat me kapele.
 
E dashura e Moikomit ka rënë në Kohë dhe në Hapësirë. 
Ka humbur tiparet. Në asnjë radiografi nuk del.
 
Moikomi të dashurën ja ka blatuar Kohës dhe Hapsirës, hyjnive laike.
 
E dashura e Moikomit është rrënjë etike.
 
S’ka më virgjëresha të flijuara për Zotin, ndonëse ai i pranon 
edhe të zhvirgjëruarat, se është bërë personazh i Tokës.
 
Moikomi e josh Krishtin të zbresë Një Kat më Poshtë.
Zoti Krisht ende s’i ka hequr gjëmbat e zinj të Tokës nga shputat e këmbëve.
Një gjëmb hiqet për shtatë ditë hyjnore.
 
Pa Rilindjen e Tij, Krishti do të ishte një Zot i mëzitshëm si jeta në Tokë pa teatrin e vet.
 
Moikomi është si Juri Gagarini që s’e pa Zotin as jashtë Tokës.
 
Zoti, te Moikomi, është personazh i Idesë Absolute të Poezisë. 
 
Çdo bëhet me ëngjëjt tani që Zoti është bërë personazh?
 
Moikomi krijoi dy personazhe të rinj: Zoti, Zoti! dhe Deti, Deti!
Dhe u dha pajimin e rëndë të pikëçuditëses mbi shpinë.
 
 Zoti është bërë më i vogël se njeriu, ndërsa  Deti ka mbetur siç ishte.
 
Njeriu ende se ka krijuar Etikën e Zotit të Tij Laik.
 
Moikomi ka një qëllim fisnik. Aq sa është tagri i krijuesit.
Ai e do Zotin personazh. Mos jeton Lukiani në trupin e tij?
 
Zoti, Zoti! - personazhi i Moikomit, s’ka fjalë, s’ka rol. Kujtesën ja ka krijuesi.
Estetika s’ka gjetur truall ku ti bëjë shtëpinë këtij Personazhi pa Kujtesë.
 
S’e kam pyetur ende Moikomin: Si krijon muzikalitet me energjitë e kundërta të fjalëve?
Gjersa ta pyes do mendoj se energjitë e kundërta i fut në makinën natyrore të dialektikës.
 
Psikika e Moikomit është antidiktatura e poetit Moikom.
 
Koha është asnjanjëse. Ky tipar e madhëron kohën. 
 
Moikomi është poet pa popull, që ka mbirë në të ardhmen. Kjo nuk është fatkeqësi. 
E ardhmja nuk është fatkeqësi, aq më tepër që atje është mbjellë një estetikë.
 
Pse ka kaq pak lexues Moikomi? Se të tjerët s’janë lexues.
 
Kur të çmohet poezia vetëm nga estetika, Moikomi do zërë një vënd të epërm.
 
Poezia e Moikomit është e elektrifikuar në qelizë.
 
Fjala është e elektrifikuar me dritë natyrore dhe psikike, edhe drita psikike është dritë natyre.
 
 Jo të gjithë e kanë çelësin e dritës së fjalës që është dritë psikike.
 
Moikomi luan golf me historinë, ndonëse është i përkorë si një proletar.
 
Parada më e madhe e Historisë bëhet në Shëtitoren e Poezisë së Moikomit. 
 
Pikën dominante të poezisë Moikomi e nis nga folja për në figurë. 
 
Shpesh, çdo varg i lirikës së Moikomit është një poezi e plotë.
“Shoh – nga dritarja – e shekujve – dhe zgjas – duart prej shiu, - drejt, - tërë kontinenteve!”
 
Moikomi fjalinë dëftore e përdor për nevoja të domozdoshme.
 
Shenjat grafike Moikomi i përdor me elegancë sikur ndodhet në pritjet 
E Mbretit Diell. Ato mbeten në kujtesë si servitorë mbretërorë.
 
Shumë kohë në një ligjërim bëhen polifoni.
 
Polifoninë e parë e shpiku deti kur ndjeu dhimbje nga rufeja. 
 
Moikomi është bërë Zëri i Parë i Polifonisë së Detit.
 
Truri është gdhendur nga fjalët.
 
 Moikomi po e vë në provë trurin me metafora.
 
Poezia e Moikomit shëmbëllen me një Festë Purgatori e joshur nga Parajsat e Humbura.
 
Moikomi po gjeti një çast, me siguri, do ta bëjë kohë poetike me shumë kahje. Kjo është alkimi.
 
Sikur Pitagora ta fuste shpirtin e Omar Khajamit në trupin e Moikomit,
I Vjetri do jepte disiplinën e rubairës dhe do merrte fantazinë e tjetrit.
 
Po të digjeshin arkivat e Shqipërisë historianët do t’u ktheheshin poezive të Moikomit.
 
Sikur të ngjalleshin Të Vdekurit e Mëdhenj,
Ato do tregonin me gisht Eklisirin në Kujtesën e Moikomit.
 
Natyra, te Moikomi, është bërë pjesë e kulturës krijuese. Ky është kulmi i shfrytëzimit poetik.
 
Poezia e Moikomit rrjedh nga Atdheu Botëror i Estetikës. 
 
Moikomi është nga raca e etërve të poezisë së përbotshme.
 
Moikomi i shkelmon fjalët për t’u dhënë energjinë që u duhet në rrugë dhe në rrethana të vështira.
 
Dominantja artistike është nga shpikjet më të mëdha të artit. 
Ajo ka skeletin e kohës heraklitiane. Çelsin e saj e ka lartësia morale e kohës.
 
Moikomi është aq mjeshtër i përdorimit të foljes, në pozicion tjetër, sa edhe Fan Noli.
 
Te Noli, folja është pika dominante e energjisë së fjalëve.
 
 Moikomi nuk e përdor dominanten poetike me skelet heraklitian.
Ai përdor skelet pindarik. Atje qenia lëviz nëpër idetë e saj.
 
Në brendësi të lirikës së Moikomit gjallon edhe një dominante me kohë heraklitiane.
 
Dominantja poetike me kohë heraklitiane merr trajtë pindarike nga psikika e Moikomit.
 
Po të bëhet lidhja logjike dhe poetike e foljes me metaforën, 
Në lirikën e Moikomit do zbulohen pamje të fshehura.
 
Ata që do ta kuptojnë Lirikën e Moikomit do na tregojnë se ai përdor
 Në një poezi dy dominante, që neutralizojnë njëra – tjetrën, paqësisht.
Njëra dominante ishte te Vargu Lidhëse dhe tjetra te metafora.
 
Është nga gjërat më serioze të stdudish poezinë e Moikomit me dominante të neutralizuara.
 
Në poezinë e Moikomit fjalët marrin kuptime të reja nga semantika e metaforave.
 
Poezia e Moikomit është një gramatikë e re poetike.
 
“Kush, - në minerën, - e ajrit, - mblodhi - arin farfuritës, - të rrufeve?”
Folja në qendër ka lëshuar dy metafora, në dy kahje, njëherësh.
 
Unë u kthehem foljeve për të kuptuar poezinë e Moikomit.
Ato nuk kanë energji noliane, por janë qumshti i metaforave.
Ato janë edhe si kohë të flijuara për për metaforat pa kohë.
 
Ajo që lidh të dukëshmen me të padukëshmen dhe vetë mbetet e padukëshme është lirikë.  
 
Prosodia e Moikomit i nënështrohet psikikës dhe shenjave grafike.
 
Instinkti krijues i Moikomit ka vënë buzët te kultura si foshnje e etur.
 
Ata që s’e shikojnë sot Moikomin s’do ta shikojnë as nesër.
 
Edhe mekanizmi i teknikave është instinktiv, askush s’ia ka mësuar metaforën Moikomit.
 
Po të gërmosh në vetëdijen e Moikomit, që me kazmën e parë, do të nxjerësh Statujën e Migjenit.
 
Statuja e Migjenit ende s’ka përfunduar, ndonëse Moikomi po punon gjithë jetën për ’të.
 
Statuja e Migjenit do përfundojë kur t’i bjerë pika e fundit mahnitjes së Moikomit.
 
Moikomi kur kujton Migjenin të tjerët i zvogëlohen.
 
Asnjë krijues s’ mund të bashkojë moshën njëzetë e shtatë vjeçare me universin që zgjerohet nga Migjeni.
 
Migjeni është Mbinjeriu i Vetëm që kemi. Ai është edhe Njeriu i Parë i Mbinjeriut.
 
Moikomi kthen kokën majtas-djathts, s’gjen shokë dhe zhytet te polifonia e Detit, Detit!
 
Për Moikomin shenjat e pikësimit janë fjalë të një alfabeti tjetër, që jo të gjithë dinë ti përdorin.
 
Brenda poezive të Moikomit qëndron edhe një recitues që ankohet 
Për më tepër disiplinë herakitiane, por krijuesi i tij ka shpirt pindarik.
 
Moikomi ka dalë i zhgënjyer nga pushteti i mëparshëm poetik.
 
Moikomi i gëzohet pushtetit të ri poetik që e ka krijuar vetë. Kjo do të thotë poet.
 
Moikomi e ka gjuajtur poezinë në metaforë me shigjetën e harkut të foljes.
 
Të gjitha pyetjet e Moikomit janë ankthe ekzistenciale. Ai u jep atyre imazhe për ti kuruar.
Mos po krijohet një Bibël e Re?
 
Nën lëkurën e Moikomit janë ngjyrat e Van Gogut dhe fantazia e Jeronim Bosh-it.
 
Unë s’e harroj dot këtë varg të Moikomit: “Dhe lypësi më i mjerë, i hakërrohet Dantes: 
“ Ti s’di,- asgjë, - për Ferrin!” Këto janë fjalë të një lypësi gjenial. 
 
Moikomi u ka dobësuar lidhjet formale fjalëve për t’u dhënë energji.
 
Një fjalë që prodhon shumë energji është bërthamë për simbolin. 
Moikomi përdor edhe simbolet e gatshëm.
 
“Pse, - drurët, - lumi, - yjet, - dhe stuhia, - mbajnë erë njeriu?”
Pyetja të shtang, vargu të këndell me parfumin natyral.
 
Sot, Moikomi, është njeriu më i pasur i planetit me metafora.
 
 Si qytetar shëmbullor, Moikomi është zëmëruar me shtetin, por u bie në gjunjë luleve.
 
Ndonjëherë Moikomi thotë po afron Koha Profetike. Po Makabe Zaharia, ç’thotë?
 
Të rroj apo të mos rroj? Kjo është çeshtja, tha Zoti dhe iku gjithë zëmërim kur erdhi Shekspiri.
 
Meshën rekuiem në Shqipëri Zotit ja blatoi Migjeni.
 
Naimi u tret në gjithësinë panteiste. Atje i ka mbajtur një vend dishepullit Moikom.
Koha do ti zhvarrosë varret e tyre me thundrat e kalit të Skënderbeut, për t’i nisur në Krujë.
 
Moikomi është dishepull i shumë shkollave poetike, por është mjeshtër vetëm i shkollës së tij.
 
Në qoftë se Moikomi e do të kaluarën time, unë ja jap bashkë me Minerën
 E mbyllur të Memaliajt, të futë gjithë djajtë me kravatë në atë Ferr.
 
Do t’ia ndërroj surumet Moikomit, do ti jap Ujë të Kaltër Vjose.
 
Metaforat e Moikomit po futen në errësirën e Dodonës.
Unë do ti them mirëseerdhët Lisave të Tempullit të rilindur.
 
Moikom, zbrit nga Çasti i Madh, - Koha dhe nga rimishërimi i Pitagorës!
Jeto mes drurëve të metaforave, se ato të krijuan, ndonëse i zbulove ti!
 
Njeriu është një udhëtim në vetvete.
 
Udhëtimi në vetvete i poetit bëhet me Pegas Utopik.
 
Fjalës s’i mjafton kurrë një kuptim.
 
 
Vasil Vasili
 
Patra 9 tetor 2017
 

Comments

Popular posts from this blog

Topografia e fshatit Pozheran

KANGJELA E MALLIT TË PARË

TË PAPRITURAT E NJË UDHËTIMI, ISTOG - PEJË